TOP NGJARJET EKONOMIKE NË KOSOVË NË VITIN 2019

31 dhjetor 2019 | 12:44

Viti 2019 në fushën ekonomike është karakterizuar kryesisht me debatin rreth taksës së vendosur ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovica. Po ashtu, debati është përqendruar edhe te Ligji i pagave, investimet vendore kapitale, kryesisht në infrastrukturë, çështja e privatizimit të Telekomit, si dhe ndërlidhja me “Z-Mobile”. Natyrisht se viti 2019 nuk do të mbahet mend për ndonjë investim apo brend të huaj. Ndërsa gjendja e operimit dhe punësimit në sektorin privat, si dhe norma e lartë e papunësisë edhe në vitin që lamë pas, nuk ka shënuar përparim. Sikurse në vitet e kaluara, edhe në vitin 2019 dominimi i agjendave politike ka ndikuar edhe në përkeqësimin e pozitës së Kosovës në raportin e Bankës Botërore që matë lehtësinë e të bërit biznes, në të cilin në dy vjetët e fundit kemi shënuar rënie për 17 pozita.

E përgatiti Albulena S. MAVRAJ

“Trepça” regjistrohet si shoqëri aksionare

8 mars – Gjiganti metalurgjik “Trepça” është regjistruar si shoqëri aksionare në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Me anë të këtij regjistrimi është konfirmuar se 80 për qind e aksioneve të “Trepçës” do të jenë të Qeverisë, kurse 20 për qind do t’u përkasin punonjësve të kësaj ndërmarrje.

Image result for “Trepça” regjistrohet si shoqëri aksionare

Ambasada Britanike tërhiqet nga procesi i rekrutimit të kryesuesit të Bordit të ZRrE-së

28 mars – Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka tërhequr mbështetjen për rekrutimin e pozitës së kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) si pasojë e “zhgënjimit me vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për mosvotimin e asnjërit nga kandidatët e rekomanduar nga partneri zbatues i projektit të rekrutimit”. Kjo ambasadë ka theksuar se më 28 shkurt deputetët kanë dështuar t’i votojnë kandidatët e propozuar për këtë pozitë dhe janë të detyruar ta rishpallin konkursin. Pas këtij vendimi, Ambasada Britanike ka njoftuar se nuk do të financojë procese të reja rekrutuese.

Image result for ambasada britanike

Ndalohen lojërat e fatit në Kosovë

 28 mars – Me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka votuar Ligjin që ndalon të gjithë lojërat e fatit në territorin e Kosovës, vendim i cili ka kaluar disa ditë pasi kanë ndodhur vrasje në një kazino në Suharekë dhe në Lipjan.

Image result for lojrat e fatit

Vendet e Ballkanit nënshkruajnë marrëveshjen për heqjen e tarifave roaming

4 prill – Në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, i cili është mbajtur në Beograd, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në emër të Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen për zbritjen e çmimeve të roamingut për vendet e Ballkanit. Palët nënshkruese të marrëveshjes, e cila do të quhet “Roaming si në shtëpi”, ka filluar nga 1 korriku i këtij viti duke ulur kostot e roamingut, ndërsa nga 1 korriku i vitit 2021 nuk do të ketë çmime bazë të roamingut. Kjo marrëveshje është nënshkruar nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia. Me anë të kësaj marrëveshje do të ketë reduktime të “ashpra” të çmimeve, nga 2.5 euro sa ishte për një minutë, në 0.19 cent. Pastaj në vitin 2020 në 0.16 centë, për t’u eliminuar tërësisht nga 1 korriku i vitit 2021.

Image result for tarifa roaming

“General Electric” përzgjedhet ofertuesi i preferuar për TC “Kosova e Re”

  3 maj – “Contour Global” dhe Qeveria e Kosovës kanë njoftuar se konsorciumi i kompanive të “General Electric” është përzgjedhur si ofertuesi i preferuar në tenderin për Inxhinieringun, Prokurimin, Ndërtimin (EPC) dhe Mirëmbajtjen Afatgjatë (LTM) për Projektin e Termocentralit “Kosova e Re”. Ndërsa më 6 maj ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se është i lumtur që Qeveria e Kosovës ka përzgjedhur ofertuesin e preferuar për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

 

ATK-ja revokoi licencat e lojërave të fatit

10 maj – Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar opinionin dhe subjektet ekonomike se me qëllim të zbatimit të dispozitave ligjore, kishte filluar revokimin e të gjitha licencave të subjekteve që merren me organizimin e lojërave të fatit.

Image result for administrata tatimore

Lëshohet për qarkullim autostrada “Arbën Xhaferi”

29 maj – Në një ceremoni të organizuar nga institucionet shtetërore është bërë inaugurimi i autostradës “Arbën Xhaferi”, e cila shtrihet nga Prishtina deri në Han të Elezit, në kufi me Maqedoninë e Veriut. Në inaugurimin e kësaj autostrade kanë marrë pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeparlamentari Talat Xhaferi dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq. Kjo autostradë ka një gjatësi prej 65 kilometrash dhe njihet për urën më të gjatë në rajon me gjatësi prej 5.7 kilometrash.

Image result for Lëshohet për qarkullim autostrada “Arbën Xhaferi” 

Besim Beqaj jep dorëheqje nga pozita e ministrit të Inovacionit

20 qershor – Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit. Dorëheqja e Beqajt ka ardhur pas vendimit të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për largim nga detyra të të gjithë anëtarëve të kësaj partie politike që mbajnë poste publike dhe që janë të akuzuar për korrupsion dhe nepotizëm. Ndërsa më 17 korrik kryeministri Ramush Haradinaj ka emëruar Muzafer Shalën në pozitën e Besim Beqajt.

 

Kuvendi miraton Projektligjin për të ardhurat e korporatave

27 qershor – Me 74 vota për, asnjë kundër, dy abstenime deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Projektligjin në të ardhurat e korporatave. Kompanitë e sigurimeve që operojnë në Kosovë tash e tutje do të trajtohen njëjtë sikurse të gjitha bizneset e tjera që funksionojnë në Kosovë. Deri me këtë datë kompanitë e sigurimeve kanë qenë të obliguara që të paguajnë 5 për qind tatim në qarkullim si dhe të gjitha tatimet e tjera që parashihen me ligjet e Republikës së Kosovës.

Image result for deputete e kuvendit te kosoves

Telekomi i Kosovës shkëput kontratën me “Z-Mobile”

30 korrik – Telekomi i Kosovës ka shkëputur kontratën dhjetëvjeçare me kompaninë telefonike “Z-Mobile”. Në një konferencë për medie kryetarja e Bordit të Telekomit, Besa Shatri-Berisha, ka njoftuar se pas gjashtë muajve bisedime të pasuksesshme me “Z-Mobile”, kanë marrë vendim që ta shkëpusin kontratën. Ndërsa nga 28 nëntori të gjithë numrat e “Z-Mobile” kanë kaluar në pronësi të “Vala”-s. Shkëputja e kësaj kontrate ka gëzuar punëtorët e Telekomit, por jo edhe drejtuesit e “Z-Mobile” të cilët janë duke ndjekur rrugët ligjore për ta kundërshtuar një vendim të tillë.

Image result for telekomi z mobile

Ish-drejtuesit e Telekomit lirohen nga akuzat për kontratën me “Z-Mobile”

21 tetor – Tre ish-drejtuesit e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, janë liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare lidhur me kontratën me “Z-Mobile”. Në rastin e njohur si “Posta”, ata akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar pasi pretendohej se i kishin shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje afro 30 milionë euro lidhur me kontratën me “Z-Mobile”.

Image result for Ish-drejtuesit e Telekomit lirohen nga akuzat për kontratën me “Z-Mobile”

Hiqet homologimi për veturat e reja

28 tetor – Ministria e Infrastrukturës e Kosovës ka marrë vendim që veturat e reja, të importuara nga kompanitë e licencuara, nuk do t’i nënshtrohen më homologimit nga kompania e autorizuar. Një vendim i tillë është mirëpritur nga Bashkimi Evropian (BE). Ky institucion ka theksuar se pret që e njëjta qasje të zbatohet për të gjitha automjetet e importuara që përputhen me standardet e BE-së, përfshirë edhe automjetet e dorës së dytë.

Hiqet homologimi për veturat e reja, kërkohet të shfuqizohet edhe për të vjetrat

Tarifat për regjistrimin e automjeteve rriten për 26 për qind

5 nëntor – Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka marrë vendim që t’i rrisë tarifat për sigurimin e detyrueshëm për automjetet për pasagjerë. Kjo rritje e çmimit për sigurimin e automjeteve, sipas vendimit të BQK-së, do të jetë mbi 26 për qind. Një vendim i tillë i BQK-së nuk është mirëpritur nga askush. Madje kundër këtij vendimi janë mbajtur edhe protesta, duke kërkuar shfuqizimin e këtij vendimi.

Kosova del nga sistemi rregullues energjetik i Serbisë, i bashkohet Shqipërisë

2 dhjetor – Përfaqësuesit e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) kanë nënshkruar në Tiranë marrëveshjen e themelimit të bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë – Shqipëri. Kjo marrëveshje parashihet të hyjë në fuqi në prill të vitit 2020. Një marrëveshje e tillë e largon Kosovën nga sistemi rregullues energjetik i Serbisë.

Image result for Kosova del nga sistemi rregullues energjetik i Serbisë, i bashkohet Shqipërisë

Kushtetuesja pezullon Ligjin për paga

12 dhjetor – Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim që ta pezullojë zbatimin e Ligjit për paga në sektorin publik, duke caktuar masën e përkohshme ndaj këtij ligji deri më 30 mars 2020. Ligjin për paga më 6 dhjetor në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar Avokati i Popullit, për vlerësimin e përputhshmërisë së këtij ligji me Kushtetutën. Ligji për paga është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt.

Image result for gjykata kushtetuese e kosoves

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prishtinë, dhjetor/janar - Vrasja e liderit të Shtetit Islamik (ISIS),…