U sanksionua nga ShBA, Nexhat Krasniqi: Kurrë në jetë s’kam qenë i dënuar për korrupsion

18 nëntor 2023 | 21:36

Nexhat Krasniqi i njohur si “baba i tenderëve”, i cili është caktuar përkohësisht në pozitën e drejtorit të departamentit të infrastrukturës rrugore në këtë ministri, dy javë pasi pezullua nga pozita e drejtorit të prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka reaguar pas sanksionimit nga Departamenti Amerikan i Thesarit.

Në njoftimin e bërë nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), thuhej se Krasniqi si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, “ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”.

Ndërsa, në reagimin e tij në Facebook, Krasniqi ka thënë se nuk ka qenë i dënuar asnjëherë për korrupsion apo marrje ryshfeti.

“Në Republikën e Kosovës, ku jetoj e punoj prej kur kam lind, KURR në jetë nuk jam dënu për korrupsion e as për marrje ryshfeti…. Jam hetu, jam vezhgu e jam akuzu nga prokuror Amerikan, nga prokuror ndërkombëtar të Eulexit, nga prokuror Shqiptar të të gjitha prokurorive… Jam gjyku e ri-gjyku nga gjykatës Amerikan, nga gjykatës ndërkombëtar te Eulexit, nga gjykates Shqiptarë të të gjitha gjykatave”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka folur edhe për rastin e vitit 2005 ku akuzohet se ka keqpërdorur pozitën publike duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e Ndërtimit të Parkut Industrial në Komunën e Drenasit, për të cilën ka publikuar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të EULEX-it.

Tutje, ai tha se “nuk e di arsyen për shkak se rasti është i vitit 2005, e që është rast i gjykuar”.

“Çuditërisht unë kam nënshkruar kontrata me kompaninë prestigjioze amerikane Bechtel në vitin 2010 dhe 2014 për dy autostrada, duke pasur relacione shumë korrekte dhe profesionale me ta”, shtoi.

Ndërsa, i sanksionuar i ShBA-së potencoi se dënimet për korrupsion e për ryshfet kanë ardhur nga, siç i quajti ai, “pseudo-gazetar”.

“Ndoshta në media e nga pseudo-gazetar të ndryshëm jam dënu për korrupsion edhe për marrje ryshfeti.. Ndoshta nga politikanë të ndryshëm jam dënu për korrupsion edhe për marrje ryshfeti”.

Sipas tij, “çka është fakt, e për të cilin mundeni me verifiku në krejt institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës edhe ato ndërkombëtare, është kjo: KURR KURR KURR asnjëherë nuk jam dënu as për korrupsion e as për marrje të ryshfetit…”.

“Kurrë mos u ndalni duke folur e duke shkruar zi e terr për mua, natyrisht pa asnjë fakt, veç mundohuni të paktën nganjëherë ta bëni punën e gazetarit me etikë e profesionalizëm”, përfundoi ai.

Ndryshe, Nexhat Krasniqi i njohur si “baba i tenderëve” më 16 nëntor, është caktuar përkohësisht në pozitën e drejtorit të departamentit të infrastrukturës rrugore në këtë ministri, dy javë pasi pezullua nga pozita e drejtorit të prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës pasi ishte sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nexhat Krasniqi, i pezulluar me vendimin nr. 8434 të datës 03.11.2023, nga pozita e drejtorit të divizionit të prokurimit të cilën e mban sipas aktemërimit, caktohet përkohësisht drejtori i Departamentit të infrastrukturës rrugore, në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në vendimin e datës 3 nëntor të MMPH-së.

Departamenti Amerikan i Shtetit e kishte vendosur në listën e sanksioneve Krasniqin për shkak të përfshirjes në korrupsion.

“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftim.

Sipas DASH-it, veprimet SHBA-së dëshmojnë se Uashingtoni qëndron me ata në Kosovë që kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e korruptuar publikë.

“Ky vendim ri-afirmon përkushtimin e SHBA-së për luftimin e korrupsionit që dëmton interesat publike, pengon prosperitetin ekonomik të shteteve dhe zvogëlon aftësitë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të shtetasve të tyre”.

Pos Krasniqit, nën sanksione janë vendosur edhe fëmijët e tij, Aulona dhe Olti të cilëve po ashtu nuk do t’iu lejohet hyrja në ShBA.

Krasniqi, vite më parë ishte dënuar për keqpërdorim të detyrës brenda Ministrisë, por më vonë me vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHCK), ishte kthyer në detyrë.

Ai ishte i përfshirë edhe në një rrahje në MMPHI në vitin 2022.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zvicra dhe Kosova janë ndarë në paqe në pjesën e…