Guvernatori i BQK-së: Rritja ekonomike ë vitin 2026 pritet të jetë 4.1 për qind

29 dhjetor 2025 | 12:43

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka bërë me dije se ekonomia e Kosovës pritet ta mbyllë vitin 2025 me rritje prej 3.9 për qind, ndërsa inflacioni vjetor parashihet të arrijë rreth 3.8 për qind.

Këto vlerësime janë prezantuar gjatë paraqitjes së Raportit Vjetor të BQK-së për vitin 2025.

Sipas Ismailit, projeksionet ekonomike të BQK-së tregojnë se rritja ekonomike për vitin 2026 pritet të jetë 4.1 për qind, e mbështetur kryesisht nga konsumi privat, megjithëse rreziqet e brendshme dhe të jashtme, përfshirë tensionet gjeopolitike dhe rritjen e ngadalshme të eurozonës, vazhdojnë të paraqesin pasiguri për ekonominë e vendit.

“Sa i përket indikatorëve makroekonomikë të vendit, ne presim që viti të mbyllet me rritje prej 3.9 për qind. Këto janë projeksione që dalin nga departamenti ynë për analiza financiare dhe stabilitet. Ky është në linjë me aktivitetin ekonomik që deri në gjysmën e parë të këtij viti u rrit me 3.8 për qind. Ne parashikojmë që vitin 2026 rritja ekonomike të shkojë në 4.1 për qind, që është e mbështetur nga konsumi privat. Sigurisht, rreziqet dhe pasiguritë mbeten, ato kanë të bëjnë me faktorët e brendshëm që karakterizojnë sistemin tonë ekonomik dhe politik, dhe po ashtu edhe nga rreziqet e jashtme dhe tensionet e tjera gjeopolitike, si dhe rritja e ngadalshme e eurozonës. Duke qenë një ekonomi e varur nga importi dhe gjithashtu e varur nga bashkëpunimi me BE-në, kjo është evidente se do të ketë ndikim”, ka thënë ai.

Kurse sa i përket inflacionit, Ismaili ka thënë se sipas të dhënave deri në muajin tetor, inflacioni në Kosovë ishte 3.6 për qind, ndërsa pritet që viti të mbyllet me rreth 3.8 për qind. Për vitin 2026, sipas tij, inflacioni parashihet të zbutet në 3.4 për qind, duke shtuar se rritja e inflacionit gjatë vitit 2025 ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimit dhe ka qenë në linjë me dinamikat rajonale dhe evropiane.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleksandër Lumezi ka refuzuar propozimin për përzgjedhjen në pozitën e…