Tivari në vargje, tema e madhe e kujtesës kolektive shqiptare

15 janar 2019 | 12:55

Prof. dr. Begzad Baliu

(Ajet Shala, “Deti i varreve”, (poemë), Prishtinë, 2018)

Tivari është një prej temave të përhershme në krijimtarinë letrare dhe historike e shumë shkrimtarëve dhe studiuesve të dekadave të fundit. Duke e përcjellë krijimtarinë e pasur dhe të vëllimshme letrare të Ajet Shalës, kam vënë re disa përbërës historiko-letrarë të përhershëm, si tema dhe motive, prej të cilave nuk është ‘liruar’ asnjëherë. Në radhë të parë nuk është ‘liruar’ nga tema e dy luftërave të Drenicës (1945) dhe (1999) dhe nga Tragjedia e Tivarit (1945), në të cilën ishin përfshirë djemtë më të mirë të gjithë Kosovës. Kjo temë e pati ngjizur edhe fillimin e miqësisë sonë, sepse edhe unë përpjekjet e mia hulumtuese i kam nisur duke bërë kërkime në projektet: “Gjurmëve të tragjedisë së Tivarit” dhe “Gjurmëve të krimeve të Brigadave Partizane në Kosovën Verilindore (1944-1945)”, të cilat në formë fejtonesh i pata botuar në shtypin e Prishtinës.

Në një nga netët e bisedave tona internetike, shkrimtari Ajet Shala më kishte dërguar një poemë të tij kushtuar tragjedisë së Tivarit. Ishin tridhjetë e tri njësi tetë vargjesh. I lexova me një frymë. Pas shumë poezive kushtuar luftëtarëve legjendarë të këtij gjysmëshekulli dhe pas disa dhjetëra poezive kushtuar temave bosht të kësaj hapësire heroike, synimet e tij largvajtëse qoftë në prozë, poezi, apo në formë kujtimesh (intervista e reportazhe), i kishte kurorëzuar në një poemë, të cilën më vonë do ta pagëzojmë me titull “Deti i varreve”, që në natyrën e toponimisë shqiptare do të duhej të identifikohej si “Varret e detit” (shih, Vorret e katunit, Te vorret n’fushë etj.), por që për autorin në frymën e poezisë më mirë tingëllonte “Deti i varreve”. Pra, poemë për një det të mbushur me kufoma, që u bë varr i prehjes së tyre. Kërkesës së tij që ta vlerësoj nëse kjo poemë epike mund të hyjë në një vëllim me poezi, para së gjithash, lirike, iu përgjigja me konceptin e Sabatos: Për Tivarin është shkruar shumë në kontekstin historik, por Tivarit i mungon një vepër e madhe artistike (roman, dramë, film artistik, operë, pikturë etj.), prandaj për Tivarin ende nuk kemi një parafytyrim të plotë dhe të veçantë, që mund të krijojë vetëm arti letrar artistik, ende nuk kemi një përjetim estetik të kësaj tragjedie! Në këtë rrjedhë, i rekomandova mikut tim, që poemën ta plotësonte dhe ta botonte vepër më vete.

Përtej vlerave epike të trajtimit, kjo poemë më bindi për forcën krijuese të autorit për ta provuar veten më tej. Që me versionin e parë të tekstit të tij poetik më kishte bindur se ai me kërshërinë prej lexuesi dhe prej krijuesi, e kishte asimiluar që më parë poemën në letrat shqipe. Teksa e lexoja poemën e tij për Tivarin, ajo më kujtonte poemat e Dritëro Agollit (“Nënë Shqipëri”, “Baballarët”), Koçi Petritit (“Ura e Drashovicës”), Beqir Musliut (“Skënderbeu”), Qerim Ujkanit (“I njëqindekatërti”) dhe, përgjithësisht, poemat e lëvruara dendur në vitet ’70-’80. Prandaj kërkesa ime për të hapur këtë temë të madhe me vargje dhe me situata të tjera historike e dramatike kishte arsye të plotë.

Prandaj, jam shumë i nderuar që poema e shkrimtarit Ajet Shala tani ka një përmbajtje dhe një strukturë shumë të pasur, prej 303 njësish, përkatësisht prej 2 424 vargjesh poetike. Ajo tani është një poemë, brenda së cilës është përshkuar jo vetëm një prej tragjedive më të mëdha të shekullit XX, po në një mënyrë a një tjetër reflektojnë të gjitha tragjeditë e kësaj natyre të shekujve të fundit. Poema “Deti i varreve” është një poemë e madhe letrare brenda së cilës janë strukturuar të gjithë përbërësit historikë, letrarë e artistikë të prirjeve dhe sprovave të autorit në fushë të letërsisë. Vargu i tij përgjithësisht me këtë poemë është pasuruar me thyerje të reja, me saktësime të rimës dhe të rrokjeve, me ritmin e brendshëm, ndërsa në strofën e tij tetë vargjesh janë shënuar saktësime tematike dhe përmbyllje kuptimore të saj.

Megjithëse e strukturuar si tetë vargjesh prej 303 njësish, ajo në esencë është një poemë e shtrirë në 2 424 vargje, së cilës mund t’i vendoseshin numrat e këngëve kreshnike, ashtu sikur vendosen para vargjeve të një kënge epike për Bukurinë e Tanushes, Mujin e Halilin, Martesën e Halilit apo këngëve historike për Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Gjergj Arianitn, Mic Sokolin, Oso Kukën, Isa Boletinin etj., deri te këngët për Adem Jashari. Paradigmat epike dhe historike të poemës dalin madje prej tipit të vargut, prej përshkrimeve epike të ambienteve, prej përshkrimeve historike të situatave e individëve dhe më në fund prej pasthirrmave tipike që përdoren në fillim të vargjeve dhe në fund të tyre.

Poema është ideuar si një tërësi, një udhëtim brezash drejt një ngjarjeje të cilën shumë studiues janë përpjekur ta saktësojnë përmes dokumenteve të arkivave kombëtare, arkivave të proveniencës ballkanike, madje arkivave angleze e amerikane e, megjithatë, nuk kanë arritur ta thonë të vërtetën e plotë të plojës së madhe mbi atë grup të rinjsh, në të vërtetë mbi brezin më të shëndetshëm të një kombi (nga mosha 16-30 vjeçare), me të cilin Serbia synonte ta eliminonte një brez të tërë të një populli. Poema është konceptuar si një dramë e madhe e një udhëtimi tani tre brezash: të baballarëve të mbetur atje, të bijve, të cilët nuk mund të lirohen ende nga mënyra se si u tradhtuan ata; si dhe të brezit të tretë, të nipave, të cilët kujtesën e ruajnë si një legjendë dhe peng familjar, e për të cilën kanë obligim të mos heshtin, por ta dokumentojnë në mënyrën e tyre dhe ta bëjnë objekt vlerësimi e rindërtimi.

Brezit të tretë i takon edhe autori i kësaj poeme, i cili bën një udhëtim nëpër histori, i udhëhequr nga kujtimet historike të të atit, të cilët bashkërisht udhëtojnë drejt vendit të krimit për të saktësuar sa më bindshëm historikisht dhe për të unifikuar sa më saktë gjeografikisht, jo vetëm shenjen e fundit po gjithë rrugëtimin e tij. Në vargjet e tij përvijohen emrat e pothuajse të gjithë bartësve të së keqes, qofshin ata nga radhët e shqiptarëve të Kosovës a të Shqipërisë, qofshin nga radhët e serbëve, si dhe emrat e vendeve nga Kosova e deri në Tivar nga kanë kaluar të ‘mobilizuarit’. Prej leximit të saj mund të përfytyrohet një gjeografi e tërë tragjike e udhëtimit dramatik të tyre: nga Drenica në Prizren, nga Kukësi në Shkodër e nga lumi Buna në Tivar. Prej leximit të saj, në të vërtetë mund të perceptohet një udhëtim sa historik aq edhe dramatik e shpirtëror i këtij brezi tragjik që udhëton nga vendlindja në Tivar.

Shkrimtari Ajet Shala, me këtë formë të artikulimit artistik – poemën Deti i varreve, ka arritur të sendërtojë ëndrrat e disa brezave të popullit shqiptar, për të mos harruar historinë e tyre familjare dhe për ta përkujtuar atë, jo vetëm në kontekstin dokumentar dhe oral, por e dhe krijues.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sabri Kiçmari Stuttgart -Ulm, 16. Janar 1999 Pas manifestimit përkujtimor…