U asgjësuan 640 tonelata produkte ushqimore

09 janar 2022 | 13:40

Qytetarët konsumatorë duhet të kenë kujdes gjatë blerjeve të produkteve ushqimore, pasi tregu i industrisë ushqimore mbetet i furnizuar edhe me produkte të dyshimta për nga cilësia dhe kalueshmëria e afateve.

Vetëm në vitin 2021, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) janë asgjësuar rreth 640 tonë produkte të mishit dhe produkte të tjera ushqimore që nuk kanë pasur afat, nuk janë ruajtur në kushte adekuate dhe nuk janë trajtuar ashtu siç duhet nga tregtarët.

Kështu ka bërë me dije ushtrues i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Flamur Kadriu në një intervistë për “Kosovapress”.  Ai ka thënë se është shtuar edhe numri i ankesave nga ana e konsumatorëve të cilët po hasin në produkte jocilësore dhe pa afat.

“Ne kemi asgjësime të produkteve që nuk janë konform legjislacionit, testeve ose testimeve laboratorike, diku 640 mijë kilogramë/litra janë asgjësuar sivjet. Kjo është një sasi jashtëzakonisht e madhe, prej tyre ka që nuk posedohet dokumentacionin e duhur. Prej tyre ka sasi që ka kaluar afati dhe bizneset kanë kërkuar që këto produkte të asgjësohen që mos të kthehen prapë në zinxhirin ushqimor…(11) Ne kemi sasi të ndryshme të mishit, qumështit, të asgjësuara, mirëpo kemi edhe lëngje, dhe pjekurina të ndryshme”, ka thënë Kadriu.

Kadriu ka thënë se në vitin 2021, AUV-i ka shqiptuar mbi 6 mijë gjoba për persona fizik dhe për persona juridik.

“Kemi shqiptuar diku 6 mijë e 100 gjoba për persona fizik dhe për persona juridik, që bëhet fjalë pra edhe për biznese. Është një numër i madh i gjobave, ku diku afër 4 mijë gjoba janë për persona juridik, ndërkaq, të tjera, 2 mijë e më shumë janë për persona fizik. Mirëpo, shihet se këto, masa, këto gjoba fatkeqësisht ndihmuan që ta ulim numrin për parandalimin e sëmundjes. Nuk është masa më e dëshiruar, mirëpo qëllimi kryesor u arrit, Është një numër i madh i bizneseve që janë mbyllur me masë të përkohshme”, ka thënë ai.

Kadriu ka shtuar se produktet ushqimore të cilat importohen i nënshtrohen një kontrolli të detajuar në pikat e kufitare, ku bëhet edhe monitorimi i tyre në vazhdimësi. Ai ka thënë se më 2021 janë mbi 56 mijë ngarkesa të kontrolluara në pikat kufitare, prej tyre 43 mijë ngarkesa me produkte joshtazore.

Ai ka bërë me dije se AUV-i ka proceduar 150 lëndë në gjykata për kundërvajtje dhe për shkelje të tjera. AUV aktualisht ka diku 170 inspektorë, ku nga janari kjo agjenci nis kontrollin edhe me anë të sistemit të digjitalizuar, kontroll elektronik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të dhunës së ushtruar një ditë më parë…