Turkish Airlines vendos të shesë pjesëmarrjen prej 49 % në Air Albania
Turkish Airlines ka njoftuar se ka vendosur të shesë gjithë pjesën e saj prej 49% në Air Albania SHPK, kompani e linjës kombëtare të Shqipërisë, sipas mediave turke. (Haberler.com)
Në një njoftim të publikuar në Platformën Turke të Transparencës Publike (KAP), kompania deklaron: “Bordi ynë ka vendosur të shesë të gjithë pjesëmarrjen në Air Albania SHPK, në të cilën kompania jonë zotëron 49%. Zhvillime të rëndësishme do të ndajmë së shpejti me investitorët.”
Air Albania u themelua zyrtarisht më 16 maj 2018 si një partneritet publik-privat mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Linja ajrore kishte si aksioner kryesor kompaninë turke Turkish Airlines (49,12%) dhe aksionet e mbetura i ndajnë ndërmarrja shtetërore shqiptare Albcontrol (~10 %) dhe një kompani private shqiptare MDN Investment (~41 %).
Fluturimi i parë i rregullt u bë më 14 shtator 2018, në linjën Tiranë–Stamboll.
Në vitin 2023 “Air Albania”, arriti të ishte ishte operatori i dytë më i madh në vend, me 7% të tregut. Por, në vitin 2024 zbriti në vend të tretë, me një peshë prej 3.4% sipas numrit të pasagjerëve.
Konkurrenca e “Wizz Air” dhe “Ryanair” ka ndikuar në aktivitetin e këtij operatori në destinacionet përveç Stambollit.
Kompania nuk ka dorëzuar asnjëherë bilanc. Sipas të dhënave nga Tatimet, qarkullimi vjetor i kompanisë ishte rreth 3.8 miliardë lekë në vitin 2021, për të arritur në rreth 5 miliardë lekë në vitin 2022 dhe 5.5 miliardë lekë në vitin 2023.
Në vitin 2024, të ardhurat janë rreth 4 miliardë lekë, sipas të dhënave indirekte nga Tatimet. Kompania ka rezultuar historikisht me humbje./Monitor.al



