Turqia dënon me burgim 13 gazetarë

26 prill 2018 | 10:56

Një gjykatë turke ka dënuar 13 gazetarë me burgim, nën akuzat për terrorizëm.

Ata kanë qenë punonjës të gazetës opozitare “Cumhuriyet” dhe janë arrestuar pas përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në korrik të vitit 2016.

Tre gazetarë në gjyq janë liruar.

Autoritetet turke kanë akuzuar stafin e “Cumhuriyet”-it për mbështetje të grupeve që i kanë shpallur terroriste dhe të klerikut fetar, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson për organizimin e grushtshtetit të dështuar.

Guleni, i cili e mohon përfshirjen, jeton në mërgim në ShBA dhe autoritetet atje kanë refuzuar ta ekstradojnë në Turqi.

Mbi 50 000 njerëz janë arrestuar dhe 150 000 të tjerë janë pezulluar ose pushuar nga puna, pas puçit të dështuar.

Trembëdhjetë gazetarët e dënuar përfshijnë disa nga emrat më të shquar turq, si kryeredaktorin Murat Sabuncu, karikaturistin Musa Kart dhe kolumnistin Kadri Gursel.

E themeluar në vitin 1924, gazeta “Cumhuriyet” ka ruajtur pavarësinë në një mjedis të kontrolluar mediatik, duke shkaktuar zemërim te presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.

Pas vendimit të gjykatës për gazetarët, gazeta ka shkruar në ueb-faqen e saj: “Do të jeni të turpëruar para historisë”.

Në muajin mars, 25 gazetarë turq janë burgosur për lidhje të dyshuara me Gulenin. (Rel)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shitjet tremujore të rrjetit social “Facebook” janë rritur ndjeshëm, pavarësisht…