
Trump deklarohet i pafajshëm për akuzat e 6 Janarit
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është deklaruar i pafajshëm për akuzat se ka gënjyer me vetëdije dhe në mënyrë të përsëritur në përpjekje për ta përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Trump akuzohet për katër pika, ku përfshihet komplot për të mashtruar SHBA-në, komplot për të penguar një procedurë zyrtare, pengimi i një procedimi zyrtar, si dhe komplot kundër të drejtave të qytetarëve, raporton BBC, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Pika e parë i referohet përpjekjeve të supozuara për të penguar mbledhjen, numërimin dhe certifikimin e votave.
E dyta dhe e treta kanë të bëjnë me përpjekjet e supozuara për të penguar certifikimin e votave të kolegjit zgjedhor në Kongresin e SHBA më 6 janar 2021, të cilat kulmuan në trazirat e Kapitolit.
Akuza e katërt ka të bëjë me tentativat e pretenduara për të ndërhyrë në të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe për t’u numëruar votat e tyre.