Tri pika derivatesh dënohen për mosrespektim të çmimit

28 qershor 2022 | 21:26

Inspektorati i Tregut ka inspektuar të martën furrat e bukës, me qëllim të verifikimit të çmimeve të këtij produkti esencial ushqimor.

Teksa është bërë verifikimi i çmimeve, i deklaracionit dhe i peshës së bukës, është njoftuar se ka ngritje të çmimit të bukës nga 50 në 60 centë.

“Inspektorët e tregut kanë kërkuar dokumentacionin e nevojshëm për të vlerësuar nëse ngritja është si pasojë e ngritjes së çmimeve të produkteve të tjera si miell, vaj etj, është ngritje artificiale apo të pajustifikueshme. Pas vlerësimit do të merren masa në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Inspektime gjatë së martës janë kryer edhe në 22 pika të karburantit, në tri prej të cilave është parë mosrespektim i përcaktimit të çmimeve dhe ndaj të njëjtëve do të merren masa ndëshkuese në pajtim me ligjin.

MINT-i ka paralajmëruar se inspektimet do të vazhdojnë çdo ditë në gjithë vendin, teksa masa ndëshkuese do të ketë në secilin vend ku konstatohen shkelje.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moti në dy ditët e ardhshme do të jetë me…