UÇK-ja dhe Haga, Kosova hyn në 2026-n duke pritur vendimin me peshë historike
Viti 2025 ka qenë i mbushur me ngjarje të shumta për dhe rreth Gjykatës Speciale. Ajo çfarë e ka karakterizuar vitin që po e lëmë pas në raport me Specialen, kanë qenë dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes së liderëve të UÇK-së dhe protestat në Prishtinë, Hagë, Strasburg, Tiranë dhe Shkup në të cilat kanë marrë pjesë numër i madh i qytetarëve. Gjatë dëshmive të tyre, sidomos të treshes amerikane, Wesley Clark, James Rubin dhe Christopher Hill, të cilit kanë qenë protagonistë gjatë luftës në Kosovë, janë çmontuar argumentet e ZPS-së për UÇK-në. Tashmë kur ZPS-ja dhe mbrojtja kanë përfunduar me paraqitjen e provave, në gjysmën e parë të vitit 2026 pritet të shpallet aktgjykimi për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin. Ky vendim pritet të ketë peshë historike për luftën e UÇK-së, Kosovën dhe shqiptarët, shkruan “Epoka e re”.
Lirim GECI
Gjykimi maratonik në rastin e liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, tashmë ka hyrë në fazën finale, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtja kanë përfunduar paraqitjen e dëshmitarëve. Bazuar në vendimin e trupit gjykues, Gjykata Speciale ka vendosur që dosjet përfundimtare të dorëzohen deri më 19 janar të vitit 2026, kurse fjalët finale pritet të paraqiten prej 9, 13, 16 dhe 18 shkurt. Pas fjalëve përfundimtare, gjyqtarët kanë kohë të paktën tre muaj për dhënien e vendimit final. Pra, vendimi në shkallën e parë për katërshen e UÇK-së mund të jepet në muajin maj, më së largu deri në fillim të qershorit. Ky vendim pritet të ketë peshë historike për luftën e UÇK-së, Kosovën, shqiptarët dhe për rajonin.
Para se të paraqiten këto afate kohore, viti 2025 ka qenë i mbushur me ngjarje të shumta për dhe rreth Gjykatës Speciale. Ajo çfarë e ka karakterizuar vitin 2025 në raport me Specialen, kanë qenë dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes së liderëve të UÇK-së dhe protestat në Prishtinë, Hagë, Strasburg, Tiranë dhe Shkup në të cilat kanë marrë pjesë numër i madh i protestuesve. Po gjatë vitit 2025 liderët janë vizituar nga personalitete të ndryshme politike, përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Dëshmitarët e mbrojtjes së Thaçit çmontuan narrativen e prokurorisë për UÇK-në
Fillimisht te ndalemi te dëshmitarët që, pas përfundimit të dëshmive të dëshmitarëve të prokurorisë, radhën e kanë pasur dëshmitarët e mbrojtjes, veçanërisht ata që ishin ftuar të dëshmonin në favor të Hashim Thaçit dhe të tjerëve në këtë proces gjyqësor. Mbrojtja e Thaçit ka nisur paraqitjen e provave më 15 shtator të vitit 2025. Dëshmitarët e mbrojtjes, kryesisht zyrtarë të lartë perëndimorë me njohuri të drejtpërdrejtë të ngjarjeve, kanë filluar me James Rubinin, ish-ndihmëssekretar i Shtetit amerikan. Strategji e mbrojtjes ishte të argumentonte se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të qartë komanduese dhe se Thaçi, shpesh jashtë Kosovës dhe në rol politik, nuk ushtronte autoritet mbi operacionet. Rubini ka dëshmuar për tri ditë radhazi, ndërsa në sallë ishin të pranishëm si vëzhgues edhe zyrtarë aktualë të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh). Rubini ka dëshmuar se Thaçi “kishte eprorë nga të cilët duhej të merrte miratim” dhe se ai ishte “më shumë një fytyrë publike për t’u prezantuar në Perëndim”. “Hashim Thaçi duhej t’u drejtohej këtyre komandantëve të (UÇK-së) për informacion, njohuri, vendime… Kështu që, unë e kam parë duke treguar respekt ndaj tyre për çështjet përmbajtjesore të UÇK-së”, ka thënë Rubini.
Dëshmia e tij është mbështetur nga një sërë personalitetesh që e kanë pasuar atë në bankën e dëshmitarëve, nga Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i Kosovës, deri te Wesley Clark, gjenerali që kishte udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve të atëhershme jugosllave në vitin 1999. “Më kujtohet që e kam parë Thaçin, sepse ka qenë zëdhënës. Ishte i pastër, i veshur mirë, dukej më perëndimor se të tjerët. Nuk dukej se kishte qenë në mal, duke luftuar për një ose dy vjet rresht. Ishte e qartë se ai nuk ishte përgjegjës”, kishte thënë Clarku. Clark ishte dëshmitari i fundit i mbrojtjes, duke e përmbyllur dëshminë e tij më 18 nëntor të vitit 2025. Paraqitja e ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, para dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, për të dëshmuar për Hashim Thaçin, ka marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare.
Për dëshmitë në Hagë, konkretisht për atë të James Rubinit, ka folur ish-gjyqtari amerikan i EULEX-it, Dean Pineles, i cili ka thënë se Rubinu i njeh shumë mirë zhvillimet e asaj periudhe dhe se dëshmia e tij mund të rezultojë shumë e rëndësishme. “Mendoj se kjo mund të rezultojë të jetë shumë e rëndësishme. Së pari, James Rubini është një diplomat, ish-përfaqësues shumë i respektuar dhe me përvojë të madhe. Ai ka qenë në terren në Kosovë gjatë periudhës së luftës. Ai krijoi një marrëdhënie me Hashim Thaçin në konferencën e paqes në Rambuje të Francës. Rubini, gjithashtu, ka bashkëpunuar me të gjatë demilitarizimit të UÇK-së dhe ka krijuar disa opinione shumë të rëndësishme rreth hierarkisë së UÇK-së dhe rolit të Thaçit brenda asaj hierarkie. Ai ka arritur në përfundimin se z. Thaçi ishte në thelb fytyra e UÇK-së, por pa autoritet vendimmarrës dhe se ai nuk ishte në majën e hierarkisë që merrte të gjitha vendimet e rëndësishme në terren. Pra, mendoj se kjo dëshmi mund të jetë shumë domethënëse sepse nëse pranohet, ajo minon teorinë e prokurorisë në këtë rast, që ishte se ekzistonte një hierarki shumë e rreptë dhe se z. Thaçi dhe bashkëpërgjegjësit e tjerë ishin në krye të saj dhe kishin autoritet vendimmarrës, duke i bërë ata përgjegjës si pjesë e një ndërmarrjeje kriminale të përbashkët për të gjitha krimet dhe mizoritë që ndodhën gjatë asaj periudhe të luftës dhe menjëherë pas saj. Pra, mendoj se gjykata duhet ta shikojë shumë nga afër këtë dëshmi”, ka thënë Pineles.
Clarku: Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës apo hakmarrjes që kanë ndodhur në Kosovë
Gjenerali amerikan në pension me katër yje, Wesley Clark, i cili ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, në dëshminë e tij, më 17 tetor, e ka përshkruar UÇK-në si grup i pavarur, i motivuar për të luftuar, por pa zinxhir komandues. “Unë nuk kisha asnjë dyshim se ushtria serbe frikësohej prej tyre, por komandë dhe kontroll (të UÇK-së) apo një forcë të koordinuar nuk kam parë”, ka thënë Clarku.
Clarku ka thënë se Thaçi nuk ishte komandant ushtarak i UÇK-së. I pyetur nëse ka qenë e mundur që UÇK-ja të ketë pasur zinxhir komandues funksional me hierarki të plotë e NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të mos e kenë ditur, Clarku ka thënë shkurtimisht: “Jo”. “Më kujtohet që e kam parë Thaçin, sepse ishte zëdhënës. Ishte i pastër, i veshur mirë, dukej më perëndimor se të tjerët. Nuk dukej se kishte qenë në mal duke luftuar për një-dy vjet rresht. Ishte e qartë se nuk ishte përgjegjës aty, nuk komandonte aty”, ka thënë ai më 17 nëntor.
Clarku ka thënë se nuk besonte që Thaçi komandonte personat që kryen akte të dhunës pas çlirimit të Kosovës. Clarku është shprehur se nuk kishte dëgjuar për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe as nuk kishte informacione nëse Thaçi kishte luftuar ose jo. “Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj, por kam indikacione që dëshmojnë të kundërtën”, ka thënë Clarku, teksa u referohej pretendimeve të asaj kohe për dëbimin e rreth 170 mijë serbëve. Në fund të dëshmisë së tij, ai i kërkoi trupit gjykues që ta lejonte të jepte një vlerësim për rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai ka përsëritur bindjen që Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës apo hakmarrjes që kanë ndodhur në Kosovë. “E kam ndjekur këtë gjykim dhe i qëndroj bindjes së mëparshme që Hashim Thaçi nuk është përgjegjës për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë. Ai nuk mban përgjegjësi për aktet individuale të dhunës ose të hakmarrjes”, ka thënë Clarku, duke shtuar se UÇK-ja nuk ishte terroriste pasi pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e tyre.
Rubin: Roli i Thaçit ishte më shumë politik
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij më 16 shtator, ka thënë se UÇK-ja ishte pa “kontroll dhe komandë efektive”. “Nuk u thoshte Hashimi komandantëve se çfarë të bënin, por komandantët i thoshin atij”, ka thënë Rubinu. Sipas dëshmisë së tij, në qershorin e vitit 1999 në Kosovë nuk kishte një qeveri të përkohshme funksionale, dhe as një Shtab të Përgjithshëm të organizuar të UÇK-së. “Shpesh ata e ekzagjeronin, për ta krijuar përshtypjen se ishin më të organizuar sesa ishin në të vërtetë, dhe për të treguar se përqafonin parimet demokratike”, ka thënë Rubin.
Ai e ka përshkruar rolin e Thaçit në UÇK si politik, duke theksuar se nuk kishte autoritet të plotë mbi komandantët. Rubini ka thënë se marrëdhëniet e Thaçit me Shtetet e Bashkuara ishin të veçanta dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme për të. Ai ka theksuar se që nga takimi i parë, kishte krijuar përshtypjen se Thaçi e shihte Amerikën si simbol të fuqisë dhe si pasqyrim të asaj që ai e konsideronte si shtet i fortë dhe i besueshëm.
Hill: UÇK-ja, organizatë pa strukturë vertikale dhe pa organizim hierarkik
I dërguari i posaçëm i ShBA-së gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill, në dëshminë e tij, më 10 tetor, e ka përshkruar UÇK-në organizatë pa strukturë vertikale dhe pa organizim hierarkik. Hilli ka thënë se UÇK-ja tentonte ta bindte ShBA-në se ishte organizatë dhe ushtri e strukturuar mirë, por kjo nuk kishte bazë në terren. Ai ka thënë se përshtypja e tij ishte që Thaçi nuk ishte një figurë vendimmarrëse brenda UÇK-së, pasi ka kujtuar se gjatë negociatave në Rambuje atij i duhej të konsultohej paraprakisht me të tjerët brenda UÇK-së dhe nuk mund të merrte vendime krye më vete. Diplomati amerikan në pension ka thënë se nuk kishte informacione se Thaçi ishte përshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm të shkeljes të të drejtave të njeriut.
Durkee: UÇK-ja nuk kishte strukturë e organizuar mirë
Michael Durkee, ish-këshilltar i Wesley Clarkut, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ka thënë se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar mirë dhe se komandantët e zonave kishin autonomi të madhe. “Pra, nuk kishte një zinxhir të konsoliduar komande në kuptimin e koordinimit të autoritetit të drejtpërdrejtë të komandës, siç e kuptojnë në ushtritë perëndimore”, ka thënë ai. I pyetur nëse Hashim Thaçi mund ta ndalonte dhunën në atë kohë, ai e ka mohuar një gjë të tillë. “Nuk kishte kompetencë, nuk kishte autoritet Hashim Thaçi për ta bërë këtë gjë atëkohë. Ne kishim këtë përshtypje që nuk kishte një strukturë solide ose të konsoliduar komanduese që dikush të ishte në nivel të lartë në Prishtinë dhe të jepte urdhra të cilat më pas do të çonin në veprime ose në operacione të caktuara në terren nëpër zona operative. Komandantët e zonave operative kishin autonomi të konsiderueshme dhe ekzistonte vullneti i tyre për të vepruar me kokën e tyre kur ata e mendonin të përshtatshme”, ka thënë Durkee.
Duncan: UÇK-ja pa hierarki formale, Thaçi s’jepte urdhra
Ish-diplomati britanik John Stewart Duncan, këshilltar politik i ish-komandantit të NATO-s, Wesley Clark, gjatë viteve 1998-2001 ka dëshmuar në Hagë se UÇK-ja nuk kishte një hierarki ushtarake të formalizuar, por një organizim të shpërndarë ku pushteti real qëndronte te komandantët rajonalë, që e kishte detyruar NATO-n të bisedonte drejtpërdrejt me ta për çmilitarizimin. “Si rregull, NATO-ja do t’i ftonte komandantët e lartë dhe do të bëhej një marrëveshje në mes të gjeneralit Clark dhe cilitdo që do të ishte nga pala tjetër. Nuk do të shkonim kurrë në nivel rajonal. Kjo shërben për ta kuptuar strukturën hierarkike. Pra, si funksiononte atje”, ka thënë ai.
Sipas tij, Thaçi nuk kishte legjitimitet të plotë demokratik në atë kohë dhe shumë vendime kërkonin pëlqimin e komandantëve të zonave. Ai ka deklaruar se “nuk e ka parë” Thaçin të jepte urdhra apo direktiva.
Williamsi në Hagë: Thaçi kishte presion nga komandantët
Ish-këshilltari i ekipit të Kosovës në Rambuje, Paul Williams, ka thënë se Hashim Thaçi kishte presion nga komandantët lokalë. Ai ka theksuar se edhe Adem Demaçi po pengonte progresin e bisedimeve e që, si rezultat, Thaçi kishte shkuar ta takonte në Slloveni. “Kishte trysni nga jashtë, nga komandantët lokalë. Kishte presion ideologjik, kulturor, prej Adem Demaçit, i cili po pengonte progresin e negociatave. Po them me të ngjarë, po cenonte lëvizjen për realizimin e marrëveshjes. Prandaj, duhej trajtuar ky aspekt (pavarësia)”, ka thënë Williams.
Njeriu më i afërt i Bernard Kouchnerit: UNMIK-u nuk e ka trajtuar Thaçin si komandant
Jock Covey, ish-zëvendës në UNMIK i Bernard Kouchnerit, gjatë dëshmisë në Hagë, ka thënë se raporti i Hashim Thaçit me komandantët e UÇK-së kishte qenë i ndërlikuar. Madje ai ka thënë se komandantët kishin shfaqur mungesë respekti ndaj Thaçit. “Kur Jackosni pati nevojë t’i sillte komandantët e UÇK-së, t’i rivendoste aty, t’i bindte ata që t’i pranonin kushtet e zbatimit të marrëveshjes për krijimin e TMK-së, si organizatë civile e paarmatosur, KFOR-i ishte afër afatit kohor që ishte dhënë, dhe duhej ndihmë për t’i bindur komandantët që të jepnin përgjigje pozitive. Clarku bëri prezantim shumë të fuqishëm, të zgjatur për rëndësinë e legjendës së Cincinatit, bile hoqi edhe xhaketën e tij që ishte i paarmatosur, dhe iu nënshtrua kontrollit civil. Në fund të paraqitjes së Clarkut, Jackosni bëri pushim, njerëzit morën pije. Të gjithë ishin aty, përveç Thaçit, i cili qëndroi aty ku ishte. Komandantët e tjerë po bisedonin me gjeneralin Clark. Unë me qëllim nuk pata shkëmbime me Thaçin, as nuk kam shikuar në drejtim të tij. Si vëzhgues m’u duk se sjellja e tyre ishte përçmuese ndaj tij. Kishte shumë pak gjasa të kërkonin udhëzime, apo urdhra, apo t’i raportonin aktivitetet tek ai”, ka thënë Covey, duke shtuar se Agim Çeku ishte individi me më së shumti ndikim në UÇK. Ai ka thënë se UNMIK-u nuk e ka trajtuar Thaçin si komandant i UÇK-së. “Unë flas në emër të UNMIK-ut. UNMIK-u nuk e ka trajtuar atë (Thaçin) si komandant”, ka thënë Covey.
Liderët e UÇK-së do të mund të flasin nga 20 minuta gjatë paraqitjes së fjalëve finale
Sipas agjendës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi do të mund të flasin nga 20 minuta nëse duan në seancat e fundit. Prokuroria do ta ketë kohën e saj prej 5 orësh e 30 minuta ditën e hënë, më 9 shkurt. Të martën, më 10 shkurt, Prokuroria do të vazhdojë edhe prej 2 orë e gjysmë, pra 8 orë në total. Të martën, gjithashtu, do ta thotë fjalën përfundimtare avokati i viktimave që ka kërkuar dy orë kohë. Të mërkurën fjalën finale e thotë mbrojtja e Thaçit prej 4 orë e gjysmë. Të mërkurën pasdite, dhe të enjten, mbrojtja e Veselit, më pas e Krasniqit dhe e Selimit. Të hënën e 16 shkurtit trupi gjykues do të adresojë pyetje nëse ka. Të mërkurën, më 18 shkurt, do ta ketë kohën për përgjigje Prokuroria prej 2 orë e gjysmë, e më pas komente nga secili avokat mbrojtës, kurse krejt në fund janë fjalët finale nga krerët e UÇK-së, ku secili ka nga 20 minuta.
Gjyqi ndaj UÇK-së, Prishtina, Haga, Tirana, Strasburgu dhe Shkupi dhe Strasburgu për drejtësi
Gjatë vitit 2025 janë organizuar disa protesta në mbështetje të liderëve të UÇK-së të cilët janë duke u gjykuar në Hagë. Protesta e parë është mbajtur në muajin gusht në Prishtinë ku kishin marrë pjesë një numër i madh anekënd Kosovës, por edhe viset e tjera ku ka shqiptarë. Organizatorët e kësaj proteste, por edhe qytetarët, kanë vlerësuar se Gjykata Speciale është duke e deformuar historinë e Kosovës. Protestuesit e kanë cilësuar Specialen si kundër UÇK-së dhe kundër Kosovës. Motoja e protestës ishte “Kundër padrejtësisë! Në mbrojtje të UÇK-së dhe së vërtetës”. Të njëjtat thirrje janë dëgjuar edhe në Hagë, Tiranë, Strasburg dhe Shkup. Këto protesta, sidomos ajo në Tiranë, ishte masive sa i përket numrit të pjesëmarrësve. /Epoka e re/



