‘Topi i Artë’ është arsyeja pse Lewandowski dëshiron të largohet nga Bayerni
30 prill 2022
| 14:00
E ardhmja e sulmuesit polak të Bayern Munchenit, Robert Lewandowski, do të jetë në një kampionat tjetër.
Në Spanjë e kanë shpjeguar vendimin e marrë nga sulmuesi. Sipas “Sport.es”, në fakt, mes arsyeve që duket se e kanë shtyrë Lewandowskin të largohet nga Bavaria është edhe përshtypja se nuk mund ta fitojë “Topin e Artë” duke qëndruar në Gjermani.
Media spanjolle ka nënvizuar se nëse do të hamendësohej një moment në të cilin polaku ka vendosur të largohet nga Bayerni, ai do të ishte dita kur nuk ka arritur ta fitojë “Topin e Artë” 2021, një çmim i fituar nga Lionel Messi.
33-vjeçari duket se është bindur se, përtej statistikave të tij dhe fitoreve me klubin, nuk do ta fitojë kurrë trofeun prestigjioz duke qëndruar me klubin e Bundesligas.



