Tjetër ditë e zezë për Amerikën

09 prill 2020 | 14:24

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar ditën e tyre më të zezë për nga numri i viktimave. Në vetëm 24 orët e fundit kanë humbur jetën 1 900 pacientë duke ia kaluar Spanjës, me një total prej gati 14 797.

I lartë është edhe numri i të infektuarve që e ka çuar totalin e të prekurve në mbi 400 mijë. Shifrat tregojnë se përhapja e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara vijon të përshpejtohet, në dallim nga një pjesë e vendeve europiane ku situata është e stabilizuar.

Për presidentin amerikan Donald Trump, kjo tregon se epidemia ndodhet pranë kulmit dhe shumë shpejt, situata do të vihet nën kontroll. Ai njoftoi se javët e ardhshme në spitalet ku kurohen pacientët me koronavirusi do të shtohen mbi 110 mijë aparatura që ndihmojnë në furnizimin me oksigjen të mushkërive.

Por kreu i Shtëpisë së Bardhë kritikoi edhe Organizatën Botërore të Shëndetit. Ai theksoi se OBSH duhet të bëjë punojë më mirë dhe të ofrojë më shumë ndihma tek vendet ku epidemia po merr shumë jetë njerëzish.

Ndërkaq në bazë një studimi të kryer nga disa shkencëtarë amerikanë tregohet se shumica e rasteve të Covid-19 në Amerikë janë të importuara nga Evropa. Nju Jorku është kthyer në epidendrën e koronavirusit aty ku numri i vdekjeve, por edhe i infeksioneve mbetet tepër i lartë.

Më 1 shkurt, presidenti Trump ndaloi shtetasit e huaj të hyjnë në vend nëse ata më parë kishin qenë në Kinë dhe në mars ai pezulloi fluturimet me shumicën e vendeve evropiane.

Autoritetet shëndetësore kanë shprehur shqetësimin e tyre se mijëra pacientë po humbin jetën dhe ata janë vënë përpara një zgjedhje shumë të vështirë se kë duhet të shërojnë më parë./tvklan/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata ndërkombëtare bamirëse Oxfam, ka paralajmëruar se gjysmë milardë njerëz…