Transferimi nga Dubrava për në burgun e Lipjanit për ne ishte vazhdim i tragjedisë

23 qershor 2023 | 12:37

Pasi mora lajmin e burgosjes së ish-gardianit serb, i cili, bashkë me kolegë, kishte maltretuar dhe dhunuar fizikisht të burgosurit shqiptarë në burgun e Lipjanit, m’u kthye kujtesa tek ajo kohë kur edhe unë si shumë shqiptarë isha aty – në burg.

Ishte data 23 maj 1999. Rreth mesditës morëm njoftimin se të nesërmen nga Dubrava do të na transferonin në burgjet e Serbisë, kinse, për arsye të sigurisë dhe kushteve higjienike. Kështu na thoshin drejtuesit e burgut. Më 24 maj, në mëngjes, kanë hyrë gardianët në oborrin e burgut dhe me altoparlantë na thirrën të bëheshim gati dhe të dilnim jashtë nga pavijonet në të cilët ishim duke fjetur. Dolëm jashtë dhe me vete i morëm gjësendet e pakta që i kishim. U bëmë rresht për dy dhe na nxorën jashtë burgut përmes dyerve të mëdha të hyrjes. Në dalje të burgut na urdhëruan të lëshonim në tokë çdo gjë që kishim, përpos rrobave të veshura. Pakot dhe qeset, në të cilat i kishim futur rrobat rezervë, i lëshuam në tokë. Aty afër nesh i kishin vrarë rreth 20 të burgosur shqiptarë dhe i kishin tubuar në një vend.

Pas urdhrit që të nguteshim për të hipur në autobusë, në oborr pamë edhe shumë forca ushtarake dhe policore serbe, bunkerë dhe istikame për t’u mbrojtur nga sulmet. Prej aty kishte dalë edhe Ukshin Hoti nëntë ditë më parë dhe ai, ashtu si ne, sigurisht e kishte parë gjithë atë ushtri dhe polici. Me siguri e ka ditur se fat i zi po i priste shokët që i kishte lënë në burg.
Ne vrap, me duar të zgjidhura, hipëm në autobus dhe u ulëm në ulëse, me kokë poshtë. Në autobus ishte vetëm shoferi me uniformë policie që afër vetes mbante një automatik.

U nisën autobusët me ne si dhe kamionët me të plagosur. Në mes të çdo autobusi një mjet ushtarak. Në hyrje të Istogut, afër një shkolle, u ndalën të gjithë autobusët. Në çdo autobus erdhën nga dy gardianë apo policë dhe na i shkruan emrat në fletore. Më pas autobusët u nisën dhe morën drejtim kah Klina. Gjatë gjithë rrugës i shikonim fshatrat e djegura dhe punktet përplot policë dhe ushtarë. Kur mbërritëm në fshatin Kijevë, afër shkollës së mesme, u dëgjuan avionët e NATO-s që fluturonin mbi ne. Shoferi e ndali autobusin dhe iku nëpër fusha. Edhe shoferët e tjerë të autobusëve vepruan si ai. U fshehën në grunaja e ne mbetëm në autobusë. Pas disa minutave erdhën shoferët dhe i nisën autobusët. Mbërritëm në Llozicë. Ura ishte dëmtuar nga aeroplanët e NATO-s, e autobusët kaluan në pjesën e djathtë të saj, nëpër rrugë qorre. Nuk e kishim idenë se ku po na dërgonin. Më pas, në fshatin Miradi, autobusët u futën prapë nëpër një rrugë dytësore dhe mbërritëm në Lipjan. Te burgu i Lipjanit u ndalën autobusët dhe ne filluam të zbritnim. Çfarë të shihnim. Kishin dalë shumë gardianë para. Ishte bërë një kordon i “mikpritjes” prej tyre. Filluan të na futin nëpër dhoma të pavijoneve të burgut. Të gjithë ishim të rraskapitur, të lodhur, kishte shumë edhe të plagosur, pa bukë e pa ujë për disa ditë me radhë, por dhe të pluhurosur, sepse flinim në oborr të Dubravës.

Mua dhe një shokun tim na urdhëruan të hynim në njërin pavijon. Derisa hymë në dhomë, përmes kordonit të gardianëve, na rrahën me sa fuqi që kishin. Pasi hymë në pavijon, na urdhëruan të ktheheshim pas, sepse dhomat ishin mbushur dhe duhet të ndërronim pavijon. Edhe kur u kthyem në të njëjtin korridor, na rrahën gardianët. Dolëm jashtë dhe prisnim se në cilin pavijon do të na dërgonin. Njëri nga gardianët më hoqi nga rreshti për arsye që, sipas tij, rrobat e mia ishin me shumë pluhur, dhe filloi të më rrahë prapë derisa ma hoqi pluhurin nga trupi dhe derisa e humba vetëdijen nga rrahjet. Kur më erdhi vetëdija, e pashë veten në një dhomë. Në të më mbajtën deri më 10 qershor 1999, pastaj mua dhe shokët e burgut na dërguan në burgjet e Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka pritur në…