Ujkani: Beteja jonë, t’i mbajmë investitorët e jashtëm

09 maj 16:19

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Emrush Ujkani, ka thënë se në kohën kur pandemia Covid-19 ka përfshirë botën, mënyra e të bërit biznes në aspektin global ka ndryshuar, duke përfshirë këtu edhe Kosovën.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ujkani ka thënë se tanimë beteja e vendit tonë është në mbajtjen e investitorëve të huaj që kemi këtu në Kosovë.

Sipas tij, fatkeqësisht viteve të fundit nuk kemi ndonjë storie suksesi sa i përket tërheqjes së investitorëve të huaj.

Po ashtu, në këtë intervistë Ujkani ka folur dhe për klimën e të bërit biznes në Kosovë si dhe për raportin me vendet e rajonit.

“Duhet të jemi të kujdesshëm në çështjen lidhur me klimën e të bërit biznes dhe tërheqjen e IHD-ve. Në aspektin e klimës së të bërit biznes janë ndërmarrë shumë reforma dhe kjo pashmangshëm e ka krijuar një kuadër të përshtatshëm ligjor deri në një masë për të bërë biznese, në anën tjetër tërheqja e IHD-ve mbetet sfidë ende për vendin tonë. Në këtë drejtim na duhet të gjithë të punojmë më tepër, të kemi stabilitet politik në vend dhe të punojmë në atraktimin e investitorëve të huaj duke përdorur iniciativa të ndryshme fiskale dhe jofiskale. Ne si Këshill jemi të motivuar që krahas mbrojtjes së interesave të investitorëve evropianë në vendin tonë, të punojmë edhe në tërheqjen e investimeve direket nga jashtë”, ka thënë Ujkani.

Albulena S. MAVRAJ

“Epoka e re”: Z. Ujkani, meqë jemi në kohë pandemie, cilat janë indikacionet e para sa u përket IHD-ve në Kosovë?

Ujkani: Fillimisht me lejoni të them se investitorët e huaj në Kosovë sikur edhe në çdo pjesë tjetër të ekonomisë së tregut të lirë në vendin tonë janë ndikuar nga pandemia Covid-19. Megjithatë, në kohën kur po flasim është ende herët për të folur me shifra konkrete se sa do të jetë dëmi i shkaktuar. Përveç aspektit financiar, Covid-19 ka ndryshuar në tërësi mënyrën e të bërit biznes dhe kjo tashme na konfirmohet edhe në takimet individuale që kemi me secilin nga investitorët e huaj në vendin tonë.

 “Epoka e re”: Çfarë disponimi kemi te investitorët e huaj në Kosovë dhe a pritet të kemi rënie si pasojë e kësaj pandemie?

Ujkani: Është vërtetë për t’u vlerësuar lartë fakti se përkundër të gjitha vështirësive të shfaqura pas përhapjes së pandemisë dhe veçanërisht vendosjes së masave restriktive nga ana e qeverisë, investitorët e huaj në vendin tonë kanë vazhduar t’i kryejnë aktivitet e veta biznesore në suaza të asaj që ka qenë e lejuar edhe me ligj. Të njëjtit në disa raste kanë propozuar masa te qeveria se si të dilet nga kjo krizë.

 “Epoka e re”: Në mbledhjet e rregullta që i keni në KIE, cilat sfida janë adresuar nga investitorët e huaj?

Ujkani: Në këtë kohë të pandemisë kontaktet tona si KIE kanë qenë natyrisht më të kufizuara, mirëpo përmes takimeve virtuale kemi arritur të diskutojmë dhe analizojmë shqetësimet e secilit anëtar me qëllimin e vetëm t’u japim zgjidhje këtyre shqetësimeve. Si KIE në fund të vitit që lamë pas kemi aprovuar planin dinamik të punës për vitin 2020, mirëpo i cili plan për shkak të rrethanave të krijuara na është dashur që ta përshtatim me realitetin e krijuar. Një ndër sfidat kryesore të cilat kanë hasur investitorët e huaj në Kosovë, e që besoj se vlen për të gjitha bizneset në vendin tonë, kanë qenë periudhat kur ka pasur ndryshime të shpeshta lidhur me lirinë e lëvizjes dhe shpeshherë janë krijuar situata konfuze ku anëtarët kanë shprehur shqetësimet e tyre.

“Epoka e re”: Si është pritur pakoja emergjente e qeverisë nga investitorët e huaj dhe a kanë aplikuar që të jenë pjesë e kësaj pako?

Ujkani: Në disa raste veç jemi njoftuar se kanë aplikuar për të përfituar, por është një numër shumë i vogël dhe janë ato biznese që kanë pasur vështirësi për arsye të ndryshme edhe para pandemisë Covid-19. Sa i përket vet pakos, ne si KIE e kemi mbështetur nga fillimi qeverinë në ndërmarrjen e një veprimi të tillë, anipse kemi konsideruar se është dashur të bëhet edhe më tepër.

“Epoka e re”: A do të duhej që Qeveria e Kosovës ta ketë një pako të veçantë për IHD-të?

Ujkani: Jo, nuk e besoj se do të duhej të kishte pako të veçantë, pasi mendoj se qeveria e ka për detyrë që këtyre investitorëve t’ju ofrojë kushte dhe t’i lehtësojë ato sa më shumë që është e mundur kur kemi të bëjmë më të bërit biznes.

 

“Epoka e re”: Marrë shkas edhe nga situata politike, dua t’ju pyes për IHD-të. Sa do të ndikojë kjo në rënien e investitorëve të huaj?

Ujkani:  Ju e dini se viteve të fundit për fat të keq nuk është që kemi pas një storie të mirë lidhur me ardhjen e investitorëve të huaj në vendin. Përkundrazi, beteja kryesore ka qenë dhe vazhdon të jetë mbajtja në vendin tonë e këtyre që kemi. Cili do të jetë ndikimi i Covid-19, edhe në këtë aspekt do të mbetet të shihet në ditët dhe muajt e ardhshëm pasi mendoj se është ende herët të flitet për një gjë të tillë.

 “Epoka e re”: Si qëndron Kosova në raport me vendet e rajonit sa i përket klimës së biznesit dhe tërheqjes së IHD-ve?

Ujkani: Duhet të jemi të kujdesshëm në çështjen lidhur me klimën e të bërit biznes dhe tërheqjen e IHD-ve. Në aspektin e klimës së të bërit biznes janë ndërmarrë shumë reforma dhe kjo pashmangshëm e ka krijuar një kuadër të përshtatshëm ligjor deri në një masë për të bërë biznes. Në anën tjetër tërheqja e IHD-ve mbetet sfidë ende për vendin tonë. Në këtë drejtim na duhet të gjithë të punojmë më tepër, të kemi stabilitet politik në vend dhe të punojmë në atraktimin e investitorëve të huaj duke përdorur iniciativa të ndryshme fiskale dhe jofiskale. Ne si Këshill jemi të motivuar që krahas mbrojtjes së interesave të investitorëve evropianë në vendin tonë të punojmë edhe në tërheqjen e investimeve direket nga jashtë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
S’ka asnjë si Maradona sipas Fabio Cannavaros. Lionel Messi “është…