T’u ndalet zëri sharlatanëve konspiracionist antivaksinë!

09 shtator 19:37

Shkruan: Valon Murati

Liritë individuale qëndrojnë në thelb të të drejtave të njeriut. Po ashtu vlen për lirinë e shprehjes. Sidoqoftë prej John Stuart Millit e këtej, ka një pajtueshmëri se liria individuale e njeriut kufizohet me lirinë individuale të tjetrit. Kur kalohet ky kufi fillon shkelja e lirive dhe të drejtave të tjetrit. Liria e shprehjes është nga ato liri e cila këta kufij i ka më poroz dhe më e paqartë, dhe është e prirë t’i zvogëlojë kufijtë e lirisë së tjetrit. Por sidoqoftë një kufi ekziston, dhe liria e shprehjes nuk është një liri absolute. Të kujtojmë se kur liria e të shprehurit keqpërdoret për të thirr në dhunë, urrejtje racore, etnike, fetare, gjinore etj., ajo ndalohet. T’i kthehemi realitetit shqiptar. Nëpër studiot e televizioneve shqiptare (sidomos në Tiranë) po defilojnë lloj-lloj sharlatanësh konsiparcionist, që thurin lloj-lloj përrallash për vaksinat dhe Covid-19 (siç ia bëjnë edhe për shumë çështje të tjera). Këta shpesh në ato emisione janë krahas me ekspertët më të mirë të mjekësisë dhe shkencës shqiptare dhe pa fije turpi kontestojnë jo vetëm ekspertizën e tyre, por edhe të arriturat e shkencës botërore në përgjithësi. Asaj shkence që në 3000 vitet e fundit qenien njerëzore e ka nxjerr nga gjendja e egërsisë në atë të qytetërimit në të cilin jetojmë sot. Dhe këta sharlatanë po shkaktojnë jo pak dëm. Këta duke përhapur panik dhe shfrytëzuar dilemat që njerëzit mund të kenë për procesin e vaksinimit, janë bërë rrezik për shëndetin publik, dhe rrjedhimisht me qëndrimet e tyre po ndikojnë të cenohet e drejta për jetë, që është më e shtrenjta e drejtë e njeriut. Andaj këtyre duhet ndalur turri. E para do të duhej që mediat serioze të kenë një marrëveshje xhentëlmene që të tillëve të mos u afrohet hapësira mediale, e sidomos jo në emisionet qendrore. Dhe nëse nuk ka një vullnet të tillë, duhet ndërhyrë shteti (i Kosovës e i Shqipërisë, por edhe të tjerët), edhe duke u thirr në mundësitë që i jep kushtetuta, por edhe legjislacioni që ka të bëjë me situatën e pandemisë, për të ndaluar paraqitjet e tyre në televizionet kombëtare. Përndryshe nëse kjo vazhdon kështu, përgjegjësia mbi hezitimin për vaksinim (e rrjedhimisht edhe mbi përhapjen e pandemisë dhe vdekjet) do të bie edhe mbi mediat, edhe mbi institucionet shtetërore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe ish-ministrja për Dialog, ish-kryenegociatorja e Kosovës në këtë proces,…