Trumpi thotë se ShBA-ja po e shqyrton seriozisht daljen nga NATO: Është tigër prej letre
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka thënë se është duke e shqyrtuar seriozisht nxjerrjen e ShBA-së nga NATO pasi aleatët nuk e kanë mbështetur veprimin ushtarak amerikan kundër Iranit, sipas një interviste me gazetën britanike “Daily Telegraph”.
Trumpi e ka përshkruar aleancën si një “tigër prej letre” dhe ka thënë se largimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) nga pakti i mbrojtjes tani është “përtej rishqyrtimit”.
Ai ka thënë se prej kohësh ka dyshime për besueshmërinë e NATO-s. “Oh po, do të thosha (se është) përtej rishqyrtimit”, i ka thënë Trumpi gazetës britanike kur është pyetur nëse do ta rishqyrtonte anëtarësimin e ShBA-së në aleancë pas konfliktit. “Unë kurrë nuk jam ndikuar nga NATO. Gjithmonë e kam ditur se ata ishin një tigër prej letre dhe Putini e di këtë gjithashtu, meqë ra fjala”, ka thënë Trumpi.



