U promovua libri “Baladë Muhaxhire” i autorit Nimon Muçaj

17 dhjetor 2019 | 15:29

Në sallën e konferencave të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës (BIRK), të martën është promovuar libri “Baladë Muhaxhire” i autorit Nimon Muçaj.

Në këtë promovim morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava me bashkëpunëtorë, profesorë, studiues, intelektualë, dashamirë të librit e të kulturës, si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu Tërnava ka përgëzuar autorin e librit “Baladë Muhaxhire” të Nimon Muçajt, për botimin e këtij libri, duke theksuar se kjo vepër do të pasurojë bibliotekat tona. “Autorit i dëshiroi shëndet e mbarësi me shpresën se edhe në të ardhmen do të na begatojë me kontribute të tjera, kurse të pranishmit i falënderoi për kohën e çmuar që kishin ndarë. Botimin e romanit ‘Baladë Muhaxhire’ e konsiderojmë si një mirënjohje për autorin dhe si një shlyerje borxhi e si një përkujtim qoftë edhe në këtë masë, për të gjithë ata shpirtra të vuajtur të cilët me dhunë u detyruan t’i lëshonin vatrat e tyre dhe gjithçka tjetër që kishin. Po ashtu e konsiderojmë edhe si një ndihmesë shtesë për brezat e ardhshëm për ta njohur, kujtuar dhe për të mos e harruar të kaluarën tonë”, ka thënë Tërnava.

Ai ka shtuar se kjo veprimtari në kuadër të BIK-ut, me kalimin e viteve, është rritur dhe zhvilluar në bazë të kërkesave të besimtarëve të tij dhe masës së gjerë të lexuesve. “Aq sa sot Bashkësia Islame, respektivisht shtëpia botuese ‘Dituria Islame’ numëron të botuara mbi 200 vepra të fushave e disiplinave të ndryshme, shto këtyre edhe botimin e periodikut të saj. Kështu, me shkëputjen e sanxhakut të Nishit nga trungu i vilajetit të Kosovës, vetëm gjatë vitit 1877/78, sipas studiuesve të historisë, statistikat e botuara deri më tani flasin për spastrimin e më se 1.000 vendbanimeve shqiptare, dhe për dëbimin e më shumë se 200.000 shqiptarëve. Dhe jo vetëm kaq, por gjatë viteve 1877/78 ushtria serbe përveç shqiptarëve të Saxhakut të Nishit, po ashtu kishte dëbuar nga vatrat e veta edhe shqiptarët dhe popullsinë myslimane të etniteteve të tjera edhe nga Saxhaku i Jeni-Pazarit dhe nga Mali i Zi. Shumica e këtyre të shpërngulurve u vendosën aty ku mundën dhe aty ku i hodhi vala, brenda trojeve tona shqiptare dhe në Turqi duke u gjetur kështu në një pozitë shumë të vështirë shpirtërore, sociale dhe ekonomike”, ka thënë myftiu Tërnava.

Nga një fjalë rasti kanë mbajtur edhe dr. Hysen Matoshi dhe dr. Emin Kabashi. “Romani ‘Baladë Muhaxhire’ i autorit Nimon Muçaj përbën një përpjekje të rralla ndër ne për trajtimin artistik të plagëve më të madhe të botës shqiptare në dy shekujt e fundit, dëbimi nga vatrat stërgjyshore. Romani është konceptuar në trajtën e rrëfimit kronologjik plotësuar me reminishenca të shumta e rrëfime paralele me ngjarje të përjetuara dhe të ritreguara nga perspektiva të ndryshme narrative. Përjetimi është shpërfaqje e botës emocionale e artistike një përthyerje interesante autoriale e dhimbjes së përjetuar në kujtesën kolektive për pjesën e humbur të atdheu”, ka thënë prof. dr. Matoshi njëherësh edhe redaktor i romanit.

Kurse referuesi tjetër i këtij romani dr. Emin Kabashi duke folur për vlerat letrare të këtij romani veç tha se ndër karakteristikat që e bën të veçantë strukturën e romanit është përmasa e hapësirë të rrëfimit të ngjarjeve. “Janë dy tri kaza, dy tri vilajete, dy tri kontinente nëpër të cilat lëvizin personazhet e romanit të tij nëpër të cilin shtrihet rrëfimi i ngjarjeve që e bënë strukturën e romanit. Lexuesi i këtij romani ndoshta për herë të parë në gjuhen shqipe edhe në romanin shqiptar përballet me një temë po thuajse të pa trajtuar fare në këtë letërsi. Tragjedia e zhbërjes së pjesës lindore të tokave shqiptare qoftë edhe në trysninë e sistemeve shoqërore në atdheun tonë e ka lënë në harresë si dëshmi artistike njërën nga ngjarjet më tragjike të historisë sonë kombëtare. Nimon Muçaj meriton respekt për gjetjen e temës, për mënyrën e trajtimit si dhe për mbar shtrimin artistik të saj”, ka thënë Kabashi.

Drejtori për Shtyp dhe Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodra ka folur për veprimtarinë e kësaj shtëpie botuese, duke potencuar mes të tjerash se deri më tani janë botuar mbi 200 tituj nga fusha të ndryshme fetare, si nga jurisprudenca, historia dhe qytetërimi islam, tefsiri, hadithi dhe fusha të tjera.

Ai ka shtuar se krahas këtyre librave janë botuar edhe një sërë monografish dhe botimesh të veçanta me vlerë për histografinë, kulturën, gjuhësinë dhe letërsinë shqipe.

Drejtori Shkodra ka falënderuar myftiun Tërnava për mbështetjen e vazhdueshme që po jep për botimin e librave fetarë e shkencorë, duke u zotuar se edhe në të ardhmen do të botojnë vepra të këtilla në interes të fesë dhe shkencës.

Pjesë nga romani lexuan aktoret e njohura Muradije Muriqi dhe Safete Rogova.

Në fund autori Nimon Muçaj mori fjalën duke falënderuar myftiun Tërnava, shtëpinë botuese “Dituria Islame” për botimin e kësaj vepre si dhe të gjithë pjesëmarrësit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vallja e Rugovës është një ndër kërcimet popullore më të…