Uran Ismaili: Oferta e PDK-së do ta rrëzojë Vetëvendosjen në zgjedhjet nacionale
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili ka shprehur bindjen e tij se oferta e PDK-së do ta rrëzojë Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Teksa ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili për thirrjet e zgjedhjeve të parakohshme ka thënë se nuk është i interesuar që ta zhdukë opozitën, Ismaili e ka vlerësuar këtë si një shenjë arrogance nga ana e Kurtit, por në të njëjtën kohë e sheh si një konfirmim që oferta e vetme e aftë ta rrëzojë Kurtin është oferta e PDK-së.
“Është shqetësuese në kuptimin e arrogancës, por neve na bën dhe na përforcon bindjen që realisht e vetmja ofertë që e rrëzon kryeministrin Kurti nga pozicioni i kryeministrit është oferta e PDK-së. Jam i bindur për këtë, në zgjedhjet nacionale”, ka deklaruar Ismaili.
Ai ka përmendur “sukseset” e PDK-së në zgjedhjet lokale, duke theksuar se ata kanë hequr Lëvizjen Vetëvendosje në vende si Prizren, Mitrovicë dhe kanë marrë vota kryesore në Prishtinë.
“Ne e kemi hequr Lëvizjen Vetëvendosje në vende komunale, e kemi hequr në Prizren, e kemi hequr në Mitrovicë, ia kemi marrë votat kryesore në Prishtinë. Ne kemi qenë oferta që kemi bërë diferencën. Unë jam i bindur që oferta ashtu siç e kemi ndërtuar në zgjedhje lokale, ashtu kemi me ndërtuar në zgjedhje nacionale dhe jam i bindur shumë që e kemi me qenë jashtëzakonisht konkurrues në zgjedhje nacionale. Këtë lloj pesimizmi e kam parë dhe e kam përjetuar në zgjedhje lokale”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, analisti Dibran Hoxha i është përgjigjur Ismailit duke thënë se në zgjedhjet lokale nuk janë përballur me kryeministrin aktual, Albin Kurti.Siç ka shtuar Hoxha, PDK-ja ka pasur përballë vetëm disa imitime të Kurtit, që sipas tij, kanë dështuar./Dukagjini