Trumpi mban ngjarjen e parë publike që prej se u infektua me koronavirus

11 tetor 2020 | 12:20

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka mbajtur ngjarjen e parë publike që prej se është infektuar me koronavirus dhe u ka thënë mbështetësve të tij në Shtëpinë e Bardhë se ai po ndihet “shumë mirë”.

Trumpi ka folur me dhjetëra-qindra mbështetës, kryesisht hispanikë dhe afrikano-amerikan nga një ballkon në Shtëpinë e Bardhë më 10 tetor, një ngjarje që u quajt “protestë paqësore për rendin dhe ligjin”, por që kishte të gjitha tiparet e një tubimi zgjedhor.

Presidenti, i cili nuk po barte maskë fytyre, mbajti një fjalim të shkurtër, duke sulmuar rivalin e tij demokrat, Joe Biden dhe duke vlerësuar punën e forcave të rendit dhe duke përmendur arritjet e administratës së tij. Mbështetësit e tij, që morën pjesë në këtë ngjarje, mbanin maska, por nuk kishte distancë fizike mes tyre.

Trumpi po ashtu ka deklaruar se pandemia po “zhdukej” edhe pse ai dhe dhjetëra zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë janë infektuar me koronavirus.

Mbi 213 mijë amerikanë kanë vdekur nga Covid-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi.

“Ne po prodhojmë terapi të fuqishme dhe hapa, ne po i shërojmë të sëmurët dhe ne do të shëroheni si dhe vaksina do të vijë shumë shpejt, në një kohë rekorde”, ka thënë Trumpi.

Presidenti Trump ka thënë se mezi po pret që t’i rikthehet tubimeve zgjedhore për zgjedhjet e 3 nëntorit, ku sipas sondazheve, kundërkandidati i tij demokrat, Joe Biden po udhëheq me dhjetë pikë.

Biden, mbështetësit e së cilit mbajnë maska dhe respektojnë distancën fizike në tubimet zgjedhore, e ka cilësuar Trumpin si “të papërgjegjshëm” për mbajtjen e tubimeve zgjedhore.

I pyetur për këtë gjë teksa po qëndronte në Delauer, Biden tha se shpreson që Trumpi dhe mbështetësit e tij po marrin masat e duhura mbrojtëse.

Administrata e Trumpit po përballet me kritika për mënyrën e menaxhimit të pandemisë, por edhe për qasjen e tyre ndaj mbajtjes së maskave dhe distancës fizike në Shtëpinë e Bardhë.

Më 10 tetor, doktori i Trumpit ka thënë se president më nuk ka rrezik që ta transmetojë virusin.

Testet që i janë kryer presidentit, sipas doktorit Sean Conley, nuk kanë treguar “të dhëna se virusi po shumohet në mënyrë aktive”.

Kritikët e kanë akuzuar doktorin e presidentit se ai nuk po është transparent me publikun sa i përket gjendjes shëndetësore të presidentit.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, një person i infektuar me koronavirus duhet të pres të paktën dhjetë ditë, që nga shfaqja e parë e simptomave, që të përfundojë karantinën. Sipas doktorëve të Trumpit, presidenti ka pasur simptomat e para të COVID-19 më 1 tetor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në këtë situatë ku bota po shkon drejt një përshkallëzimi…