Trumpi nuk pret të merret në pyetje për çështjen ruse

11 janar 2018 | 11:23

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se “nuk ka të ngjarë” se do t’i kërkohet të japë dëshmi para këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, në lidhje me ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, dhe në lidhje me bashkëpunimin e dyshuar të fshehtë midis bashkëpunëtorëve të tij dhe zyrtarëve rusë.

Duke folur në një konferencë për gazetarët në Uashington, së bashku me kryeministren e Norvegjisë, Erna Solberg, Trumpi ka përsëritur se nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së tij dhe Rusisë.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por duket se nuk ka të ngjarë se do të ketë ndonjë intervistë (v.j. me mua)”, ka thënë Trumpi.

Komentet e tij vijnë pasi mediet amerikane kanë raportuar se Mueller ka informuar Shtëpinë e Bardhë se ai mund të kërkojë të intervistojë Trumpin, në kuadër të hetimeve të tij.

Duke cituar njerëz të afër me çështjen, mediet kanë raportuar më 8 janar se ekipi hetues i Muellerit i ka informuar avokatët e Trumpit se intervista mund të kërkohet shpejt, porse nuk është caktuar datë dhe nuk janë bërë aranzhime për takimin.

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë konstatuar se Rusia ka bërë përpjekje të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale në SHBA për të ndihmuar republikanin Donald Trump dhe për të dëmtuar rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton.

Muelleri dhe së paku tre komitete të Kongresit janë duke hetuar ndarazi përfshirjen ruse në procesin zgjedhor.

Kremlini i ka mohuar akuzat, ndërsa Trumpi vazhdimisht ka përsëritur se ekipi i tij nuk ka bashkëpunuar me ndonjë përpjekje të rusëve.Në konferencën e fundit, Trumpi po ashtu ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund të kthehen në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, përkatësisht për frenimin e ngrohjes globale, nga e cila presidenti amerikan është tërhequr në muajin qershor.

“Sinqerisht, është një marrëveshje me të cilën nuk kam problem. Unë kam problem me marrëveshjen që ata kanë nënshkruar, sepse, si zakonisht, ata kanë bërë marrëveshje të këqija. Pra, në mund të kthehemi”, ka thënë Trumpi, raporton “Rel”.

Marrëveshja për Klimën është nënshkruar në vitin 2015 nga administrata e atëhershme e presidentit Barack Obama.

Kryeministrja e Norvegjisë, Solberg, ka thënë se vendi i saj mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes dhe se ajo beson se fokusi në ekonominë e gjelbër mund të çojë në mundësi të mëdha investimi.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KF Liria të mërkurën në stadiumin “Përparim Thaçi” ka nisur…