Tri vjet pritje, Shaqiri merr leje nga gjykata për ndërtimin e shtëpisë 3-milionëshe në Zvicër

04 nëntor 2025 | 13:57

Pas më shumë se tre vitesh përplasje ligjore, Xherdan Shaqiri ka marrë më në fund lejen për të ndërtuar vilën e tij luksoze në Rheinfelden, në kantonin e Aargaut.

Vendimi përfundimtar u mor nga Gjykata Administrative e Aargaut, e cila i dha dritën jeshile projektit pas ndërhyrjes së Gjykatës Federale Zvicerane.

Në gusht të vitit 2022, ylli i Baselit kishte marrë fillimisht lejen për ndërtimin e vilës, e cila vlerësohet në rreth 3 milionë franga zvicerane, por kundërshtimet e disa fqinjëve e kishin bllokuar projektin.

Në janar të vitit 2024, Gjykata Administrative ia kishte revokuar lejen e ndërtimit, duke detyruar Shaqirin ta çojë çështjen në Gjykatën Federale.

Në pranverë, gjykata më e lartë e vendit e rrëzoi këtë vendim, duke e cilësuar si të pabazuar dhe duke kërkuar rishqyrtim të çështjes.

Tani, gjykata e Aargaut ka miratuar projektin, por me disa kushte, ndër to, detyrimi për të vendosur perde në dritare për të reduktuar ndotjen e dritës për banorët gjatë natës.

Edhe pse fqinjët fituan këtë detaj të vogël, ata konsiderohen pala humbëse, pasi janë urdhëruar të paguajnë 7 777 franga për shpenzime gjyqësore, si dhe 6 600 franga Shaqirit dhe 4,125 franga komunës së Rheinfeldenit si kompensim.

Shaqiri, që u rikthye te Baseli në verën e vitit 2024, ka shkëlqyer që në sezonin e parë duke fituar dopietën kombëtare të trofeve.

Ai synon ta përsërisë këtë sukses edhe këtë edicion, ndërsa me klubin bazeler është aktiv në Ligën e Evropës ku të enjtën i pret sfida me FCSB. /Telegrafi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Kosovës në futboll për femra ka mësuar kundërshtarët…