Trusti arrin 161 milionë euro kthim nga investimet

14 janar 2020 | 13:46

Në Fondin e Kursimeve Pensionale mjetet nën menaxhim shënuan rritje të lartë. Kjo rritje kap shifrën e afro dy miliardë euro dhe shënon një rritje vjetore prej 300 milionë eurosh.

Kështu u bë e ditur sot në një konferencë për medie të mbajtur nga drejtuesit e Fondit.

Kryesues i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina, ka deklaruar se Fondi për vitin 2019 ka arritur një performancë pozitive nga investimet prej 8.9 për qind, ndërkohë që e ka mbajtur luhatshmërinë e ulët.

Sipas tij, kthimi bruto shkoi në rreth 161 milionë euro në total, duke qenë kështu në vlerë nominale më i lartë ndonjëherë.

Ndërsa, në vitin 2018 kthimi në investime ishte 84.7 milionë euro ose minus 5.3 për qind.

Morina ka thënë se pothuajse 75 për qind e mjeteve të FKPK gjatë vitit 2019 ishin investuar në tregjet financiare ndërkombëtare. “Edhe pse viti u përmbyll me rritje të fortë të performancës së tregjeve, përgjatë vitit ishin disa risqe dhe pasiguri me vlerësimin shumë të lartë të aksioneve, me përkeqësimin e fitimit të pritshëm të korporatave”, u shpreh ai.

Sipas tij,  25 për qind e mjeteve ose rreth 500 milionë euro janë në tregun e Kosovës, kurse 75 për qind e mjeteve të tjera janë të koncentruar në tregun e BE dhe SHBA. /KP

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktivistet e “Dhunuesi je ti!” kanë protestuar para Qeverisë së…