Beogradi nën masa të rrepta sigurie: Policia rrethon institucionet kryesore pas zgjedhjeve
Prania e forcave policore është shtuar ndjeshëm në qendër të Beogradit, pas mbylljes së vendvotimeve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi.
Policia ka vendosur kordone dhe barriera pranë institucioneve kryesore shtetërore, ndërsa qytetarët po presin rezultatet e para të zgjedhjeve.
Sipas raportimit të gazetares Ana Milosavljeviq për The Guardian, një pjesë e rrugës Kralja Milana është bllokuar nga policia.
Në këtë zonë ndodhet selia e Komisionit Republikan Zgjedhor (RIK), institucioni përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve në Serbi.
Përpara kordonit policor janë mbledhur grupe qytetarësh, të cilët po diskutojnë dhe spekulojnë për rezultatet e mundshme të votimit.
Ndërkohë, mbi turmën e mbledhur vazhdojnë të shfaqen reklamat zgjedhore të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në një ekran të madh.
Prani e konsiderueshme policore është vërejtur edhe në Parkun e Pionierëve, përballë Kuvendit të Serbisë.
Dhjetëra pjesëtarë të xhandarmërisë janë shpërndarë në këtë hapësirë, ku ndodhet edhe kampi i njohur si “Ćacilend”, i mbështetur nga qeveria serbe.
Disa prej policëve, të pajisur për ndërhyrje, janë parë duke përdorur telefonat e tyre ndërsa qëndronin në pozicione.
Masa të ngjashme sigurie janë ndërmarrë edhe përpara Presidencës së Serbisë, ku janë vendosur disa kordone policore.
Pas barrierave janë grumbulluar grupe zyrtarësh policorë, pranë disa automjeteve të policisë.
Atmosfera në qendër të Beogradit karakterizohet edhe nga grumbullimet e qytetarëve që presin rezultatet zgjedhore.
Në udhëkryqin përpara Kuvendit, drejtuesit e automjeteve u kanë rënë borive, ndërsa disa kalimtarë kanë ngritur grushtat në ajër.
Prania e shtuar e policisë dhe vendosja e barrierave vijnë në përfundim të një dite zgjedhore gjatë së cilës janë raportuar incidente në disa vendvotime.
Ndërkohë, vëmendja është përqendruar te rezultatet e para, të cilat pritet të japin një pasqyrë fillestare të përbërjes së ardhshme të Parlamentit serb.
Kujtojmë se Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për incidentet e dhunshme të raportuara në disa qendra votimi në Serbi, ku këtë të diel po mbahen zgjedhjet parlamentare.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X, duke kërkuar qetësi dhe përmbajtje nga dhuna.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për incidentet e dhunshme të raportuara në disa vendvotime. Qytetarët serbë duhet të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar në një mjedis paqësor dhe të sigurt”, ka shkruar ambasadori, sipas The Guardian.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve serbe që të garantojnë sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor.
“U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të ruajnë qetësinë, të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbahen nga dhuna dhe provokimet, ndërsa institucioneve kompetente të garantojnë sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor”, ka deklaruar von Beckerath.



