‘Torcida’ kundërshton rikthimin e Drilon Hajrizit te Trepça

04 janar 2021 | 12:45

Ashtu si pritej, tifo-grupi mitrovicas, “Torcida” ka dalë me reagim pasi është konfirmuar se Drilon Hajrizi ka firmosur me Trepçën. Tifozët e grumbulluar në grupin “Torcida” përkrahin të gjitha klubet me emrin Trepça, ndërsa edhe më herët kishin kundërshtuar kthimin e Hajrizit te “xehetarët”.

Në vijë të njëjtë është edhe deklarata e fundit e “Torcidës”. Hajrizi ishte lojtar shumë i pëlqyer nga Torcida, në kohën kur udhëhiqte Trepçën drejt sukseseve. Por kalimi i tij te Prishtina, pas një periudhe të kaluar te Peja, e bëri atë të padëshiruar për “Torcidën”.

Në rrjete sociale ka pasur shumë që kanë përkrahur kthimin e Hajrizit, por zyrtarisht “Torcida” nuk e mirëpret atë.

“U mblodh kryesia e ‘Torcidës’ me liderët e nëngrupeve dhe unanimisht u votua kundër ardhjes së këtij lojtari. Nga sot e tutje do ta kundërshtojmë fuqishëm dhe nuk do të marrim përgjegjësi për gjërat që mund të ndodhin. Me shumë bujë të madhe e kemi pritur kryesinë e re dhe nga gjithë ai respekt që kishim për ta, më nuk do ta kenë”, thuhet në komunikatë të “Torcidës”.

Hajrizi ka bërë një kërkim falje në njoftimin për kthim në Mitrovicë. Ai së fundi luajti me shumë sukses për Pejën.

“Aq e zbehtë ishte kërkim-falja e tij saqë as kërkim-falje nuk ishte. Ti nuk na ke munguar asnjëherë, përkundrazi, ke qenë gjithmonë i padëshirueshëm në qytetin tonë dhe do të vazhdosh të jesh i tillë. Shihemi së shpejti. Lojtarët dhe kryesia shkojnë e vijnë, Trepça dhe ‘Torcida’ gjithmonë do të mbesin”, thuhet nga ky tifo-grup.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni legjendar i Sigal Prishtinës, Edomond Azemi në shtator mbushi…