
Tre lugetër para varrit të Adem Demaçit
Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Nuk ka turp pa adresë: Njeri si Bacë Adem Demaçi nuk i përkasin vetëm kohës kur ka jetuar , nuk i përkasin vetëm popullit që i kanë takuar; janë vlera, ndërgjegjja e tërë njerëzimit. Liria nuk është diçka që i takon vetëm një individi, vetëm një kombi por mbarë njerëzimit. Nga përkushtimi për të qenë i lirë, për ta mohuar robërinë, kryesisht fizike përmes sakrificës së përhershme, të përjetshme lindin personalitete që i japin kuptim dinjitetit kolektiv duke mohuar vuajtjet personale. Nuk ka shumë personalitete të tilla në botë që mbijetojnë kohën që matet me dekada dhe shekuj e që janë hiçgjë krahasuar me përjetësisë për të cilën nuk ka njësi matëse kohore. Njëri ndër margaritarët e angazhimit për liri gjatë tërë jetës së tij ishte Baca Adem Demaçi, për shokët, miqtë, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët në Rrugën e Golgotës për shqiptarët e robëruar dhe thjesht Adem Demaçi si një emër abstrakt për mohuesit, dhunuesit dhe robëruesit e shqiptarëve dhe të vet atyre. Baca Adem Demaçi nuk kishte llogari matëse për jetëgjatësinë e tij sepse nuk bënte llogari sa do të jetojë dhe si do të jetojë, por çka dhe sa do të bënte për popullin që e lindi dhe njerëzimin e robëruar që iu bë djep, shtrat dhe piedestal për së gjalli dhe amshim pasi u transformua nga fizikja në shpirtërore më 26 korrik 2018.
Herkuli ishte mit, Titani ishte mit, Goliati ishte gjithashtu mit, Baca Adem Demaçi ishte realitet, ishte përfytyrim i lirisë për dikë të mohuar, për tjetrin të sajuar. Të tillët nuk i duron koha e trutharëve, tyxharëve, qyqarëve, zuzarëve dhe tradhtarëve që ishin ushtarë të robërisë, të Jugosllavisë dhe Serbisë, deri dje kurse sot të Çetës së Injorantëve, pushtet dhe jopushtet, lehtësisht të identifikueshëm në ligatinën antikombëtare. Të tillët e madhëruan Bacën Adem Demaçi, deri erdhën në pushtet, e sulmuan dhe e harruan kur shtetin e bënë pushtet! U munduan ta ndërrojnë adresën e turpit duke vendosur maska për vete dhe duke çjerrë maska që në të vërtetë ishin pafytyra të identifikueshme, me emër dhe mbiemër, adresë banimi dhe adresë mohimi.
Po Baca, ç’bëri?: Asgjë përveç se u bë pengesë e pakapërcyeshme për të uriturit e pangopshëm për pushtet të cilët nuk kishin bërë asgjë për shtet , personalisht dhe familjarisht. Kur ishte në pyetje interesi njerëzor, kombëtar dhe shtetëror Baca u bë me të gjithë dhe kundër të gjithëve, shtrojë dhe mbulojë, cak për gjuajtje dhe pushkatim publik, arsyetues i horrave , shkaktues i plagëve dhe mbulues i vrragëve. Jashtë çdo mase ka duruar, asnjëherë i nënshtruar. U akuzua se është komunist, enverist, maoist, leninist, stalinist dhe titist nga ata që ishin jarga e tyre, pështyma e tyre, zorrë e trashë e tyre dhe kanalizim i tyre, dikur në pushtet, sot në “pushtet”. Nga përkufizimi i vërtetë dhe i drejtë Baca Adem Demaçi ishte njeri i lirë i botës dhe rob i popullit që i takoi. Ideologjia e tij politike ishte kombëtarja dhe vetëm kombëtarja. Baca kurrë nuk i ka kënduar as Enverit e as Beterit, as Partisë së Punës dhe Nënës Parti, por i ka kënduar Dedë Gjo Lulit , Mehmet Shpendit, Kamer Loshit dhe Nënës Shqipëri, me Kosovë dhe Çamëri!
Po shqiptarët dhe “shqiptarët”: Askush nuk është sulmuar dhe mohuar më shumë se Baca Adem Demaçi, sa ishte në “liri” dhe sa ishte në robëri. E pushkatuan publikisht Marku, jo Kraleviqi por Krasniqi , Ismajli, jo Kosumi, por Kadare, Vetoni, jo Firzi, por Surroi. E përdornin për të ardhur në pushtet duke e penguar pozita në shtet, as president, as kryekuvendar, as KM, as ministër e as deputet. Në mesin e iskariotëve refuzues dhe pengues ishte vet Juda- Albin Kurthi për të cilin Baca bëri më shumë se për të gjithë të tjerët. Pak shokë i mbetën Bacës afër kur pasuli hahej me kokrra, kur vdekja ishte në vend të këmishës, sidomos kur u prekë nga sëmundja. Ia improvizuan funeralin dhe varrimin sikur varrimi i Mocartit , sikur ta bënin shërbimet sociale. Edhe në ato çaste përfitues me anatomi njerëzore e instikt të hienave donin ta nduknin lavdinë e tij për ta mbuluar palavdinë e tyre. Vizitat e bartësve të posteve institucionale te Vendi i Përjetësisë së Bacës nuk ishin shprehje e respektit ndaj jetës dhe veprës së Bacë Adem Demaçit, por materializim i përfitimeve politike të kushtëzuar; unë vijë te Rugova, t’i vjen te Adem Demaçi, një udhë e dy punë, në fund të fundit Baca dhe Rugova janë afër. Kjo, në fakt është mungesë e respektit, pafytyrësi dhe imoralitet, perversitet dhe sadizëm.
Vizita e fundit e trojkës antidemaçiane; Albin Kurthi, Xhelal Sveçla dhe Marimanga e Zezë – Donika Shvarc paraqet shkelje të rëndë të parimit moral minimal për ata që e kanë ndjenjën e turpit dhe të përgjegjësisë. Për respekt as që bëhet fjalë. Nëse Albin Kurthit i ka mbetur një milimetër fytyrë që e arsyeton vizitën e Vendit të Përjetësisë së Bacës Adem Demaçi, me çfarë të drejtë ishte aty Xhelal Sveçla e sidomos Marimanga e Zezë – Donika Shvarc. Nëse e keni ruajtur fytyrën reale anatomike, nuk mund të shkoni te Baca Adem Demaçi kur e keni sulmuar UÇK-në, kur i përndiqni të burgosurit politikë, kur bëheni miq të Gjykatës Raciste Speciale kundër udhëheqësve të UÇK -së, kur ua dhunoni të drejtat veteranëve dhe invalidëve të luftës, kur dërgoni “dëshmi” dhe dëshmitarë te kjo gjykatë dhe shumë kur të tjera. Nëse i dhunoni të gjallët që janë me Bacën, për së gjalli dhe kur është në amshim, mos i trazoni varret e shenjta për ne, kalkuluese për juve që asgjë nuk bëtë për lirinë, kombin dhe shtetin. Nuk ka gjë më poshtëruese se kur Marimanga e Zezë- Donika Shvarc shkon te Vendamshimi i Bacë Adem Demaçi. A e kemi merituar këtë?