
Time Kadriaj: Uniformën e UÇK-së e kisha të larë me gjak, e këta më thonë “bashkëpunëtore e Vuçiqit”
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka folur për kohën sa ajo ka shërbyer si mjeke në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ofendimet nga më të ndryshmet që i bëhen sot nga përkrahësit e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kadriaj tha se ka qenë pjesë e UÇK-së në Dukagjin dhe në Koshare, teksa shtoi se tash kur quhet si “bashkëpunëtore e Vuçiqit” është ndjenjë e keqe për të.
“Herën e fundit ka ndodhur pas një prononcimi ku kam thënë se asnjë parti politike s’po do të bashkëpunojë me Kurtin, pasi ai na ka fyer nonstop dhe nuk po duam të bashkëpunojmë me të. Dikush tha ‘po se as Vuçiqi s’dëshiron të bashkëpunojë me Kurtin’”.
“Është ndjenje e keqe, ndihem shumë keq. Tash, patrioti që nuk është me VV-në është spiun, e spiuni që është në VV është patriot”, tha Kadriaj në “DPT te Fidani”.
Tutje, ajo u shpreh se qindra ushtarë kanë dhënë shpirtin në duart e saj në kohën sa shërbente si mjeke në UÇK.
“Qindra ushtarë kanë dhënë shpirt në duar të mija. Gjithë ata heronj të Koshares, gjithë ata të plagosur jam marrë me ta. Këto dy duar të mija kanë qenë të lara me gjak. Uniforma ime e UÇK-së ka qenë e larë me djersë, mund e gjak të ushtarëve të UÇK-së”, tha ajo.