UÇK-ja krijoi historinë e re të Kosovës                

14 shkurt 2024 | 15:45

Hasan Mujaj

Më 17 shkurt 2008. Në Prishtinë lindi Vlora e dytë. Një ditë madhështore, e cila hyri në faqet e arta dhe më të ndriturat jo vetëm të historisë së Kosovës, por edhe në ato të Rilindjes Kombëtare Gjithëshqiptare e ndërkombëtare. Kosova, shtet i pavarur. Ky emërtim, i kësaj date, qe kryetitull i medieve botërore.

Kështu, këtë ditë, u përmbys një padrejtësi e madhe dhe u trupëzua një e drejtë kombëtare e ndërkombëtare siç u vërtetua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Sepse, Kosova ishte aneksuar nga Serbia nën masat e dhunshme të administrimit ushtarak që u vendos në Kosovë më 8 shkurt 1945 me seli në Prizren dhe ky aneksim, nën komandën e gjeneralëve serbë, u tumir edhe nga lideri jugosllav Josip Broz Tito! Do mbajtur parasysh fakti se, gjatë këtij administrimi, u vranë me mijëra shqiptarë.

Fjalimin historik të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, në Kuvendin e Kosovës, e mbajti kryeministri i Republikës së Kosovës, zotëri Hashim Thaçi. Këtë ditë festoi e tërë Kosova. Festoi Shqipëria. Mërgata shqiptare kudo që gjendet. Festuan shqiptarët e shteteve përreth Kosovës. Pra, e gjithë shqiptaria.

Qytetaret e qytetarët e të gjitha moshave, me të madh galdim e shendim, me fytyra të ngazëlluara e patos ndjenjash të zjarrta nga frymëzimi i lartë atdhetar, me këngë e valle kushtuar astritëve të UÇK-së dhe gjithë dëshmorëve të kombit, po i hyjnizonin e përhimnonin deri në kreshtë therorët e feniksët që u flijuan për këtë ditë, për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

Kjo fitore lapidare, çlirimtare, kombëtare dhe identitare, pati rrugë të gjatë, shumë të gjatë udhëtimi, mbi njëshekullor derisa u trupëzua një pjesë e idealit kombëtar.Vetëm një pjesë! Sepse, implikatura duhet të vazhdojë, por në përputhje me ecuritë e kohës …. Ky sendërtim, me shumë arsye, ndoqi disa faktorë si: strategjikë, historikë, politikë, lufta e armatosur dhe ndërhyrja ndërkombëtare.

Të frymëzuar nga e kaluara e lavdishme historike që nga koha e Gjergj Kastriotit dhe e heroizmit të këtij strategu zulmëmadh për ta zhvilluar identitetin kombëtar dhe për ta themeluar shtetin shqiptar, të inspiruar nga programi kombëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), nga Lidhja e Pejës (1899), të nxitur nga atdhetarizmi i kryengritjeve jehuese të malësorëve të viteve 1909 – 1912 për ta mbrojtur Shqipërinë etnike nga pretendimet rrëmbyese të territoreve autoktone shqiptare nga shtetet fqinje, shqiptarët e shpallën pavarësinë e Shqipërisë në Vlorën historike më 28 nëntor 1912.

Me gjithë këtë arritje historike, më shumë se gjysma e trojeve shqiptare mbeti jashtë kufijve të imponuar të shtetit shqiptar. Veprimtaria kombëtare shqiptare kundër rrëmbimit me luftë të krahinave të Shqipërisë etnike pati ecuri të gjatë lufte me penë e me armë edhe në Kosovë. Ajo, gjatë historisë, reagoi në vijimësi ndesh diskriminimit nacional që u bëhej shqiptarëve nga politika ekspansioniste e Milosheviqt për të vazhduar ajo e Vuçiqit gjithnjë deri në krimin e Banjskës. Dhe, sa më represive që bëheshin masat e pushtetit të dhunshëm të Beogradit zyrtar ndaj Kosovës, aq më masive dhe më aktive bëhej rezistenca shqiptare për të drejtat kombëtare.

Zatën burgosjet, dhuna, vrasjet e forma të tjera të krimeve ndaj shqiptarëve nga pushteti serb, qenë të vazhdueshme. Ato u ashpërsuan, sidomos nga viti 1956 nën diktatin e ministrit të Punëve të Brendshme, serbit antishqiptar A. Rankoviqit gjatë të quajturit “aksion i mbledhjes së armëve” të shqiptarëve të Kosovës. Ky qe “aksion…” i improvizuar ndesh shqiptarëve, i cili vazhdoi rreth dhjetë vjet, saktësisht deri në Plenumin e Brioneve që u mbajt në korrik të vitit 1966 kur u bë rënia e Rankoviqit nga pushteti, u bënë krime shumë të mëdha.

Kjo rezistencë u manifestua publikisht në vjeshtën e vitit 1968 nga demonstratat paqësore të studentëve në disa qytete të Kosovës: në Prizren, Pejë, Prishtinë etj., të cilat u zgjeruan edhe nga shtresat e tjera shoqërore si: intelektualë, bujq, zejtarë, nxënës etj. Kërkesat e demonstruesve qenë: përdorimi i lirë i Flamurit Kombëtar, themelimi i Universitetit të Prishtinës, vetëvendosja, avancimi i statusit politik të Kosovës në republikë etj.

Demonstratat e këtij viti shënuan një labërgim të veprimtarisë politike për të drejtat kombëtare. Si rrjedhojë e kësaj ecurie, vitet e 70-ta qenë të favorshme për Kosovën: u themelua Universiteti i Prishtinës, u lartësua statusi politik-kushtetues i Kosovës si njësi federale e Jugosllavisë në vitin 1974, u hap bashkëpunimi arsimor, shkencor e kulturor etj. me Shqipërinë, u hapën studimet pasuniversitare në degën e albanistikës dhe të historisë etj.

Këto arritje i dhanë shtysë përforcuese zhvillimit, konsolidimit e bashkërendimit të lëvizjes kombëtare, e cila, në demonstratat që u nisën nga studentët e Universitetit të Prishtinës më 11 mars 1981 dhe u bënë gjithëpopullore, kërkesë parësore qe ngritja e statusit politik të Kosovës në republikë. Demonstratat e këtij viti qenë masive e tërmet i shkallës së lartë dhe dridhën themelin e Jugosllavisë së atëhershme.

Zhvillimet politike në Kosovë, nga fundi i viteve të 80-ta dhe më tej në vijim, sa vinin e po ndërlikoheshin si pasojë e masave të dhunshme të pushtetit serb në të gjitha fushat e veprimtarisë, prandaj pasuan: përjashtimi nga puna i mijëra punëtorëve, mbyllja e institucioneve të arsimit të të gjitha niveleve, mbyllja e të gjitha medieve në gjuhën shqipe, vrasjet e burgosjet e veprimtarëve aktivë etj.

Zhvillimet vijuese do kundruar nga këta konstituentë: veprimtaria e faktorit politik shqiptar për zgjidhjen paqësore; ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar; imponimi i luftës së armatosur; dorëzimi i Serbisë dhe nënshkrimi i kapitullimit të saj në Kumanovë;  themelimi i institucioneve demokratike të Kosovës shtet.

Veprimtaria e faktorit politik

Qe fillimi i viteve të 90-ta. Fillimi i ndryshimeve të mëdha politike. Edhe në Kosovë kishte zënë e po vegonte një puhizë e demokracisë. Shqiptarët e Kosovës, masivisht e publikisht, braktisën diktaturën e sistemit komunist. Ata kërkonin demokracinë dhe sendërtimin e vullnetit të popullit. Ngjashëm u veprua edhe në disa njësi të tjera federale të ish- Jugosllavisë duke shënuar kështu rënien përfundimtare të saj.

Asokohe shqiptarët, me të drejtë, u përcaktuan për dy politika: politika e rezistencës paqësore dhe, në konspiracion, përgatitja për luftën e armatosur në rast dështimi të së parës. Politika e rezistencës paqësore, e cila drejtohej nga lideri demokrat dr. Ibrahim Rugova, bëri jehonë të madhe diplomatike ngase i arsyetoi dhe i afirmoi kërkesat e drejta të shqiptarëve për lirinë dhe demokracinë në relacionet më të larta ndërkombëtare. Ajo, nën masat e represionit e të gjenocidit të politikës së S. Milosheviqit ndaj shqiptarëve, krijoi sistemin e arsimit paralel në shtëpitë – “shkolla”, një lloj të vetëfinancimit simbolik, themeloi disa medie të pavarura informimi, një imitim të pushtetit paralel në disa komuna etj.

Kjo strategji (rezistenca aktive paqësore), në fillim, i duhej Kosovës për ta bindur faktorin ndërkombëtar se shqiptarët qenë për zgjidhjen paqësore, me dialog demokratik dhe se Beogradi zyrtar po bënte krime ndaj shqiptarëve të Kosovës. Prandaj, vitet e rezistencës aktive nuk qenë vite të humbura siç i quan një akademik yni në veprën me titull “Vite të humbura”; kjo politikë siguroi mbështetjen e faktorit ndërkombëtar sikundër u dëshmua më vonë.

UÇK-ja, shpëtimtarja e kombit shqiptar”- tha Ismail Kadare          

Pasi u vërtetua se politika e paqes nuk solli marrëveshje me një agresor që i vuri në veprim të gjitha mjetet e dhunës për t’i shkelur me forcat ushtarake e policore të gjitha të drejtat njerëzore e kombëtare të rreth dy milionë shqiptarëve të Kosovës, u imponua lufta e armatosur.

Tani doli publikisht një forcë e re; e vogël nga numri, por e madhe, shumë e madhe nga morali i luftës. Doli UÇK-ja, e cila, ndonëse me armatim modest, por e betuar përpara Flamurit Kombëtar për t’u flijuar për lirinë e Kosovës dhe, e mbështetur nga shtresat e gjera popullore, jo vetëm që fitoi disa beteja në përballjen me forcat ushtarake e policore serbe shumë më të mëdha në numër dhe me armatim modern, porse krijoi panik të paparë te njësitë e forcave të armatosura serbe. UÇK-ja zhvilloi luftë mbrojtëse dhe të drejtë. Ajo nuk bëri masakra mbi popullatën civile serbe siç bënë ushtria e policia serbe mbi popullatën e paarmatosur shqiptare; ajo nuk vrau fëmijë, gra e të moshuar siç vranë ushtria e policia serbe; ajo nuk dhunoi e nuk dogji vendbanimet e popullatës serbe sikundër dogjën shtëpi e banorë shqiptarë ushtria e policia serbe e krime të tjera. Këto veprime kriminale u vërtetuan edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krimet e luftës.

Masakrat e ushtrisë e të policisë serbe mbi popullatën civile shqiptare u bënë me diktatin e Beogradit zyrtar dhe u dëshmuan edhe në relacionet botërore si p.sh. masakra mbi familjen e komandantit të UÇK-së Adem Jashari në Prekaz për të vazhduar me masakrat në fshatrat: Reçak, Qyshk, Lybeniq, Meje, Krushë e Vogël, Likoshan e shumë të tjera, të cilat zgjuan ndërgjegjen e intervenimit të faktorit ndërkombëtar.

Intervenimi i NATO-s

Faktori ndërkombëtar bëri përpjekje të vazhdueshme që çështja e Kosovës të zgjidhej me dialog. Me gjithë vërejtjen se do të ketë intervenim për t’i ndërprerë masakrat mbi popullatën civile shqiptare, këto përpjekje i hodhi poshtë politika serbe, e bindur se Kosovën do ta nënshtrojë me forcë.

Pas refuzimit të Beogradit për ta nënshkruar marrëveshjen paqësore të Rambujesë dhe pas deportimit të dhunshëm të mijëra shqiptarëve nga vendbanimet e tyre, u imponua ndërhyrja e NATO-s, e cila, (ndërhyrje) në bashkërendim me UÇK-në, pas shtatëdhjetë e tetë ditësh të bombardimeve të objekteve e të caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe në Serbi, detyroi nënshkrimin e dorëzimit të Serbisë dhe përjashtimin e të gjitha forcave ushtarake e policore serbe nga Kosova. Kështu politika e Milosheviqit, pjesëmarrës i së cilës ishte edhe A. Vuçiqi, e humbi luftën, d.m.th. e humbi Kosovën, nga e cila, vijuesi i politikës së tij- Vuçiqi, po provon ta aneksojë pjesën veriore të saj. Liria e Kosovës u fitua me flijime të mëdha: me mijëra viktima të popullatës civile shqiptare nga krimet e forcave serbe; shumë sypetritë të UÇK-së ranë dëshmorë të kombit në fushëbeteja, u bënë djegie të shtëpive dhe vjedhje të pasurive të shqiptarëve nga ushtria e policia serbe.

Themelimi i institucioneve demokratike të Kosovës

Themelimi i institucioneve të reja demokratike doli nga rezultati i zgjedhjeve të lira e demokratike të Kosovës, të cilat, siç u vlerësuan edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, qenë korrekte e të drejta. Në këtë mënyrë Kosova dha prova të pakontestueshme se ishte e përgatitur të funksionojë si shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe do të jetë faktor paqeje e stabiliteti në rajon.

U bë konstituimi i Kuvendit të Kosovës, u hartuan dhe u miratuan shumë ligje të reja në frymën e demokracive të avancuara, u hartua dhe u miratua Kushtetuta e shtetit, u themelua Gjykata Kushtetuese e shumë institucione të tjera.

Si kriter i radhitjes së kokonstituentëve me relevancë vendimtare për lirinë e pavarësinë e Kosovës, u mor faktori kronologjik si në vijim: Ushtria Çlirimtare e Kosovës; Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në atë kohë, në mandatin president të B. Klintonit; në krye me ShBA-në, edhe shtetet e fuqishme me forcë të madhe ndikimi si: Britania e Madhe me në krye kryeministrin T. Bler, Gjermania, Italia, Franca etj.; mërgata shqiptare anekënd shtrirjes së saj në përmasat botërore si me mjetet financiare, ashtu edhe me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në luftën e armatosur; qarqet intelektuale dhe akademike me fjalime, reagime e publikime të ndryshme; gazetarët e medieve të shkruara dhe elektronike që pasqyronin të vërtetën për krimet e ushtrisë e të policisë serbe në Kosovë; politika konstruktive dhe diplomacia e Shqipërisë me jehonë, sidomos në relacionet ndërkombëtare dhe me mbështetjen e gjerë në disa aspekte të luftës dhe të mikpritjes së qytetarëve të deporuar me dhunë nga ushtria e policia serbe etj.

Republika e Kosovës u pranua shtet i pavarur nga mbi njëqind e dhjetë shtete.

Lavdi e përhershme të gjithë dëshmorëve të kombit!

Gëzuar 16-vjetori i pavarësisë së Kosovës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rey Manaj po spikat gjithnjë e më shumë në Turqi.…