Trump thotë se incidenti me të shtëna në Uashington s’do ta ndalojë nga fitimi i luftës me Iranin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se një incident me të shtëna në një ngjarje në Uashington, ku ai po merrte pjesë, nuk do ta ndalojë atë nga fitimi i luftës me Iranin, megjithëse shtoi se nuk beson se incidenti lidhet me konfliktin në Lindjen e Mesme.
“Nuk do të më ndalojë nga fitimi i luftës në Iran”, tha Trump në një konferencë për shtyp natën e 25 prillit, rreth 40 minuta pas të shtënave me armë zjarri në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në një hotel në Uashington.
“Nuk e di nëse kishte ndonjë lidhje me këtë. Sinqerisht, nuk besoj, bazuar në atë që dimë”, tha Trump.
Trump, nënpresidenti JD Vance dhe disa drejtues të kabinetit dhe zyrtarë të tjerë u larguan me shpejtësi nga agjentët e shërbimit sekret pasi u dëgjuan të shtëna pranë një pike kontrolli jashtë sallës ku Trump po përgatitej të mbante fjalim.
Zyrtarët thanë se motivet e të dyshuarit nuk dihen ende. I dyshuari u arrestua dhe ndaj tij pritet të ngrihet aktakuzë më 27 prill.
Ndërkohë, Trump e anuloi të shtunën një udhëtim të planifikuar për në Pakistan nga i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, për bisedime me Iranin për arritjen e paqes.
“Thjesht e anulova udhëtimin e përfaqësuesve të mi që do të shkonin në Islamabad, Pakistan, për t’u takuar me iranianët”, tha Trump të shtunën mbrëma.
“Shumë kohë e humbur nëpër udhëtime, shumë punë! Përveç kësaj, ka përçarje të mëdha dhe hutim brenda ‘udhëheqjes’ së tyre”, tha Trump.
Më pas, Trump u citua nga Axios duke thënë në një intervistë të shkurtër se anulimi i udhëtimit nuk do të thotë automatikisht rifillim i luftës me Iranin.



