
Trumpi bën thirrje për ndalje të menjëhershme të luftës në Ukrainë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të fortë duke kërkuar që lufta në mes të Rusisë dhe Ukrainës të ndalet menjëherë në vijat aktuale të frontit.
Ai ka sugjeruar që palët të kthehen në shtëpi dhe të mos vazhdojnë me përplasjet ushtarake, ndërsa çështjet territoriale të diskutohen në një moment të dytë, shkruan “Aljazeera”.
“Duhet të ndalet tani, në vijat e betejës. Të shkojnë në shtëpi, të ndalojnë vrasjet dhe ta mbyllin këtë punë”, ka thënë Trump të dielën vonë, duke folur për mediet amerikane.
Nëse propozimi i Trumpit pranohet, kjo do të thotë që Rusia do të mbajë nën kontroll pjesë të mëdha të territorit ukrainas, përfshirë pjesën më të madhe të rajonit të Donbasit, një zonë industriale ku janë zhvilluar luftimet më të ashpra.
Muaj më parë, presidenti amerikan ishte shprehur se Ukraina mund ta fitonte luftën dhe të rimerrte të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia, përfshirë edhe Krimenë. Por, deklaratat e fundit duken si një ndryshim i qasjes së tij, duke dhënë prioritet ndalimit të luftës mbi zgjidhjen e menjëhershme territoriale.
Trumpi pritet të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, në Hungari javët e ardhshme. Ndërkohë, javën e kaluar ai ka pritur në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Trumpi është shprehur se konflikti mund të përfundojë shpejt nëse të dyja palët tregojnë fleksibilitet.