Turqia po i heton postimet në rrjetet sociale për shëndetin e presidentit

04 nëntor 2021 | 17:16

Autoritetet turke kanë nisur një hetim ndaj 30 personave të cilët akuzohen se kanë postuar dezinformata në rrjetet sociale për shëndetin e presidentit, Recep Tayyip Erdogan. Policia turke ka njoftuar se këta persona kanë postuar “përmbajtje manipuluese” në rrjetin social “Twitter” duke përdorur hashtagun  – olmous (i vdekur).

Ky hashtag filloi të përdorej derisa spekulimet për shëndetin e Erdoganit janë në rritje. Bashkëpunëtorët e tij janë munduar të shuajnë këto spekulime duke shpërndarë imazhe të aktiviteteve të tij. Spekulimet për shëndetin e tij kanë qarkulluar prej vitesh. Politikanët rivalë që kundërshtojnë qeverinë e Erdogani shpesh e kanë vënë në pikëpyetje shëndetin e presidentit.

Erdogan, 67 vjeç, iu nënshtrua një operacioni në zorrë në vitin 2011. Në vazhdimësi, presidenti turk ka mohuar raportet se kishte kancer.

Të mërkurën, Erdogan mori pjesë në disa ngjarje në kryeqytetin Ankara për të shënuar 19 vjetorin e ardhjes në pushtet të partisë së tij konservatore. “Shefi ka mbërritur nga Stambolli në Ankara. Ai është shumë i shëndetshëm”, ka shkruar një anëtar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim ( AKP), Ahmet Hamdi Camli.

Mediat turke thonë se spekulimet për shëndetin e zotit Erdogan u nxitën nga një video që tregonte presidentin duke ecur me vështirësi të premten e kaluar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Valdete Ramadani shpall të pavlefshme diplomën e SHMLT "Anton Çeta".