Ukë Rugova i bashkohet LDK-së në ditëlindjen e Ibrahim Rugovës
02 dhjetor 2025
| 10:00
Ukë Rugova, i biri i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, sot pritet të aderojë zyrtarisht në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Me këtë rast, ai pritet të përfshihet edhe në listën e kandidatëve për deputet të kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme.
Aderimi i tij më 2 dhjetor mban një simbolikë të veçantë, pasi kjo datë përkon me ditëlindjen e Ibrahim Rugovës, themeluesit të LDK-së dhe figurës qendrore të historisë politike të vendit.
Ky hap shihet si rikthim i familjes Rugova në skenën politike përmes LDK-së, parti të cilën Ibrahim Rugova e udhëhoqi për shumë vite dhe e shndërroi në një prej forcave kryesore të skenës politike kosovare.



