Top ngjarjet vendore dhe ndërkombëtare të sportit në vitin 2025
Sporti vendor dhe ai ndërkombëtar kanë qenë të stërmbushur me aktivitete, suksese dhe sfida të shumta. Kombëtarja e Kosovës në futboll ka arritur sukses historik, duke siguruar për herë të parë “play-off-in” e Kupës së Botës. Ndërsa në arenën ndërkombëtare, PSG-ja dhe Chelsea kanë qenë skuadrat më të trofeshme, duke fituar Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për klube. Krahas sukseseve, bota e futbollit është tronditur nga vdekja tragjike e futbollistit të Portugalisë dhe Liverpoolit, Tiago Jota, shkruan “Epoka e re”.
2025-a, vit historik për futbollin e Kosovës
Viti 2025 ishte pa dyshim më i suksesshmi për futbollin e Kosovës që nga anëtarësimi në UEFA dhe FIFA. Vetëm nëntë vjet pas bashkimit në familjen evropiane dhe botërore të futbollit, vendi ynë jo vetëm që po mban hapin, por është duke korrur rezultate që shpesh i lakmojnë edhe federata me dekada të tëra traditë ndërkombëtare. Ky vit ka dëshmuar fuqinë e futbollit të Kosovës si përmes suksesit të Kombëtares së Kosovës, po ashtu edhe përmes arritjeve historike të FC Drita në Ligën e Konferencës dhe FC Prishtina 01 në Ligën e Kampionëve të Futsallit. Puna e palodhshme e kreut të Federatës, Agim Ademi, dhe vizioni i përzgjedhësit Franco Foda në afrimin e lojtarëve cilësorë e të rinj, sollën rezultate të prekshme. Në mars, dardanët shkruan faqen e parë të këtij viti të artë: Kosova u ngjit në Ligën B të Ligës së Kombeve, pas dy fitoreve të merituara ndaj Islandës, 2:1 në “Fadil Vokrri” dhe 3:1 në Murcia të Spanjës. Një kapitull i ri u hap për futbollin tonë, por rrugëtimi nuk u ndal këtu. Në kualifikimet për Botërorin 2026, Kosova arriti një tjetër moment historik: përfundoi e dyta në Grupin B me 11 pikë, duke siguruar për herë të parë “play-off-in” e Kupës së Botës. Humbja ndaj Zvicrës në Bazel vetëm sa e forcoi kampin e dardanëve. Dy fitore të mëdha ndaj Suedisë, një fitore dhe një barazim ndaj Sllovenisë dhe një barazim ndaj Zvicrës mbyllën një cikël madhështor.
Tani para nesh qëndrojnë dy sfida vendimtare: në mars gjysmëfinalja me Sllovakinë në Bratisllavë dhe, në rast fitoreje, finalja e madhe në “Fadil Vokrri” ndaj Turqisë ose Rumanisë. Realizimi i këtij objektivi do ta dërgonte Kosovën në Grupin D të Botërorit 2026, së bashku me ShBA-në, Paraguain dhe Australinë – një ëndërr e shumë gjeneratave.
Seria brilante prej 8 fitoreve, 2 barazimeve dhe vetëm 1 humbjeje gjatë vitit 2025 e ngriti dukshëm Kosovën edhe në renditjen botërore. Dardanët po e mbyllin vitin në vendin e 80 të FIFA-s. Viti ishte i suksesshëm edhe për Kombëtaren U21, e cila nisi rrugëtimin drejt Euro 2027 me bilanc pozitiv -2 fitore, 2 barazime dhe vetëm një humbje. Ndërkaq, Kombëtarja U17 e vajzave siguroi kalimin e merituar në Ligën A për kualifikimet e Euro 2026. Në arenën e klubeve, suksesi ishte po aq mbresëlënës: FC Drita u bë klubi i parë kosovar që arriti ta kalojë fazën e ligës së Conference League, duke siguruar “play-off”-in për 1/8 e finales dhe duke na bërë krenarë me paraqitjet e saj. Ndërsa FC Prishtina 01 shkroi histori në futsall, duke arritur deri në 1/16 e finales së Championsit. Të gjitha këto suksese nuk janë rastësi. Ato janë fryt i punës, angazhimit dhe vizionit të qartë me të cilin po ecën futbolli kosovar. Vitin 2025 po e mbyllim me krenari. Dardanët kanë dëshmuar se mund të shkojnë edhe përtej pritshmërive. Kosova po jep shembull dhe faqet e reja në histori po shkruhen. Tani të gjithë sytë i kemi nga muaji mars, aty ku ëndrra e madhe mund të bëhet realitet.
Shqipëria siguron “play-off”-in për Botërorin 2026
Shqipëria ka shkruar një faqe të re në historinë e futbollit shqiptar, duke siguruar kualifikimin në “play-off” të Botërorit 2026 pas fitores 0-1 në transfertë ndaj Andorrës. Një ndeshje që duhej fituar me çdo kusht dhe ku kuqezinjtë e bënë detyrën me personalitet, qetësi dhe vendosmëri.
Heroi i sfidës ishte bërë Kristjan Asllani, i cili në minutën e 67 kishte zhbllokuar takimin me një goditje të saktë brenda zonës, pas një asistimi perfekt nga Myrto Uzuni. Një aksion i ndërtuar me qetësi, presion dhe inteligjencë, që shpërtheu në festë të madhe për skuadrën dhe tifozët shqiptarë. Kuqezinjtë dominuan në ndeshje, kontrolluan ritmin dhe nuk lejuan asnjë surprizë nga vendasit. Sylvinho ka kërkuar maksimumin deri në minutën e fundit dhe ekipi iu përgjigj me disiplinë të hekurt dhe grintë në çdo duel. Me këtë rezultat, Shqipëria ka siguruar matematikisht vendin që e çon në “play-off”, duke hyrë mes skuadrave që do të luftojnë deri në fund për një biletë historike drejt Kampionatit Botëror 2026. Një arritje e madhe, e merituar dhe e fituar me shumë mund, që ndez krenarinë e çdo shqiptari. Shqipëria në “play-off” do të ndeshet me Poloninë.
Distria Krasniqi mbyll vitin në krye të botës
Unioni Evropian i Xhudos (EJU) i ka kushtuar një shkrim të veçantë Distria Krasniqit, e cila ka përfunduar vitin e para në ranglistën botërore në kategorinë deri në 52 kilogramë dhe e dyta në ranglistën e përgjithshme botërore. Krasniqi e ka vlerësuar vitin 2025 shumë të suksesshëm, duke theksuar se ka fituar medalje në çdo garë. Ajo veçoi titullin e tretë kampione e Evropës dhe finalen e parë në Kampionatin Botëror për të rritur. Edhe pse pranon se jo gjithmonë ishte në formën më të mirë, Distria thekson se në garat kryesore ishte në nivel maksimal, gjë që e ka karakterizuar gjatë gjithë karrierës. Ajo njihet për vazhdimësinë e sukseseve dhe përkushtimin në punë. Garat Grand Prix dhe Grand Slam i sheh si teste, ndërsa prioritet mbeten Lojërat Olimpike dhe kampionatet botërore dhe evropiane. Së bashku me trajnerin Driton Kuka, ajo analizon vazhdimisht paraqitjet për përmirësime të mëtejshme. Distria ka kaluar me sukses ndërmjet kategorive të peshës dhe thotë se nuk ndikohet nga presioni, përkundrazi, e shijon garën. Meritat e mëdha për suksese ia atribuon trajnerit Kuka. Ajo thekson se Kosova është shndërruar në superfuqi të xhudos falë punës dhe përkushtimit, ndërsa gjeneratës së re i këshillon punë dhe qëndrueshmëri. Edhe pse nuk mendon për përfundimin e karrierës, Distria shprehet se do të mbetet pjesë e xhudos.
Drita shpallet kampione e Kosovës
Skuadra e Dritës është shpallur kampione në sezonin 2024/25 në Superligën e Kosovës në futboll. Ekipi i Zekrija Ramadanit ka grumbulluar 69 pikë pas 32 xhirove, duke siguruar titullin kampion. Titulli i kampionit është kthyer në Gjilan pas 5 vitesh mungesë dhe për këtë merita të mëdha ka pasur trajneri Zekrija Ramadani. Drita gjatë vitit që lamë pas ka treguar rezultate pozitive edhe në arenën ndërkombëtare duke siguruar “play-off”-in në Ligën e Konferencës.
Prishtina fiton Kupën e Kosovës dhe siguron daljen në Evropë
Prishtina është fituese e edicionit 2024/25 të Kupës së Kosovës në futboll. Në finalen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, në prani të rreth 10 mijë tifozëve, skuadra e kryeqytetit e kishte mposhtur Llapin me rezultat minimal 1:0, duke e siguruar kështu trofeun për herë të nëntë në histori dhe për herë të dytë në tri edicionet e fundit.
Drenica privatizohet, bëhet me pronar të ri
KF Drenica ka nisur një etapë të re, pasi klubi është privatizuar dhe tani do të ketë një pronar të ri. Nga tani e tutje pronarë të Drenicës do të jenë Thomas Wustenfeld dhe Faton Seferi. Aktualisht, Drenica është pjesë e Superligës së Kosovës në futboll.
Arb Manaj “Futbollist i vitit 2025”, Amir Rrahmani fitues i çmimit “Fadil Vokrri”
Federata e Futbollit e Kosovës ka organizuar ngjarjen tradicionale “Laureatët 2025”, ku janë nderuar dhe vlerësuar individët, klubet dhe institucionet që kanë kontribuuar në zhvillimin dhe avancimin e futbollit të Kosovës gjatë vitit 2025. Çmimi më i rëndësishëm, ai i “Futbollisti të Vitit 2025”, i ka takuar sulmuesit të FC Drita, Arb Manaj, të cilit trofeun ia kanë dorëzuar presidenti i FFK-së, Agim Ademi, presidenti i FShF-së, Armand Duka dhe ministri Hajrulla Çeku. Ndërsa çmimi “Fadil Vokrri”, që nderon trashëgiminë e një prej figurave më të mëdha të futbollit të Kosovës, i është dhënë Amir Rrahmanit, kapitenit të Kombëtares së Kosovës dhe lojtarit të Napolit në Serinë A.
Trepça shpallet kampione e Kosovës në basketboll
Trepça është shpallur kampione e Kosovës në basketboll. “Xehetarët” kanë mposhtur Bashkimin në ndeshjen e gjashtë finale, me rezultat 82:67. Seria e finales ka përfunduar 4:2 në të mirë të skuadrës nga Mitrovica. Ky është titulli i dytë radhazi për Trepçën dhe i gjashti në historinë e këtij klubi.
Kosova pranohet në Federatën Ndërkombëtare të Golfit
Kosova është pranuar zyrtarisht si anëtarja e 154-t e Federatës Ndërkombëtare të Golfit (IGF). Ky vendim është bërë me dije nga Federata e Golfit e Kosovës (FGK), e cila ka theksuar se ai shënon një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e sportit të golfit në vendin tonë. “Anëtarësimi në IGF nuk është vetëm një status formal është një dëshmi e rrugëtimit tonë të gjatë. Është rezultat i më shumë se një dekade pune të palodhshme, qindra takimeve ndërkombëtare, mijëra orëve në terren, ndërtimit nga themelet të një strukture kombëtare të golfit dhe përkushtimit të çdo individi që besoi se Kosova mund të jetë pjesë e familjes globale të këtij sporti fisnik”, ka njoftuar FGK-ja.
PSG-ja për herë të parë në histori fiton Ligën e Kampionëve
Paris Saint-Germain (PSG) për herë të parë ka fituar finalen e Ligës së Kampionëve. Klubi nga Franca ka mposhtur Interin me rezultat 5:0. Kjo është hera e parë që nga viti 1993 që një ekip francez fiton Ligën e Kampionëve. Po ashtu, PSG-ja ka fituar Kupën Ndërkontinentale, duke mposhtur Flamengon.
Liverpooli shpallet kampion i Premierë Ligës
Liverpooli është kurorëzuar kampion i Premierë Ligës, duke barazuar rekordin e Manchester Unitedit me 20 tituj të fituar. “Të kuqtë” e kanë fituar titullin me stil në stadiumin “Enfild”, duke mposhtur me goleadë Totenhemin me rezultatin 5-1. Ekipi i drejtuar nga Arne Slot ka humbur vetëm dy takime në 34 ndeshje dhe i ka dhënë fund dominimit katërvjeçar të Manchester Cityt.
Barcelona fiton La Ligan
Barcelona është shpallur kampione e La Ligas për sezonin 2024-25, duke siguruar titullin e 28 në histori. Fitorja është konfirmuar zyrtarisht më 15 maj 2025, pas një fitoreje 2-0 kundër rivalit të qytetit, Espanyolit. Trajneri Hansi Flick ka udhëhequr ekipin drejt këtij suksesi, duke u shpallur edhe trajneri më i mirë i sezonit.
Napoli i Amir Rrahmanit fiton Scudetton në Itali
Napoli ka fituar Scudetton (Serinë A) në Itali, duke e marrë titullin e katërt në histori gjatë sezonit 2024-2025, pasi e kishte fituar edhe më parë më 1987, 1990 dhe 2023. Fitorja e fundit ka ardhur nën drejtimin e Antonio Contes, pas një dueli të fortë me Interin, duke e çuar Napolin në Champions League si kampion i Italisë. Po ashtu, Napoli ka fituar edhe Superkupën e Italisë, duke e mposhtur Bolonjën në finale.
Bayern Munichu, kampion i Bundesligës për herë të 34-t në histori
Bayern Munichu ka fituar Bundesligën në sezonin 2024-2025. Klubi gjerman e ka siguruar titullin e 34-t kombëtar (rekord) më 4 maj 2025, dy ndeshje para fundit të sezonit, pasi ndjekësi i tyre më i afërt, Bayer Leverkusen, kishte barazuar kundër Freiburgut. Ky titull ishte i pari trofe i madh në karrierën e Harry Kane si lojtar dhe i pari si menaxher për Vincent Kompany.
Portugalia shpallet kampione e Ligës së Kombeve
Portugalia është shpallur fituese e Ligës së Kombeve për këtë sezon, pasi ka mundur Spanjën në fund përmes “ruletës ruse”, ku luzitanët janë treguar më të saktë. Koha e rregullt ka përfunduar baras (2-2), ku Cristano Ronaldo kishte qenë vendimtar me një gol gjatë kohës së rregullt, ndërsa në penalti Alvaro Morata i Spanjës kishte dështuar duke ua mundësuar portugezëve ta ngrehin kupën.
Tottenhami fiton Ligën e Evropës
Tottenham Hotspur ka fituar finalen e Ligës së Evropës me rezultat minimal 1-0 ndaj Manchester Unitedit. Finalja është luajtur në stadiumin “San Mamés” në Bilbao, Spanjë. Golin e vetëm dhe të fitores e ka shënuar Brennan Johnson në minutën e 42-të. Kjo fitore ka shënuar një sukses historik për klubin londinez, duke qenë trofeu i tyre i parë i madh evropian pas 41 vjetësh. Për më tepër, ky sukses ua ka siguruar atyre një vend në fazën e grupeve të UEFA Champions League për sezonin pasardhës.
Humbet jetën Tiago Jota
Futbollisti i Liverpoolit dhe i përfaqësueses së Portugalisë, Diogo Jota, ka vdekur si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku në Spanjë, ka konfirmuar policia spanjolle. Ngjarja tragjike ka ndodhur në autostradën në zonën e Zamorës, afër qytetit Palacios de Sanabria, sipas së përditshmes spanjolle “Marca”. Jota ndodhej në automjet së bashku me vëllanë 26-vjeçar, Andre, i cili gjithashtu ka humbur jetën. I lindur në Porto, Jota e kishte nisur karrierën futbollistike në akademinë e të rinjve, përpara se të transferohej te Atletico Madridi në vitin 2016. Ai më pas ishte bashkuar me Wolverhampton Wanderers para se të bëhej pjesë e Liverpoolit, ku spikati si një nga sulmuesit më të rrezikshëm të Premierë Ligës. Në nivel ndërkombëtar, 28-vjeçari ishte pjesë e skuadrës kombëtare të Portugalisë dhe ka kontribuar në suksesin e saj në Ligën e Kombeve, duke fituar trofeun në vitet 2019 dhe 2025.
Interi Miami shpallet kampion, Messi lë gjurmë
Inter Miami u shpall kampion i Major League Soccer (MLS) Cup 2025 pas fitores 3-1 kundër Vancouver Whitecaps FC më 6 dhjetor 2025. Kjo ishte fitorja e parë e klubit në kampionatin e ligës, duke shënuar një moment historik për skuadrën dhe yllin e saj kryesor, Lionel Messi. Ylli argjentinas është shpallur edhe lojtari i vitit në ShBA.
Alonso bëhet trajner i Real Madridit
Xabi Alonso është emëruar trajner i ri i Real Madridit. Njoftimi është bërë zyrtar në maj 2025, duke marrë detyrën nga Carlo Ancelotti për një kontratë trevjeçare, duke shënuar një rikthim të madh si legjendë e klubit. Ai është paraqitur në fund të majit 2025 dhe ka filluar epokën e tij si trajner i parë i Real Madridit.
Ancelotti emërohet trajner i Brazilit
Carlo Ancelotti është emëruar trajner i përfaqësueses së Brazilit, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e tij të pasur, këtë herë në stolin e një kombëtareje. Për herë të parë tekniku italian ka pranuar sfidën për të drejtuar një ekip përfaqësues dhe jo çfarëdo, por pikërisht Brazilin, pesë herë kampion bote. Ancelotti ka firmosur kontratë deri në vitin 2026, që përfshin Kupën e Botës FIFA 2026, me opsion rinovimi deri më 2030.
Chelsea fiton Kupën e Botës për klube
Chelsea ka fituar Kupën e Botës për Klube, teksa ka triumfuar 3-0 ndaj PSG, në finalen e luajtur në MetLife Stadium. Në një finale ku taktika dhe efikasiteti bënë diferencën, Chelsea kishte kontrolluar zhvillimin e lojës që nga minuta e parë. Cole Palmer ishte ylli i takimit, duke shënuar dy herë në minutat e 22’ dhe 30’, duke çuar ekipin në avantazh, më pas kishte asistuar për golin e tretë. Joao Pedro e pati vulosur fitoren para pushimit me një finish artistik ndaj portierit Gianluigi Donnarumma.
Dominim total i PSG-së në çmimet individuale të vitit 2025
Sezoni futbollistik është mbyllur me një ceremoni prestigjioze çmimesh, ku protagonistët kryesorë të vitit janë shpërblyer për paraqitjet e tyre të jashtëzakonshme në skenën botërore. Ylli i PSG-së, Ousmane Dembele, është shpallur lojtari më i mirë në botë pas një sezoni brilant. Francezi ishte figura kyçe e skuadrës së tij, duke bërë diferencën si në kompeticionet vendase, po ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Në repartin defensiv vlerësimi më i lartë shkoi për Gianluigi Donnarumma, i cili është kurorëzuar portieri i vitit. Me pritje vendimtare dhe qetësi në momentet kyçe, italiani konfirmoi statusin e tij si një nga portierët më të mirë të brezit aktual. Ndërkohë, çmimi për trajnerin e vitit i është dhënë Luis Enrique, arkitektit të një sezoni të suksesshëm dhe futbollit modern. Nën drejtimin e tij, skuadra tregoi disiplinë taktike, intensitet dhe identitet të qartë loje, duke arritur rezultate madhore.
Mouriono merr drejtimin e Benficas
Një kapitull i ri është hapur në futbollin portugez, pasi Jose Mourinho është emëruar trajner i ri i Benficës, duke marrë zyrtarisht drejtimin e klubit nga kryeqyteti i Portugalisë. Mourinho, një nga trajnerët më të suksesshëm dhe më karizmatikë të futbollit modern, rikthehet në Portugali me ambicien për ta rikthyer Benficën në majat e futbollit evropian. I njohur për disiplinën taktike dhe mentalitetin fitues, “Special One” pritet ta sjellë përvojën e tij të pasur nga kampionatet më të forta të Evropës.
Ronaldo bëhet futbollisti i parë miliarder
Cristiano Ronaldo ka vazhduar të thyejë rekorde, duke u bërë lojtari i parë miliarder në futboll, sipas kompanisë së informacionit financiar dhe medias, Bloomberg. Indeksi i Miliarderëve në Bloomberg, që rendit njerëzit më të pasur në botë bazuar në pasurinë neto, ka matur pasurinë e sulmuesit 40-vjeçar të Portugalisë dhe Al-Nassrit për herë të parë. Vlerësimi merr parasysh të ardhurat e karrierës, investimet dhe kontratat e sponsorizimit dhe thotë se pasuria neto e Ronaldos është 1.4 miliard dollarë. Sipas Bloomberg, Ronaldo fitoi më shumë se 550 milionë dollarë nga pagat midis viteve 2002 dhe 2023. Kur Ronaldo u bashkua me Al-Nassrin në Arabinë Saudite në vitin 2022, ai thuhet se u bë lojtari më i paguar në historinë e futbollit me një pagë vjetore 200 milionë euro. Kontrata e tij duhej të përfundonte në qershor të vitit 2025, por së fundmi nënshkroi marrëveshje të re dyvjeçare – që thuhet se vlen më shumë se 400 milionë euro – e cila do ta mbajë atë në klub përtej ditëlindjes së tij të 42-të. Më herët këtë status Ronaldo e kishte marrë në renditjen e “Forbes”-it.
Jannik Sinner, fitues i Wimbledonit
Jannik Sinner është fituesi i Wimbledonit për vitin 2025. Numri një i botës kishte fituar me përmbysje 3-1 (4-6, 6-4, 6-4, 6-4) me sete kundër Carlos Alcaraz, duke ulur nga froni spanjollin i cili ka fituar dy herë këtë trofe dhe mban vendin 2 në botë.
Oklahoma City Thunder, kampione e NBA-së për vitin 2025
Oklahoma City Thunder ka shkruar historinë duke fituar për herë të parë titullin e kampionit të NBA-së si qytet pritës, pas një fitore të madhe ndaj Indiana Pacersit në ndeshjen e 7-të të finales me rezultat 103–91.
Ylli i skuadrës, Shai Gilgeous-Alexander, ishte lojtari më i mirë i takimit dhe ishte shpallur MVP i finales, duke shënuar 29 pikë dhe shpërndarë 12 asistime. Ai ishte gjithashtu MVP i sezonit të rregullt, duke u bërë lojtari i parë që e arrin këtë dyshe prestigjioze që nga LeBron James në vitin 2013.
Lando Norris, fitues i Formulës 1 për vitin 2025
Fitues i Formulës 1 për vitin 2025 (kampioni i botës në sezonin 2025) është Lando Norris nga McLaren. Ai fitoi Titullin e Botës në Pilotët më 7 dhjetor 2025 duke siguruar mjaft pikë në Abu Dhabi Grand Prix dhe u kurorëzua kampion bote për herë të parë në karrierë, me vetëm 2 pikë më shumë se Max Verstappeni në renditjen përfundimtare të pilotëve.
Anglia, fituese e UEFA Women’s Euro 2025
Kombëtarja e Anglisë ka fituar titullin e Kampionatit Evropian për femra duke mposhtur Spanjën në finalen e luajtur në Bazel. Rezultati në kohën shtesë ka përfunduar 1-1. Finalistja është vendosur pas penaltive ku Chloe Kelly ka shënuar penalltinë vendimtare.
9.76 miliardë u shpenzuan nga klubet për verën e vitit 2025
Merkatoja e verës 2025 hyri në histori. Klubet e futbollit në mbarë botën shpenzuan plot 9.76 miliardë dollarë për transferime ndërkombëtare, duke thyer çdo rekord të mëparshëm. Kjo shifër përfaqëson një rritje mbi 50 për qind krahasuar me verën e vitit 2024 dhe lë pas edhe rekordin e vitit 2023. Raporti zyrtar i FIFA-s tregon se Premierë Liga angleze mbetet liderja absolute, me klube që kanë investuar gjithsej 2.73 miliardë euro. Pas Anglisë vjen Gjermania (980 milionë euro), Italia (813 milionë) dhe Franca (625 milionë). Ndërkohë, Arabia Saudite ka rënë në vendin e gjashtë, pas shpërthimit të vitit 2023 kur ishte në vendin e dytë. Sipas FIFA-s, janë regjistruar mbi 12 mijë transferime ndërkombëtare vetëm gjatë dy muajve të fundit, një tjetër tregues i aktivitetit të jashtëzakonshëm në tregun e lojtarëve. /Epoka e re/



