Trump padit “New York Times”

28 shkurt 2020 | 14:19

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur që të padisë për shpifje gazetën “New York Times” pas publikimit të artikullit ku thuhej se Rusia po ndërhyn sërish në zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen në nëntor.

Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, qëllimi i kësaj padie është që “New York Times” ka gabuar shumë herë në këto vitet e fundit dhe tashmë do t’i hapë rrugë gjykatës për të vendosur për vërtetësinë e lajmeve që e përditshmja ka publikuar, kryesisht në lidhje me Rusinë dhe ndërhyrjen në zgjedhjet e shkuara presidenciale.

Edhe më herët, Trump ka deklaruar se kjo gjë po bëhet me qëllim rrëzimin e tij nga pushteti. Teksa presidenti amerikan vijon garën e tij për një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë, drejtuesit e fushatës së Trump kanë depozituar në gjykatën e New York padinë.

Po ashtu edhe disa ditë më parë inteligjenca amerikane paralajmëroi se Rusia po përpiqet të ndërhyjë sërish në zgjedhjet presidenciale në nëntor ashtu siç bëri edhe në 2016.

Paralajmërimet për ndërhyrje të mundshme të Rusisë erdhën disa muaj më parë por për Presidentin amerikan pretendimet janë të pabaza. Analistët paralajmërojnë se rusët nuk i kanë ndalur kurrë përpjekjet për të ndërhyrë dhe ndikuar në politikën amerikane.

Sipas tyre, ata mund të përdorin të gjitha rrjetet sociale kryesisht “Facebook”-un, në mënyrë që të përhapin lloj-lloj informacionesh, ku të nxisin njerëzit për të mbështetur Trump dhe të kundërshtojnë të tjerët.

Fundjavën e kaluar edhe “Uashington Post” publikoi një artikull se zyrtarët rusë po përpiqen të lidhin kontakte edhe me stafin elektoral të Berni Sandersit. Sipas burimeve të kësaj të përditshmeje, Rusia kërkon t`a ndihmojë Sandersin në fushatën elektorale.

Sanders pranoi se ishte në dijeni të përpjekjeve ruse, por refuzoi se ka marrë ndihmë nga Rusia dhe e cilësoi kreun e Kremlinit si një bandit dhe autocrat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të themelohet grupi…