Trumpi fton Putinin në Uashington

20 korrik 2018 | 10:45

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, ka bërë me dije se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka urdhëruar zyrtarët të ftojnë presidentin rus, Vladimir Putin, në Uashington.

Në një postim në llogarinë e vet në “Twitter”, Sanders ka shkruar se Trumpi ka urdhëruar këshilltarin e sigurisë kombëtare, John Bolton, ta bëjë ftesën për në vjeshtë.

Lajmi vjen pak ditë pas samitit të parë Trump-Putin, i cili është zhvilluar më 16 korrik, në Helsinki të Finlandës, e që ka shkaktuar zemërim në ShBA për shkak të dështimit të Trumpit për t’iu kundërvënë publikisht Putinit, për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale në ShBA, më 2016.

Ligjvënësit amerikanë dhe zyrtarët e tjerë po ashtu nuk janë informuar ende se për çfarë kanë diskutuar Trumpi dhe Putini në takimin privat, me vetëm praninë e përkthyesve.

Madje, edhe drejtori i inteligjencës kombëtare i Trumpit, Dan Coats, ka thënë se nuk e di se çfarë ka ndodhur në Helsinki.

Ftesa e planifikuar për në Uashington pritet të shihet si fitore nga Putini, i cili vizitën e fundit zyrtare në SHBA e ka realizuar në korrik të vitit 2007.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit…