Uashingtoni i përçarë politikisht mbi racën dhe ideologjinë

21 korrik 2019 | 16:06

Java e kaluar ishte sfiduese për demokracinë amerikane. Presidenti Donald Trump është duke u kritikuar për sulmet ndaj katër ligjvënëseve demokrate që i përkasin pakicave.

Dhoma e Përfaqësuesve, kryesisht në linja partiake, ka votuar për të dënuar disa nga komentet e presidentit, që ajo i ka cilësuar si raciste.

Në të njëjtën kohë, demokratët e opozitës kanë mbetur të ndarë mbi çështjen e fillimit të procedurave për shkarkimin e Presidentit Trump apo përqendrimin e energjisë në mposhtjen e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Siç ka njoftuar korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Jim Malone, përplasja ka zhytur vendin në një debat të ashpër mbi racën, emigracionin dhe ideologjinë politike.

Para një turme entuziaste në Karolinën e Veriut, presidenti Trump ka sulmuar përsëri katër ligjvënëse demokrate, të gjitha gra me ngjyrë.

:Këta ideologë të krahut të majtë e shohin vendin tonë si një forcë të së keqes. Ato flasin keq për vendin tonë. Ato duan të shkatërrojnë Kushtetutën, të dobësojnë ushtrinë tonë dhe të eliminojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky vend i mrekullueshëm”, ka thënë Trumpi.

Në një moment gjatë fjalimi të tij, presidenti Trump ka vënë në shënjestër ligjvënësen e Minesotës, Ilhan Omar, duke nxitur thirrjet nga turma “kthejeni në vendin e saj”.

Paraqitja konfrontuese e presidentit Trump ka ndodhur në të njëjtën ditë që Dhoma e Përfaqësuesve kishte votuar kundër një nisme për të filluar procedurat e shkarkimit të tij.

Por më parë gjatë javës, Dhoma e Përfaqësuesve ka bërë një hap të pazakontë, duke votuar për të dënuar dhe cilësuar si raciste disa nga sulmet e presidentit Trump ndaj katër ligjvënëseve demokrate.

Të gjithë demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë mbështetur rezolutën, përfshirë aktivistin e të drejtat civile, John Lewis nga Xhorxhia.

“Unë e di se çka është racizmi dhe mund ta ndjejë atë. Në nivelin më të lartë të qeverisë, nuk ka vend për racizëm”, ka thënë ai.

Fitorja e presidentit Trump në vitin 2016 është ndihmuar nga mbështetja e fortë e votuesve të bardhë të shtresës punëtore.

Por shumë demokratë, përfshirë ligjvënësin Tom Malinowski besojnë se presidenti Trump është duke bërë një ofertë të rrezikshme për mbështetje bazuar në pakënaqësinë racore.

Presidenti Trump ka mohuar akuzat se është racist, por ka sulmuar katër ligjvënëse, duke i quajtur ato socialiste dhe u ka thënë atyre të largohen nga vendi nëse nuk janë të kënaqura.

Disa republikanë i kanë kritikuar sulmet, por shumë të tjerë duke përfshirë senatorin John Kennedy, e mbështesin presidentin.

“Ky vend nuk është si Kina ose si Koreja e Veriut. Kjo është Amerika dhe nëse ju urreni vendin tonë, ju jeni të lirë të largoheni kur të doni”, ka thënë ai.

Fokusi i presidentit amerikan tek tensionet racore dhe ideologjike po e gris strukturën e vendit, ka paralajmëruar ligjvënësi demokrat, Dean Phillips.

“Nëse racizmi bëhet një çështje partiake në këtë vend, ky do të ishte një abuzim ndaj themeluesve të vendit tonë, Kushtetutës sonë dhe çdo personi që e quan Amerikën shtëpi të tyre”, është shprehur Phillipsi.

Fitorja e ngushtë e presidentit Trump në vitin 2016 dhe mbështetja relativisht e ulët për punën e tij ia vështirëson atij përpjekjet për t’u rizgjedhur edhe për një mandat, ka thënë analisti Kyle Kondik.

Retorika tensionuese e kësaj jave mund të shërbejë si një hap paraprak i një fushate të acaruar dhe të paqëndrueshme presidenciale vitin e ardhshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
David De Gea ishte afër largimit nga Manchester United, por…