Ujkani: Pa zhvillimin e sektorit privat vështirë se mund të ketë rritje ekonomike

04 nëntor 2019 | 14:46

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë (KIE), Emrush Ujkani, ka thënë se pa zhvillimin e sektorit privat vështirë se mund të kemi rritje ekonomike në Kosovë. Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se sektori privat duhet të jetë konkurrues me vendet e rajonit. Ujkani ka treguar se me trendin aktual është e pamundur që Kosova të jetë konkurrente me tregjet e rajonit e lëre më gjerë. Sipas tij, shteti ynë ka nevojë për përmirësime të mëtutjeshme në ata sektorë ku Republika e Kosovës ka marrë obligime karshi Marrëveshjes për Stabilizim Asocim (MSA). Ujkani ka thënë se ka nevojë për reforma të ligjeve bazike për të bërit biznes, pastaj për reforma në procedurat administrative të cilat nganjëherë janë të stërzgjatura

Intervistoi: Albulena S. MAVRAJ

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë (KIE), Emrush Ujkani, ka bërë me dije se institucioni që drejton ka objektiv të krijojë sienergji të re bashkë me aktorët e tjerë relevantë të sektorit privat, në mënyrë që të ndodhë një platformë e përgjithshme së bashku me asociacionet e tjera e cila do të jetë në mbrojtje të interesave të tyre të përgjithshme. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se sektori privat duhet të jetë konkurrues me vendet e rajonit. Ujkani ka treguar se me trendin aktual është e pamundur që Kosova të jetë konkurrente me tregjet e rajonit e lëre më gjerë. Ai ka theksuar se pa zhvillimin e sektorit privat vështirë se mund të kemi rritje ekonomike në Kosovë. Sipas Ujkanit, shteti ynë ka nevojë për përmirësime të mëtutjeshme në ata sektorë ku Republika e Kosovës ka marrë obligime karshi Marrëveshjes për Stabilizim Asocim (MSA). Ai ka thënë se ka nevojë për reforma të ligjeve bazike për të bërit biznes, pastaj për reforma te procedurat administrative të cilat nganjëherë janë të stërzgjatura.

“Epoka e re”: Z. Ujkani, na tregoni çfarë e karakterizoi punën tuaj prej se jeni në krye të Këshillit të Investitorëve Evropianë (KIE) dhe cilat janë objektivat e juaja?

Ujkani: Udhëheqja e Këshillit të Investitorëve Evropianë, para se të them se është privilegj, mendoj se është përgjegjësi e madhe pasi duhet të jemi të kujdesshëm që interesat e tyre, pra të investitorëve evropianë të mbrohen dhe në të njëjtën kohë këto interesa të kapitalizohen duke filluar me mbrojtje nga pengesat që mund të jenë të karakterit legjislativ, administrativ apo edhe politik. Tani objektivi ynë në krye të këtij mekanizmi është që të krijojmë sienergji të re bashkë me aktorët e tjerë relevantë të sektorit privat që të kemi një platformë të përgjithshme së bashku me asociacionet e tjera e që do të jenë në mbrojtje të interesave të tyre të përgjithshme e më pastaj t’ua dërgojmë institucioneve të Kosovës në një të ardhme të afërt, që përmes kësaj do të jetë një strategji e inkorporuar e të gjitha asociacioneve një nga një. Këshilli natyrisht se ka një detyrë që t’i mbrojë interesat e anëtarëve të vet viza-vi të institucioneve shtetërore, pasi duke i promovuar interesat e anëtarëve tanë mendojmë se promovojmë dhe mbrojmë interesin e përgjithshëm të vendit dhe shoqërisë sonë në një kuptim më të përgjithshëm.

“Epoka e re”: Si e vlerësoni ambientin e të bërit biznes në Kosovë?

Ujkani: Kur i referohemi kësaj çështje zakonisht merret për bazë raporti i Bankës Botërore. Të them të drejtën, nuk është një nga raportet që domosdoshmërisht duhet të merret si kriteri kryesor për matjen e ambientit biznesor, pasi përtej asaj çfarë thuhet në këtë raport, ka shumë gjëra të tjera që duhet të shikohen dhe se realiteti është pak më ndryshe. Mendoj se ka nevojë për përmirësime të mëtutjeshme në ata sektorë ku Kosova ka marrë obligime karshi Marrëveshjes për Stabilizim Asocim (MSA) dhe që këto obligime në rend të parë duhet t’i kontribuojnë fuqizimit të konkurrueshmërisë, pasi sektori ynë privat duhet të jetë konkurrues, e që me trendin aktual mendoj se është e pamundur të jemi konkurrentë me tregjet e rajonit, e lëre më gjerë. Mendoj se ka nevojë për reforma të ligjeve bazike për të bërit biznes, pastaj disa procedura administrative të cilat nganjëherë dinë të jenë të stërzgjatura duhet të përmirësohen, respektivisht lehtësohen. S’duhet të harrojmë dy faktorë të rëndësishëm të të bërit biznes. Përveç aspekteve që i përmenda ne, duhet ta kemi një qeverisje që bazohet në ligje, pasi vetëm kështu mund të kemi një klimë adekuate të të bërit biznes. Po ashtu, duhet të kemi edhe një gjyqësor që duhet t’i adresojë dhe zgjidh në një kohë më optimale lëndët gjyqësore. Rrjedhimisht ne si KIE jemi mbështetës të rithemelimit të Gjykatës Ekonomike. Kur jemi te gjyqësori dhe sundimi i ligjit, mendoj se edhe format alternative të zgjedhjeve të kontesteve duhet të jenë inkurajuese për çfarëdo kontesti që mund të kenë bizneset. Unë flas këtu për anëtarët tanë që jemi për t’i mbrojtur interesat e tyre, por edhe në përgjithësi për interesat e sektorit privat, pasi pa zhvillimin e sektorit privat vështirë se mund të kemi rritje ekonomike.

“Epoka e re”: Sa është numri i anëtarëve në Këshillin e Investitorëve Evropianë?

Ujkani: Për momentin kemi një numër të kënaqshëm të anëtarëve marrë parasysh që rregullat statutore të këshillit parashohin që anëtarët në EIC mund të jenë vetëm ato biznese që kanë kapital nga vendet e Bashkimit Evropian apo vendet evropiane. Një rregull e tillë ndoshta na penalizon për ta rritur numrin e bizneseve që janë anëtare të EIC-së, por që është standard në statut dhe, si i tillë, jam i detyruar ta respektoj në maksimum. Tekefundit, nuk kemi si qëllim final vetëm rritjen e numrit të anëtarëve dhe të kemi shifra kuantitative, por qëllim kemi promovimin dhe mbrojtjen sa më efikase të të drejtave të anëtarëve tanë. Ne kemi kërkesa të reja për anëtarësim dhe jemi në negociata për të pasur së shpejti edhe anëtarë të rinj.

“Epoka e re”: Për cilët sektorë është interesimi më i lartë nga anëtarët e KIE-s?

Ujkani: Natyrisht për sektorin financiar, atë të sigurimeve, sektorin e naftës, sektorin e prodhimit dhe shitjes. Këshilli, krahas platformës për mbrojtjen e interesave të anëtarëve të vet që ta ndihmojë sektorin privat në Kosovë dhe t’i vë në kontakt me investitorët evropianë, tani jemi duke punuar dhe jemi në kontakt me Zyrën e Bashkimit Evropian që fillimisht interesat e anëtarëve tanë t’i promovojmë edhe më tej përmes asistencës së Bashkimit Evropian.

“Epoka e re”: IPKO-ja është anëtare e KIE-s. Kjo kompani do ta vazhdojë veprimtarinë edhe më tutje në Kosovë?

Ujkani: Të them të drejtën, IPKO  është një nga anëtarët tanë me statut të privilegjuar dhe është një prej anëtarëve themelues të KIE-s. Ne jemi në kontakte të rregullta dhe meqë jemi në kohën kur po e ristrukturojmë dhe kemi vendosur disa objektiva strategjike, si KIE ende nuk kemi ardhur në këtë pikë që ta diskutojmë këtë çështje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vijon momenti i mirë në kampionat për skuadrën e Lakers,…