 
                    Trump paditet lidhur me rastin e dokumenteve të klasifikuara
                09 qershor 2023
                |  08:32
            
        Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është paditur për mënyrën se si i ka menaxhuar dokumentet e klasifikuara, pasi është larguar nga Shtëpia e Bardhë.
Trump, 76-vjeçar, përballet me shtatë akuza, përfshirë mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara, kanë thënë mediat amerikane.
Padia ndaj tij nuk është bërë ende publike.
Kjo është padia e dytë që rëndon ndaj Trumpit, dhe e para padi federale ndonjëherë për ish-president të ShBA-së.
Aktualisht Trump është duke bërë fushatë me synimin për të fituar edhe një mandat presidencial në Shtëpinë e Bardhë.
Ekspertë ligjorë besojnë se padia nuk do ta kufizojë mundësinë e Trumpit për të garuar sërish për president.
 
                        


 
                                         
                                         
                                         
                                         
                                         
                                        