Turma të mëdha njerëzish në protestat “No Kings” kundër politikave të Trumpit në ShBA

19 tetor 2025 | 10:37

Turma të mëdha njerëzish kanë marrë pjesë në protestat “Jo Mbretër” kundër politikave të Presidentit Donald Trump në qytete të ndryshme të SHBA-së, përfshirë Nju Jorkun, Uashingtonin, Çikagon, Miamin dhe Los Anxhelosin.

Mijëra persona mbushën sheshin e famshëm Times Square në Nju Jork dhe rrugët përreth, duke mbajtur pankarta me slogane si “Demokraci, jo Monarki” dhe “Kushtetuta nuk është opsionale”, raporton BBC.

Para protestave, aleatë të Trump-it akuzuan protestuesit se janë të lidhur me lëvizjen e majtë ekstreme Antifa, duke i cilësuar demonstratat si “tubime që urrejnë Amerikën”.

Disa shtete amerikane kishin mobilizuar Gardën Kombëtare, por organizatorët thanë se ngjarjet, të cilat tërhoqën afërsisht shtatë milionë pjesëmarrës, ishin paqësore.

Zgjerimi i pushtetit presidencial dhe akuzat për autoritarizëm

Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka zgjeruar ndjeshëm kompetencat presidenciale, duke përdorur urdhra ekzekutivë për të çmontuar pjesë të administratës federale dhe për të vendosur trupa të Gardës Kombëtare në qytete të ndryshme, pavarësisht kundërshtimeve të guvernatorëve lokalë.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga drejtuesit kryesorë të organeve të zbatimit të ligjit që të ndjekin penalisht ata që ai i konsideron kundërshtarë.

Presidenti pretendon se veprimet e tij janë të nevojshme për të rindërtuar një vend në krizë dhe ka hedhur poshtë akuzat se po vepron si diktator apo fashist, duke i quajtur “histeri”.

Por kritikët paralajmërojnë se disa nga veprimet e administratës së tij janë antikushtetuese dhe kërcënojnë demokracinë amerikane.

Në një intervistë për Fox News, që pritet të transmetohet të dielën, Trump iu referua protestave:

“Mbret? Kjo nuk është një shaka,” tha ai në një pjesë të publikuar paraprakisht. “E dini – më quajnë mbret. Unë nuk jam mbret.”

Protestat në Nju-Jork dhe reagimi i qytetarëve

Në Nju Jork, turma shpërthente shpesh në brohorima si: “Kështu duket demokracia”, ndërsa ritmi i tambureve dëgjohej vazhdimisht në sfond. Helikopterë dhe drone patrullonin nga ajri, ndërsa policia qëndronte në anë të rrugës.

Departamenti i Policisë së Nju Jorkut raportoi se mbi 100,000 persona ishin mbledhur në të pesë lagjet e qytetit, pa ndonjë arrestim të lidhur me protestën. Në Times Square, një oficer policie vlerësoi se mbi 20,000 vetë po marshonin nëpër 7th Avenue.

Beth Zasloff, shkrimtare dhe redaktore freelance, tha se ishte bashkuar me protestën sepse ndjente zemërim dhe shqetësim për “rrëshqitjen drejt fashizmit dhe një qeverie autoritare” nën administratën Trump.

“Kam shumë për zemër Nju Jorkun,” tha ajo. “Më jep shpresë të jem këtu me kaq shumë njerëz të tjerë.”

Massimo Mascoli, 68 vjeç, inxhinier elektronik në pension nga Nju Xhersi, i cili është rritur në Itali, tha se po protestonte sepse ndjente se SHBA po ndiqte të njëjtën rrugë si Italia në shekullin e kaluar.

Ai shprehu shqetësim të veçantë për goditjen ndaj emigrantëve dhe shkurtimet në sistemin e kujdesit shëndetësor.

“Nuk mund të mbështetemi te Gjykata Supreme, as te qeveria,” i tha ai BBC-së. “Nuk mund të mbështetemi as te Kongresi. Të tria pushtetet – legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor – janë sot kundër popullit amerikan. Prandaj po luftojmë.”

Protesta në Uashington dhe pjesëmarrja e politikanëve demokratë

Në Uashington, ku Garda Kombëtare është vendosur që nga gushti me kërkesë të Trump-it, nuk kishte trupa të dukshme gjatë protestës.

Një protestues mbante një pankartë me mbishkrimin “Unë jam Antifa”.

Chuck Epes, 76 vjeç, tha se termi është i ngarkuar politikisht, por për të do të thotë mbështetje për “paqen, çerdhet, pagë të jetueshme, kujdes shëndetësor”, si dhe për emigrantët dhe njerëzit me ngjyrë.

“Ai (Trump) po përpiqet t’i manipulojë të gjithë – por nuk po i funksionon,” shtoi ai.

Politikanë demokratë iu bashkuan protestave anembanë vendit.

“Në Amerikë nuk ka diktatorë. Dhe nuk do ta lejojmë Trump-in të vazhdojë të gërryejë demokracinë tonë,” shkroi në X udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, duke shpërndarë foto të vetes me një pankartë “Rregulloni krizën e kujdesit shëndetësor” në Nju Jork.

Në Uashington, senatori Bernie Sanders nga Vermonti mbajti një fjalim para turmës:

“Nuk jemi këtu sepse urrejmë Amerikën, por sepse e duam atë,” tha ai para mijëra vetëve.

Senatorët demokratë Cory Booker dhe Adam Schiff publikuan video të tyre duke marrë pjesë në protesta, duke falënderuar amerikanët që dolën në rrugë.

“Kështu duket demokracia. Faleminderit Amerikë që ngrite zërin,” tha Schiff.

Senatori Chris Murphy publikoi pamje nga pjesëmarrja masive në shtetin e tij Connecticut:

“Ma merr frymën. Kjo ditë ndoshta do të shënohet si dita më e madhe e protestave paqësore në 250 vitet e historisë sonë.”

Reagimi i guvernatorëve republikanë dhe protestat jashtë ShBA-së

Guvernatorë republikanë në disa shtete kishin vënë në gatishmëri Gardën Kombëtare para protestave.

Ky vendim u dënua nga demokratët, përfshirë kryetarin e demokratëve të Teksasit, Gene Wu, i cili tha:

“Dërgimi i ushtarëve të armatosur për të shtypur protesta paqësore është diçka që bëjnë mbretërit dhe diktatorët – dhe Greg Abbott sapo tregoi se është një prej tyre.”

Guvernatori republikan i Virxhinias, Glenn Youngkin, urdhëroi gjithashtu aktivizimin e Gardës Kombëtare, megjithatë raportimet lokale thonë se trupa nuk ishin të pranishme gjatë protestave.

Protestat nuk u kufizuan vetëm në SHBA.

Në qytete të ndryshme të Evropës – si Berlini, Madridi dhe Roma – njerëzit dolën në rrugë në shenjë solidariteti me amerikanët. Në Londër, disa qindra protestues u mblodhën jashtë ambasadës amerikane.

Skena të ngjashme u panë edhe në Toronto, ku protestues afër konsullatës amerikane mbanin pankarta si “Larg duart nga Kanadaja”.

Ndasi të mëdha në opinionin amerikan për Trump

Amerikanët mbeten thellësisht të ndarë për sa i përket Donald Trump-it.

Një sondazh i fundit nga Reuters/Ipsos tregon se vetëm 40% e qytetarëve e aprovojnë punën e tij si president, ndërsa 58% janë kundër. Kjo përputhet me mesataren e tij të aprovimit gjatë mandatit të parë, por është më e ulët krahasuar me 47% që kishte kur mori mandatin e dytë në janar.

Është e zakonshme që presidentët të bëhen më të papëlqyeshëm me kalimin e kohës. Joe Biden, për shembull, kishte një vlerësim prej 55% në janar 2021, por deri në tetor të atij viti, kishte rënë në 46%.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut ka publikuar…