Ukëhaxhaj: Pas marsit të ’98-s detyra ime kryesore ishte t’i bind mërgimtarët që ta ndihmojnë UÇK-në

13 nëntor 2018 | 16:21

Profesori dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Hasan Ukëhaxhaj, në pjesën e dytë të intervistës dhënë gazetës “Epoka e re”, ka bërë me dije se pas marsit të ’98-s detyra e tij kryesore ishte t’i bindë mërgimtarët që ta ndihmojnë UÇK-në.

Në këtë intervistë Ukëhaxhaj flet edhe për aktivitetin e vet në Gjermani në kuadër të LPK-së dhe për kthimin në Kosovë në qershor të ’99-s, kur ishte emëruar zëvendësministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshme të drejtuar atëkohë nga Hashim Thaçi si dhe për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë

“Epoka e re”: Edhe një pyetje shtesë: Ç’konotacion kishin parullat e brohoritura?
Hasan Ukëhaxhaj: Prapë shkurtimisht mund të thuhet se trungu i tyre ishte kërkesa për Kosovën Republikë, të tjerat ishin degët që e justifikonin atë: me të parën kërkohej shkëputja e saj nga Serbia, e cila Kosovën e shfrytëzonte si koloni. Ky raport shprehej nëpërmjet parullës ‘Trepça punon, Beogradi ndërton’, pra një eksploatim deri në palcë. Ndërkaq, me të tretën, e me të tjerat nuk po vazhdoj, ‘Jemi shqiptarë, s’jemi jugosllavë’ shprehej kundërshtimi i vendosur i platformës, prapavija e së cilës ishte jo vetëm shoviniste, por edhe raciste. Nga ‘letra’ atë patën filluar ta jetësojnë përmes një demagogjie se gjoja ajo ishte një nismë e natyrës vullnetare e më vonë, kanë llogaritur ‘programerët’ e saj do ta akreditonin si të detyrueshme… S’është vështirë të kuptohet se me ç’stuhi do të përballeshin shqiptarët në një të ardhme të afërt. Ishte kjo një kopje që shovinistët serbë e morën nga perandoria e stepeve e cila qe përpjekur për ta krijuar ‘kombin sovjetik’. Po ia bëj një pyetje vetes: Çka u arrit me demonstratat e vitit 1981: Levën kohezive antishqiptare me emrin ‘bashkim-vëllazërim’ aso pranvere shqiptarët e palosën në arkivol dhe e dërguan për Beograd. Pra, kurrë Serbia nuk e paqtoi më Kosovën. As Jugosllavia nuk arriti më kurrë të stabilizohet. Kurrë më Lëvizja ilegale nuk e ndërpreu veprimtarinë e vet derisa arriti ta formojë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Këto janë vetëm disa prej vlerave të pranverës së vitit 1981. Ata që mendojnë se demonstratat nuk ishin në të mirë të kauzës kombëtare më së miri është që të mos ndalem asnjë moment rreth dërdëllitjeve të tyre.

“Epoka e re”: A mund të na thoni diçka rreth veprimtarisë së Komitetit të Deçanit para dhe gjatë demonstratave?
Hasan Ukëhaxhaj: Aq sa është e mundur në suazat e një interviste. Në kuadër të Komitetit vepronte edhe grupi i të rinjve që ndryshe quhej Grupi i Shqiponjave, në strukturën e të cilit nuk mungonin edhe veprimtarë që e kishin kapërcyer moshën e cekur. Veprimtaria e tyre kishte karakter krejtësisht praktik. Konkretisht shpërndarjen e materialit propagandistik, shkrimin e parullave dhe veprime të tjera të ngjashme. Këtu po e jap vetëm një të dhënë: gjatë vjeshtës së tetëdhjetës dhe në muajt janar e shkurt të vitit historik janë shpërndarë më se dyqind ekzemplarë të ‘Lajmëtarit’ anekënd Kosovës. Aktiviteti mori përmasa edhe më të mëdha pas 11 marsit, respektivisht pas 1 prillit. Edhe për këtë një të dhënë: Veprimtarët e Grupit Shqiponja, përveç të tjerave që po i kapërcej, dy herë i kanë shpërndarë afishet anekënd fshatrave të Komunës së Deçanit, përmes të cilave populli thirrej për të dalë në demonstratë. Po ku të dilte? Edhe ekspertët ushtarakë e konsiderojnë konfiguracionin si një faktor të rëndësishëm që mund ta sjellë fitoren, përkatësisht humbjen e betejës. Pra, ku të dilnin? Në qendrën e vogël të Deçanit e cila, përveçse me policë, ishte e mbushur edhe me ushtri, meqë konsiderohej zonë ushtarake. Në ato rrethana nuk kishte mundësi të bashkoheshin as pesë veta. Meqë Komiteti i Deçanit ishte qendra e LNÇ-së në ato vite nuk do të ishte korrekte sikur ta kapërceja veprimtarinë e Komitetit të Drenasit dhe të atij në formim e sipër në Mitrovicë. I pari pas 11 marsit e zhvilloi një veprimtari të lakmueshme e cila u kurorëzua me organizimin e demonstratës në qendër të qytezës. E njëjta mund të thuhet për veprimtarët në Mitrovicë, madje edhe për celulën e Llapit. Veprimtaria nuk mund të mos e kishte koston që të kristalizohej në tri fazat e njohura: arrestimet, hetimet dhe gjykimet, të cilat janë hallakat e një zinxhiri që u ‘rrah’ në kullat e Pejës, Prishtinës dhe të Mitrovicës. Meqë s’më takon për të tjerët, po i kapërcej edhe të miat, por jo ato të Ismailit, i cili është përballur me vështirësitë më të mëdha të cilat i përballoi burrërisht. Të ‘kallajisura’ nga Gjykata Supreme rezultuan 12 vjet për Ismailin e ne të tjerët pas tij. Dënime të larta morën edhe anëtarët e Komitetit të Drenasit e të Mitrovicës.

“Epoka e re”: Për vështirësitë në kazamatet e Jugosllavisë, do të na thoni diçka?
Hasan Ukëhaxhaj: Po e përsëris, aq sa mund të thuhet në një intervistë. Pas gjashtë muajve para e pas gjykimit në burgun e Pejës, në një nga ditët e gjysmës së parë të nëntorit, se data e saktë nuk po më kujtohet, vetë të gjashtin më dërguan në burgun e Prishtinës. ‘Transferimi’ vazhdoi menjëherë për në ShNK të Nishit, tanimë të shoqëruar nga serbianët. Të tretën e dënimit e mbajta sikur shokët e tjerë që kishim dënime pak më të larta në repartin e izolimit. Pra, në ’84-n u bashkova me të tjerët, atyre që na prisnin. Mal, për t’i përshkruar ato vite duhen faqe të tëra, prandaj po e ndërpres rrëfimin. As emra nuk përmenda, se janë  shumë. Por nuk mund të mos e theksoj se harmonia në mes të shokëve ka qenë në shkallë të lakmueshme, prandaj po e shfrytëzoj rastin që përmes kësaj interviste t’i falënderoj publikisht të gjithë ata të rinj, kundruall moshës sime, për konsideratën e të tjera që po i kapërcej. Vështirësi kemi pasur, por ato përballoheshin edhe më lehtë kur ishim të gjithë bashkë: edhe kur dënoheshim me izolim, edhe kur bënim grevë urie etj. Më 22 apo 23 prill të ’90-s na komunikuan mua dhe Hysen Gegës se pas një ore do të jemi të lirë. Natyrisht se u habitëm, meqë nuk e pritnim. Na bashkuan me Kadri Llugaliun nga Llapi dhe Sylë Muajn nga Rugova në drejtorinë e burgut prej nga na përcillen përtej mureve. U nisëm për në stacionin e autobusit. Sa qesh befasuar kur m’u tha ajo që e ceka, edhe më tepër familja kur shkova në shtëpi.

“Epoka e re”: Jeni liruar nga burgu në kohën kur Kosova përballej me shumë sfida. A patët vështirësi për t’u ‘akomoduar’ pas një dekade?
Hasan Ukëhaxhaj: Mal, edhe këtu shkurtimisht, ndoshta te bezdisa me këtë ‘refren’, por s’kam çfarë të bëj. Vështirësitë ishin të natyrës objektive, megjithatë, përveç rrethit familjar, ishin edhe shokët që kishin dalë më përpara nga burgu (Ismaili është liruar 6 muaj pas meje) më ndihmonin për t’u ‘ambientuar’. Në verën e ’90-s me Ramadan Shalën dy herë e kërkuam bacën Adem, por nuk e gjetëm. Ndërkaq, në vjeshtën e vonë, pasi e kishte vizituar në fshatin Isniq një ish të burgosur, erdhi në Carrabreg bashkë me veprimtarin e shquar Ahmet Haxhiun. Pas një ore më tha se do ta vazhdojmë rrugën për në Gllogjan, për ta vizituar Ismailin që sapo kishte dalë nga burgu, pastaj u nis për në Gjakovë për t’i takuar bashkëveprimtarët e vjetër. Në pranverën e vitit ’91, dy shokët të cilët i takova në Prishtinë, më thanë se baca Adem kishte pak punë me ty. Shkova dhe, siç e kishte zakon, menjëherë ma tha atë që e kishte planifikuar: ta formoj këshillin… për Komunën e Deçanit. Ia pranova propozimin pa kurrfarë hezitimi. Kur u ktheva, i thashë vëllait si me shaka ‘vizita e bacës Adem po do me na dalë dardhë me bisht’. Kur ia sqarova se për çfarë ishte fjala, më tha: ‘S’ke çka matesh, pas tij ose pas askujt’. Nuk është modeste, por po dua t’i dal hakut vëllait, ndonëse më duhet të kthehem në verën e vitit ’81. Isha ende nën hetime. Kishte ardhur nga bjeshka dhe të autorizuarve ua kishte kërkuar një takim të shkurtër me mua. Ia kishin lejuar pas këmbënguljes së tij dhe në prani të njërit, prej tyre më tha: ‘Ti edhe këta që të kanë marrë, por tash po e di edhe unë, erdha me të thanë se për familjen, sa të jem gjallë, mos baj dert. Të tjerat i di ti vetë’. Mal, edhe një episod nuk mund ta kapërcej. Është janari i ’91-shit: shokët nga ana e Gjilanit i përkujtuan heronjtë e rënë afër Shtutgartit dhe nuk pat kurrfarë ndërhyrjesh nga ana e policisë. E organizuam edhe ne përvjetorin e rënies së tyre në një sallë kooperative në fshatin Isniq, se në Deçan ishte krejtësisht e pamundur. Pak para se ta përfundojmë tubimin, policia, e cila kishte ardhur me autoblinda, na dha ultimatumin ndërpriteni vetë ose jua ndërpresim ne. E zgjodhëm të parën, prandaj u larguam pa asnjë incident, por pas dy orësh më arrestuan në shtëpi. Në gjykatë më dënuan dy muaj me kusht, me akuzën për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Deri në qershorin e ’94-s edhe tri herë më kanë arrestuar për punën që e kryeja në kuadër të Këshillit për të Drejtat e Njeriut. U ktheva edhe te nxënësit nëpër shtëpitë – shkolla. Me kërkesën e mjedisit u ktheva edhe në politikë: në vjeshtën e ’93-s u zgjodha anëtar i kryesisë së LDK-së për Degën e Deçanit. Mal, këto ishin tri fushat që u përpoqa ‘të akomodohem’ dhe besoj se ia pata arritur. Ndërkaq, kur s’e prisja, në qershorin e ’94-s, më erdh një lajm shqetësues, por para se ta ‘lexoj’ një parantezë me katër pesë rreshta: nga Kosova qenë larguar disa prej shokëve: Xhavit Hoxha para ’90-s; Ismaili, i cili ishte më i arsyeshmi, në verën e ’91-shit; Jashari, pasi e dërrmoi policia dhe Dina, po ashtu. Tani po i kthehem lajmit: Isa Hasanmetaj, i vëllai i Avdullahut, më tha se policia, meqë nuk e gjeti në shtëpi, ia la thirrjen për t’u lajmëruar të nesërmen. Por ajo që ishte më kryesorja, ai kishte vendosur mos t’i përgjigjet. Në mbrëmje e biseduam me vëllanë dhe djemtë, që ishin atë natë në shtëpi, situatën e re. Pasi vendosëm që të largoheshim nga Kosova, ua kërkova tri ditë dhe m’i dhanë. Ua mbylla notat nxënësve në prani të tyre, e thirra mbledhjen e Këshillit në të cilën e zgjodhëm nënkryetar Muhamet Haklajn. Pra, bacës Adem nuk ia lashë ‘grigjën pa bari’… Dhe kryq e tërthor bjeshkëve tona, me gjithë djalin, Shkëlzenin, dolëm në Shqipëri e prej andej në Gjermani. Mal, ky është ‘akomodimi’ im dhe kataraktet me të cilat u përballa në ato katër vjet e dy muaj pasi që u ktheva nga burgu i Nishit në Kosovë.

“Epoka e re”: Pyetja tjetër, mendoj e arsyeshme, ‘akomodimi’ në Gjermani.
Hasan Ukëhaxhaj: Së pari po them se procedurën ligjore autoritetet gjermane e përfunduan më shpejt sesa që mendoja në cilësinë e statusit të refugjatit politik. Ndërkaq, u ‘kooptova’ në LPK, me veprimtarët e së cilës mbaja kontakte në vitet e përshkruara më sipër. E kam udhëhequr nëndegën e saj në Gjermani, ndërkaq pas zgjedhjes anëtar i këshillit të përgjithshëm për degën jashtë vendit, i propozova këshillit të nëndegës, tanimë heroin Fehmi Lladrovcin, për të më zëvendësuar. Ai së pari nuk donte të ma pranonte dorëheqjen, por pas arsyetimit tim e më shumë për respektin, dhe kjo s’është modeste që po e them, nuk ma ktheu fjalën. Edhe më përpara, por pas marsit të ’98-s, detyra ime kryesore ishte që t’i bindja mërgimtarët për ta ndihmuar UÇK-në, pjesën ‘teknike’ e kryenin të tjerët… Në qershorin e ’99-s hyra në Kosovë për të marrë pjesë në mbledhjen e përgjithshme të LPK-së e cila brenda vendit mbahej pas shumë vitesh. U njoftova se isha emëruar zëvendësministër për Arsim e Kulturë në Qeverinë e Përkohshme, detyrë të cilën e kreva katër ditë dhe në mbrëmjen e kësaj të fundit ia paraqita gojarisht dorëheqjen kryeministrit Hashim Thaçi. Arsyet e dorëheqjes m’i kërkoi, por ato i kam për vete. U pajtuam dhe nuk u ndamë keq. Me fundin e qershorit të atij viti, hiq dekadën si profesor në Gjimnazin ‘Vëllezërit Frashëri’, kontributin tim njëzetvjeçar në fushën e veprimtarisë atdhetare për vendin e konsideroj të kryer.

“Epoka e re”: Pasi thatë se e përfunduat punën atdhetare, a mund t’ia bëni të ditur opinionit kontributin tuaj në fushën e profesionit dhe kulturës në përgjithësi dhe çfarë do të presë lexuesi në të ardhmen nga penda juaj?
Hasan Ukëhaxhaj: E di se nga më erdhi pyetja, Mal, sepse para katër vjetësh ma botuat punimin për Jeronim de Radën me rastin e 200-vjetorit të lindjes së tij. Tani po vazhdoj: punimin e parë e kam shkruar me porosi të Jusuf Gërvallës, të cilën ma përcolli Ismail Haradinaj, për nr. 2 të ‘Lajmëtarit’. Nuk kishte më shumë se një muaj ç’prej se E. Çabej kishte kaluar në përjetësi, prandaj punimi me titull ‘Vdiq vigani i gjuhësisë shqiptare’ është botuar në organin e përmendur me pseudonimin ‘Drini’. Pasi u lirova prej burgut e kam botuar punimin rreth 20 faqesh me titull ‘Konferenca e Londrës dhe çështja shqiptare sot’ në disa vazhdime në ‘Zërin e Kosovës’, me pseudonimin ‘Shpend Dukagjini’. Redaksisë së gazetës ia dërgonte veprimtari Ibish Neziri, i cili edhe vetë ishte ilegal në Kosovë. Kur u vendosa në Gjermani i kam botuar një varg punimesh në organin e organizatës LPK. Në simpoziume dhe konferenca shkencore kam dhënë kontributin tim me kumtesa. Me rastin e 80-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në simpoziumin e organizuar nga Instituti i Historisë në Prishtinë, kam marrë pjesë me kumtesën me titull ‘Çështja shqiptare në ‘Lahutën e Malësisë’’. Në simpoziumin e organizuar nga nëndega e LPK-së në Gjermani më 1996 në Dyseldorf kam marrë pjesë me kumtesën ‘Roli i arsimit në ngritjen e vetëdijes kombëtare të brezave në Kosovë’. Në vitin 2008 kam marrë pjesë në konferencën shkencore të organizuar nga Instituti i Historisë dhe Instituti Albanologjik, bashkë me Shoqatën e të Burgosurve politikë, me ‘Kahet… e zhvillimeve politike pas demonstratave’. Në simpoziumin e organizuar në Deçan, në përvjetorin e rënies së heronjve afër Shtutgartit, me kumtesën: ‘Publicistika e Jusuf Gërvallës’. Më 2011, në konferencën e organizuar me rastin e 30-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, me kumtesën ‘Komiteti i Deçanit – themelimi dhe veprimtaria para e gjatë demonstratave’. Në simpoziumin mbajtur në Zvicër me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, me kumtesën mbi poezinë e Adem Demaçit, me titull ‘Tung vargu im’. Në simpoziumin e organizuar nga Shoqëria ‘Lëvizja’, me kumtesën me titull ‘Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës…’ dhe në simpoziumin e organizuar gjatë këtij viti në Shkup po nga shoqëria ‘Lëvizja’ me kumtesën ‘Rreth disa mendimeve të Ukshin Hotit mbi ngjarjet e vitit 1981’. Punimin e magjistraturës me titull ‘Gjuha dhe stili në poezinë e  Lagush Poradecit’ dhe një vistër punimesh të tjera për të cilat nuk po zgjatem më tutje. Në të ardhmen lexuesi juaj i respektuar patjetër se do të njihet edhe me punime të tjera në faqet e gazetës suaj. (Fund)

 Mal QORRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester United ka humbur katër nga 12 ndeshjet e para…