UÇK-ja është nyja e unitetit kombëtar shqiptar (17)

27 korrik 2020 | 11:14

Shkruan: Kudusi Lama

Pra, Kosova nuk kishte më asnjë alternativë për të jetuar në paqe duke ndërtuar të ardhmen për vete e për brezat që do të vinin. Kishte mbetur vetëm një alternativë që sillte me vete mjaft rreziqe. Ajo ishte lufta. Lufta u krye dhe prej saj lindi çlirimi për këtë popull të pushtuar, prej saj u arrit që kosovarët të mund të thonë para botës: “Kosova është jona. Kosova është truall shqiptar dhe e banuar historikisht prej shqiptarëve”.

Por të mbajmë në vëmendje se për zgjidhjen e problemeve jetike, populli shqiptar asnjëherë nuk është shkëputur nga elementet ndërkombëtare. Nëse i referohemi historisë, vërejmë se kur shqiptarët kanë pasur probleme madhore gjithnjë kanë kërkuar përkrahjen e kombeve të tjera të Evropës. E kanë dhënë ose jo përkrahjen e tyre evropianët, kjo ka qenë diçka tjetër. Kombi ynë, gjithashtu, ka qenë edhe mburojë evropiane në të gjitha momentet e vështira të saj.

Në rastin e luftës në Kosovë mbështetja ndërkombëtare fillimisht ishte e dobët, për të mos thënë se nuk ekzistonte fare. Por kur u pa se në Kosovë ishte një ushtri që kishte marrë përsipër t’i çlironte trojet e popullit të vet, natyrshëm filloi të shfaqet edhe vëmendja ndërkombëtare.

Angazhimi në këtë zgjidhje solli mbështetjen për të cilën Kosova dhe ushtria e saj çlirimtare kishin shumë nevojë. Mbështetja që ishte jo vetëm evropiane, por mbështetje botërore nëpërmjet politikës në përgjithësi dhe NATO-s, në veçanti në disa plane ishte me vlera të pazëvendësueshme për zhvillimet në Kosovë, prej të cilave veçojmë: Së pari, arriti ta shkurtonte ndjeshëm kohëzgjatjen e luftës; së dyti, zvogëloi numrin e viktimave në popullin e Kosovës; zvogëloi numrin e të rënëve në luftë nga radhët e UÇK-së dhe zvogëloi numrin e të vrarëve nga radhët e ushtrisë dhe të policisë serbo-sllave; së treti, zvogëloi shkallën e dëmeve materiale në territorin e Kosovës; së katërti, shpëtoi pa u shkatërruar flora dhe fauna e Kosovës; së pesti, nuk lejoi që forcat ushtarako-policore serbo-sllave të minonin tërë territorin e Kosovës, praktikë kjo të cilën e filluan; së gjashti, nuk lejoi që forcat ushtarako-policore serbo-sllave të shkatërronin plotësisht elementet historike dhe kulturore të Kosovës, gjë që e patën filluar; së shtati, në procesin e shpërnguljes së plotë nga Kosova, ndikoi në mbajtjen dhe në rritjen e moralit dhe të shpresës së popullit shqiptar, për arritjen e çlirimit të merituar; së teti, ndikoi në fuqizimin e shpejtë të UÇK-së; së nënti, e ktheu luftën e UÇK-së në luftë ndërkombëtare; së dhjeti, mbështeti mbijetesën e popullit të Kosovës në momentet e vështira të shpërnguljes së tij; së njëmbëdhjeti, krijoi kushte për rikthimin më të shpejtë të popullit të Kosovës në vendbanimet e tij.

Për këto faktorit ndërkombëtar do t’i jemi mirënjohës përjetësisht. Por duhet ta dijë se nuk e bëri vetëm për ne, por edhe për vete.

Në atë kohë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së funksiononte si një qeveri e luftës dhe kishte mungesë njohurish dhe shumë vështirësi për ta realizuar ketë detyrë.

Por, Qeveria e Luftës vepronte realisht plotësisht pranë fronteve. Kjo Qeveri e Luftës ishte e detyruar të kryente detyra shumë të vështira dhe me dinamizëm maksimal. Prej saj kërkohej të ideonte, krijonte, organizonte dhe pajiste njësitë e UÇK-së. Prej saj kërkohej të ndërtonte moralin e luftës, të ndërtonte një politikë të pranueshme nga populli dhe nga politika ndërkombëtare; të siguronte mobilizimin e trupave ushtarake; të ushqente ushtrinë, t’i siguronte nevojat materiale të luftës, të bashkëpunonte me popullin, të edukonte trupat luftarake për domosdoshmërinë e luftës dhe të fitores, ta siguronte jetën e popullit të rrezikuar nga masat e dhunshme serbo-sllave, t’i siguronte pronat e popullit që kishte braktisur banesat; ta siguronte jetën e popullatës në male; ta siguronte bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare, të krijonte efikasitet udhëheqës të strukturave financiare, për ta siguruar vazhdimësinë e jetës dhe të luftës në Kosovë, për ushtrinë dhe popullin që jetonte në male, t’i krijonte dhe t’i udhëhiqte mediat në shërbim të luftës dhe të jetës në Kosovë; të ndërtonte rrugë dhe strehë, të vendoste rend dhe të organizonte shërbim informativ. Të gjitha këto duhet të kryheshin në kushtet e luftës, në kushtet e malit, në kushtet e terrenit, jashtë komoditetit dhe qetësisë, jashtë normalitetit dhe sigurisë. Megjithatë, faktet treguan se edhe në këto kushte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së arriti të bëjë atë për të cilën Kosova kishte më së shumti nevojë – ta siguronte çlirimin nga kolonializmi serbo-sllav.

Kjo Qeveri e Luftës, e cila vetëm pas Rambujesë u deklarua si Qeveri e Përkohshme e Kosovës, këto detyra i kishte kryer që nga themelimi i UÇK-së. Ky ekip simpatik asnjëherë nuk u ndal për realizimin e obligimeve për ardhmërinë e Kosovës. Asnjëherë nuk u trondit nga deklarimet dhe nga angazhimi serbo-sllav për t’i zhdukur. Asnjëherë nuk u demoralizua nga dinamizmi i betejave të pabarabarta me forcat ushtarake-policore serbo-sllave.

Detyrat e Shtabit të Përgjithshëm dhe përgjegjësia e tij në udhëheqjen e jetës së luftës ishin të mëdha. Përveç ngarkesës maksimale, ata kërkonin për çdo drejtues edhe një lëvizje të vazhdueshme, për të komunikuar me trupat, me popullin, me diplomacinë botërore dhe me politikën ndërshqiptare e ndërkombëtare. Këto lëvizje nuk bëheshin me aeroplanë e as me automjete luksoze, por në këmbë, të ngarkuar edhe me armë e municione, si dhe në kushtet e rrezikut të vazhdueshëm të ndeshjes me armikun. Duhet ta mbajmë parasysh veçorinë e luftës në Kosovë, ku fronti mund të ishte gjithkund, armiku mund të ishte gjithkund, e papritura mund të ishte gjithkund, për shkak se lufta bëhej në një terren të cilin armiku e kishte pushtuar. Pikërisht, për këto shkaqe, Ushtria Çlirimtare ishte e detyruar të ishte e kudondodhur dhe, për rrjedhojë, edhe drejtuesit e saj duhet të ishin të kudondodhur.

E ardhmja do t’i japë vlerat reale të luftës çlirimtare të Kosovës. Ajo është autore e çlirimit të Kosovës, është autore e kthimit të vlerave kombëtare shqiptare në terrenet e mohuara, është autore e dinjitetit mbarëshqiptar, është simbol i qëndresës shqiptare, është pararoja e veprimtarisë për marrjen e të drejtave kombëtare nga të gjithë shqiptarët në gjithë trojet etnike në Ballkan, është pishtari i djegies përfundimtare të diktaturave, është shtrati i ecurisë kombëtare, është lavdia e historisë së Kosovës dhe i të gjitha trojeve shqiptare, është mburoja e të gjithë nevojtarëve dhe është ndihmëtarja e të pafuqishmëve.

UÇK-ja është nyja e unitetit kombëtar shqiptar.

UÇK-ja tregoi qartë se kombi shqiptar sado që të përpiqen ta zhbëjnë, ai vetëm forcohet, sado të përpiqen ta asgjësojnë – vetëm shtohet; sado të përpiqen ta djegin – vetëm pasurohet, sado të përpiqen ta shkatërrojnë – vetëm zbukurohet; sado të përpiqen ta përçajnë – vetëm bashkohet; sado të përpiqen ta injorojnë – vetëm burrërohet; sado të përpiqen ta dhunojnë – vetëm armatoset.

UÇK-ja është krenaria jonë, guximi ynë, vlera jonë, floriri ynë, forca jonë.

Lufta Çlirimtare e Kosovës, vepra madhore shqiptare e fundshekullit të njëzetë, u paraqit si fat i madh për shqiptarët, si pasqyrë e vullnetit, moralit, organizimit, atdhetarizmit, përkushtimit, unitetit, synimeve dhe objektivave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila është përfaqësuesja më madhore e idealeve kombëtare shqiptare.

Prandaj të mbahet parasysh se prania dhe vlera e saj shihet edhe në përgjigjet që kërkohet t’u jepen këtyre pyetjeve: Së pari: Kush luftoi në Kosovë për mbi dy vjet me forcat ushtarake-policore serbo-sllave? Së dyti: Pse ranë rreth dy mijë dëshmorë në Kosovë? Së treti: Pse ndërkombëtarët në Konferencën e Rambujesë, vëmendjen kryesore e përqendruan në bindjen e përfaqësisë së UÇK-së për bërjen e paqes? Së katërti: Pse erdhi NATO-ja në Kosovë dhe kush ishte forca tokësore e saj? Së pesti: Me kë luftuan për mbi dy vjet forcat serbo-sllave në Kosovë? Së gjashti: Kush i vrau mijëra ushtarakë serbo-sllavë në Kosovë, në vitet 1998-1999? Së shtati: Kush ishte pushteti i parë në Kosovë, pas Marrëveshjes së Rambujesë?  Së teti: Me kë mbajti lidhje bota moderne në Kosovë deri në marrjen e pushtetit prej UNMIK-ut? Së nënti: Pse u deshtë të bëhej akti ndërkombëtar i çarmatosjes dhe shpërndarjes së UÇK-së nga NATO-ja dhe UNMIK-u? Së dhjeti: Pse duhet të mbyllej Millosheviqi në Hagë? Këto mos t’i harrojmë sa herë të na kujtohet Gjykata Speciale e themeluar nën presionin botëror për të na lodhur burrat që bën luftën. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e njohur shqiptare Enca Haxhia i ka provokuar ndjekësit…