Në dhjetor votohet për transformimin e FSK-së në ushtri

26 nëntor 2018 | 15:28

Projektligjet të cilat i hapin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake, pritet të procedohen për lexim të dytë në Kuvend, gjatë muajit të ardhshëm.

Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kanë marrë dritën e gjelbër nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryetari i këtij komisioni, Haxhi Shala, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se në muajin dhjetor, pritet që këto projektligje të votohen nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Shala ka thënë se votimi sa më parë i këtyre projektligjeve, do të ndihmonte në përshpejtimin e rrugës së transformimit të FSK-së në ushtri.

“Sot i dërgojmë në komisionet e përhershme, ato e kryejnë procedurën formale të cilën e kanë dhe kthehen përsëri në komision, dhe komisioni i procedon në kryesi të Kuvendit dhe besoj që në muajin dhjetor do të procedohen në dëgjimin e dytë në seancë”, ka thënë Shala.

Anëtarët e këtij komisioni, kanë thënë se ka pasur ndryshime të vogla në amendamentet e këtyre projektligjeve.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se me ndryshimet e bëra, FSK-ja do të ketë mandat që të mbrojë sovranitetin e vendit.

“Ka pasur ndryshime, të cilat mund të deklaroj se e përmirësojnë ligjin, për shembull është shtuar çështja e sovranitetit, te pika katër e Ligjit për FSK-në. FSK-ja do të ketë mandatin, përveç mbrojtjes se integritetit territorial edhe mbrojtjes së sovranitetit, ashtu siç parashihet edhe me Kushtetutë”, ka thënë Sveçla.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se janë bërë disa ndryshime të vogla. Sipas tij, këto ndryshime më tepër janë kozmetike.

“Kemi pasur kryesisht përmirësime teknike dhe në të njëjtën kohë ka pasur edhe dëgjime publike në Komunat e Kosovës. Mendoj që kanë qenë përmirësime teknike, gjuhësore dhe në përmbajtje mendoj se ka mbetur e njëjta materie, me ndonjë lëvizje ta quaj kozmetike, por kryesisht janë ligjet të cilat kanë buruar prej Ministrisë së FSK-së dhe qeverisë”, ka thënë Haradinaj.

Gjatë muajit tetor, deputetët e Kuvendit të Kosovës, votuan tri Projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës. Grupet parlamentare, që të gjitha votuan pro transformimit të FSK-së në, përveç Listës Serbe, deputetët e së cilës, bojkotuan seancën e Kuvendit.

Përmes këtyre tri projektligjeve, po synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshirë edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj.

Aleanca e NATO-s ka dhënë shenja se ka hequr dorë nga kërkesa këmbëngulëse që për çfarëdo ndryshimi të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese.

Sidoqoftë, ishin vet autoritetet e Kosovës ato që u zotuan se edhe transformimi i FSK-së do të ndodhë në koordinim me NATO-n dhe shtetet që Kosova i konsideron si aleate, duke veçuar sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ato kanë qenë mike dhe armike për shumë vite, por…