
Trajneri gjerman largohet nga Lokomotiva Moskë: Nuk punoj në vendin e Putinit
Trajneri gjerman i Lokomotivës së Moskës, Markus Gisdol, ka dhënë dorëheqje nga detyra e trajnerit të ekipit të Lokomotivës së Moskës.
Fillimisht është thënë se arsyeja nuk kishte të bënte me çështje sportive, por vetë trajneri sqaroi për “Bild” se shkak ishte lufta që Rusia nisi në territorin e Ukrainës. Sipas Gisdol, i cili për herë të parë drejtonte një ekip jashtë vendit të tij, parimet që kishte binin ndesh me atë që po ndodh.
“Unë nuk mund të bëj punën time në një vend ku lideri i saj është përgjegjësi i një agresioni lufte në mes të Evropës. Kjo është kundër vlerave dhe më bën që të jap dorëheqje si trajner i Lokomotivës së Moskës me efekt të menjëhershëm. Nuk mund të qëndroja në qendrën stërvitore të Moskës, të stërvitja lojtarë dhe të bëja skema taktike ndërkohë që pak kilometra më tej jepen urdhra që të vuajë një popull i tërë. Ky është vendimi im personal dhe jam shumë i bindur për të”, është shprehur konkretisht Gisdol.