Trumpit i grumbullohen të dhënat personale në burgun e Atlantës, pas akuzave për zgjedhjet

25 gusht 2023 | 08:56

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u largua nga burgu i Fultonit në Atlanta, pasi u akuzua për 13 vepra penale më 24 gusht, si pjesë e një padie që rrjedh nga përpjekjet e tij për ta përmbysur humbjen e tij në Xhorxhia gjatë zgjedhjeve të vitit 2020.

Trump u largua nga burgu rreth 20 minuta pasi hyri dhe u nis drejt aeroportit Hartsfield-Jackson të Atlantës, ku avioni i tij privat po e priste për ta kthyer atë në klubin e tij të golfit në Nju Xhersi.

77 vjeçari tashmë ka hyrë në një territor të paeksploruar duke u bërë ish-presidenti i parë i SHBA-së që përballet me akuza penale, megjithëse katër rastet e ngritura kundër tij nuk e kanë dëmtuar statusin e tij si favorit në garën për nominimin republikan për ta sfiduar presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e nëntorit të vitit të ardhshëm për presidencë.

Pasi u dorëzua në burgun në Atlanta, Trump u rikthye në platformën X, më herët të njohur si Twitter, duke publikuar mesazhin e parë pas më shumë se dy vjet e gjysmë.

Ai e postoi fotografinë e tij të bërë në burg, të cilës ia bashkëngjiti fjalët “Ndërhyrje në zgjedhje. “Nuk dorëzohem kurrë!””

Ky ishte postimi i parë i Trumpit që nga 8 janari 2021, kur Twitter e pezulloi llogarinë e tij për një kohë të pacaktuar, shkaku i frikës se ai do të nxiste dhunë shtesë pas sulmit të 6 janarit në ndërtesën e Kapitolit të SHBA.

Ish-presidenti republikan përballet me 13 akuza penale, përfshirë shantazh dhe presion ndaj zyrtarëve shtetërorë për ta kthyer humbjen e tij në zgjedhje nga presidenti demokrat, Joe Biden.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë me dije se…