Trajtimi i indiferentizmit ndërnjerëzor përmes një poezie

18 nëntor 2025 | 08:18

Sadik Krasniqi

Poezia Kaftjalli e Preverit është tërësisht e zhveshur nga rekuizitat figurative dhe aq spontane në rrëfimin e idesë, e strukturuar në një monokolonësh, eventualisht në dy-tri fjalë për çdo varg. Po çfarë e bën këtë poezi kaq tërheqëse, që t´i qasesh në mënyrë të veçantë dhe kre­ative? Në mos të parët, shkrimtarët janë krijuesit që, në mënyrë të veçantë, hetojnë, gjegjësisht pasqyrojnë disa fenomene jetësore. Ata, edhe pse me veprat e tyre synojnë artistiken, gjithashtu zbërthejnë fenomene të fushave të ndryshme (filozofike, sociologjike, etike, psikologjike etj.), shpesh më mirë dhe më thellë sesa këto fenomene të zbërtheheshin me anë të mjeteve dhe metodave të tyre përkatëse. Në këtë mënyrë, Shekspiri pasqyron luftën, përkatësisht intrigën për marrjen e pushtetit te Hamleti; Balzaku trajton fenomenin e mospërfilljen fëmijë-prindër te Xha Gorioi; Oruelli trajton fenomenin e tretjes së qenies njerëzore si pasojë e mekanizmit ideologjik të supershtetit në romanin 1984; Elsa Triole i qaset trajtimit të mundësisë së skllavërimit dhe të tjetërsimit të njeriut nga pasioni për pasuri te Trëndafil me kredi; Markezi romanin e tij Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë e ndërton mbi fenomenin e vetmisë absolute. Ndërsa një fenomen tjetër të kohës, indiferentizmin ndërnjerëzor, si pasojë e dinamikës së jetës, do ta hetojë, gjegjësisht pasqyrojë, poeti i madh frëng Zhak Prever në një trajtë më të vogël letrare: në poezinë Kaftjalli.

Është thënë shumë herë se disa poezive të disa auto­rëve u kthehesh përherë dhe të bëjnë disi “rob” të rileximit të përhershëm të tyre. Kjo ndodh shpesh nga niveli i tyre i lartë artistik ose ngaqë përmbajnë ndonjë veçanti që përmbushin shijen artistike të përjetuesit. E tillë (që ia vlen t’i kthehesh përherë) është edhe poezia Kaftjalli e Zhak Preverit. Por këtë poezi (si shumë të tjera të këtij autori) nuk e shquan ndonjë figurshmëri e theksuar arti­stike, ndonjë stil i lartë apo ndonjë strukturë versifikative. Përkundrazi, si e tillë, është tërësisht e zhveshur nga reku­izitat figurative dhe aq spontane në rrëfimin e idesë, e strukturuar në një monokolonësh, eventualisht në dy-tri fjalë për çdo varg. Atëherë, çfarë e bën këtë poezi aq tër­heqëse, që t’i qasesh në mënyrë të veçantë dhe kreative? Kjo është një poezi për një fenomen: fenomenin e indi­ferentizmit ndërnjerëzor në njërën anë, si dhe prirja e poetit që këtë fenomen ta interpretojë aq bindshëm, saqë gjatë leximit kushtëzohet një përjetim i thellë i idesë së poe­zisë. Poezia fillon në mënyrë të rëndomtë, si nis dita në mëngjes. Andaj që në nisje atmosfera në këtë poezi është tmerrësisht e njëtrajtshme, monotone, e ftohtë, pa gjak, plot ironi, krejtësisht indiferente, pa intimitet afrie. Në poezi, si në jetë, ai tjetri karshi poetit-njeri, nuk bën asgjë, pos “qiti kafe / në filxhan, / qiti qumësht / në filxhanin e kafesë /, qiti sheqer / në kafe me qumësht”. Edhe pse ai/ajo është në praninë e njeriut (poetit), që ndien njerëzisht, vazhdon tmerrshëm me: lugën e vogël / e përzjeu. E ç’i mbetet atij përballë njeriut, pos që: “piu kafenë me qumësht / dhe la filxhanin…”. Çfarë tmerri, çfarë indife­rence ndërnjerëzore?!

Në këtë poezi-jetë (rastësisht, domosdoshmërisht) tako­hen e s’takohen dy veta (janë prezentë vetëm si dy qenie fizike); shihen e s’shihen; ndiejnë e s’ndiejnë asgjë për njëri-tjetrin si qenie humane (por jo edhe si poetë). Ata, edhe pse rrinë afër (vetëm fizikisht), kurrë nuk bëjnë dy e as një të përbashkët, por gjithmonë do të mbeten si një dhe të vetmuar…

E gjithë këtë ekuacion të raportit shpirtëror e bën tjetri në prani të poetit, akëcili qoftë ai, mik apo i afërt i poetit, gjegjësisht i njeriut, me një indiferencë gati inorganike. Poeti (vetëm duke qenë i tillë) e ndien shpirtërisht këtë situatë, kështu që arrin ta inkuadrojë veten në këtë ftoh­tësi, me një përjetim shokues, duke lëshuar pasthirrmën: “Pa folur me mua”. Mu këtu ndodh edhe tragjikja, me praninë e poetit si qenie e ndjeshme dhe fisnike përballë një qenieje tjetër universale indiferente. E ai (ajo) prapë me atë ftohtësi:

“Ndezi një cigare /bëri rrathë / me tymin e saj”.

Mbase këto vargje paraqesin (rrathët e tymit) trysni mendimi me dozë arrogance. Madje, të gjitha këto bëhen vetëm hi, se ajo “shkundi hirin / në taketuke”, e heroi klithi: “Pa folur me mua / pa më shikuar”. Këtë indiferencë ndër­njerëzore padyshim e kushtëzon dinamika e jetës, ku çdo gjë duhet të bëhet shpejt, sepse jeta është shumë kom­plekse dhe, duke qenë e tillë, njeriu është bërë rob i meka­nizmit të saj. Si rezultat i saj, njeriu tjetërsohet, dehuma­nizohet, humb përafërsinë, intimitetin, bëhet boshllëk ndijimesh dhe, si i tillë, duhet të ketë kohë për çdo gjë, por jo edhe t’i kthehet vetes-njerëzores.

Njeriut, si qenie e programuar dhe e instrumentalizuar nga ingranazhi i jetës, vërehen vetëm veprimet fizike: “U ngrit / vuri / kapelën në kokë / veshi / mantelin e shiut / sepse binte shi / dhe u nis / nëpër shi / pa një fjalë / pa më shikuar”… Një mospërfillje e tillë në poezi dhe në jetë poeti e përjeton rëndë, kështu që idenë e poezisë e përmbyll në një çast dhe akt afër çmendjes, që manifesto­het me një klithmë në shenjë proteste të heroit lirik të kësaj poezie: “E unë / Kapa kokë në duar / Dhe qava”.

Mendojmë se fenomene të tilla, që pasqyrohen për­mes veprave letrare, nuk janë studiuar sa duhet dhe, si të tilla, janë problematika të hapura për kritikë, por me një qasje më tepër se vetëm letrare.

KAFTJALLI*

Qiti kafe

Në filxhan

Qiti qumësht

Në filxhanin e kafesë

Qiti sheqer

Në kafe me qumësht

Me lugën e vogël

E përzjeu

Piu kafenë me qumësht

Dhe e la filxhanin

Pa folur me mua

Ndezi

Një cigare

Bëri rrathë

Me tymin e saj

Shkundi hirin

Në taketuke

Pa folur me mua

Pa më shikuar

U ngrit

Vuri

Kapelën në kokë

Veshi

Mantelin e shiut

Sepse binte shi

Dhe u nis

Nëpër shi

Pa një fjalë

Pa më shikuar

E unë, unë kapa

Kokën me duar

Dhe qava.

 

*Poezia është marrë nga libri “Diell nate”, përkthyer nga Rexhep Ismaili.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në secilin prej tre dimrave të fundit, Maria Morozova, bashkëshorti…