Trepça triumfon në super ndeshjen ndaj Prizrenit 16

19 shtator 2021 | 22:10

Trepça ka shënuar fitore kundër Prizrenit 16 me rezultat 97:90 (31:23, 18:26, 31:18, 17:23), në kuadër të javës së dytë të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.

Takimi u karakterizua me shumë kthesa dhe dramë deri në fund, ku mitrovicasit shënuan fitoren e dytë nga dy ndeshje, kurse prizrenasit kanë një fitore dhe një humbje.

Vendasit e nisën furishëm sfidën me një seri të jashtëzakonshme prej 19:2, ndërsa më pas mysafirët arritën të ngushtojnë shifrat, ku çereku i parë përfundon 31:23. Prizrenasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, me një seri të suksesshme prej 4:17, duke kaluar në epërsi 35:40, e më pas u zhvillua një lojë e baraspeshuar, ku pjesa e parë përfundon 49:49.

Mitrovicasit u shkëputën sërish në periodën e tretë, duke pasur epërsi deri në 14 pikë, 76:62, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 80:67.

10 minutat e fundit ishin shumë interesant dhe dramatik. Basketbollistët nga Prizreni nuk dorëzohen dhe shkrijnë epërsinë, madje, duke kaluar në epërsi 86:87, por në çastet e fundit, Trepça u tregua më e kujdesshme duke fituar 97:90.

Te Trepça u dalluan Drilon Hajrizi me 22 pikë, 9 kërcime e 6 asistime, Gerald Blackshear me 15 pikë e 10 kërcime, Taurus Ramon Cockfield me 17 pikë, 6 kërcime e 8 asistime, Amin Hot me 11 pikë, 7 kërcime dhe 6 asistime dhe Samir Zekiqi me 20 pikë, ndërsa te Prizreni 16 u dalluan Ivan Koljeviq me 25 pikë, 8 kërcime e 9 asistime, Courtney Fells me 29 pikë e 7 kërcime dhe Urim Zenelaj me 14 pikë e 12 kërcime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në emisionin Kojshia Show, i cili transmetohet në RTK, ketë…