Ukraina e mërzitur me qëndrimin gjerman

23 janar 2022 | 15:49

Ukraina zyrtare ka shprehur pakënaqësi me qëndrimin gjerman për situatën në të cilën ndodhet vendi. Sipas ukrainasve, qëndrimi gjerman për të mos dërguar armë favorizon synimet e Kremlinit. Amerikanët ndërkaq janë angazhuar në një diplomaci intensive për Ukrainën dhe armatosjen e saj për çdo eventualitet.

Gjermanët kanë refuzuar deri më tani që të dërgojnë armatim në Kiev, ndërsa vendi përballet me frikën e një pushtimi rus, ndërsa amerikanët dhe NATO kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë diplomatike në mbrojtje të sovranitetit të Ukrainës.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht tha të shtunën në një intervistë për gazetën “Die Welt” se Berlini do të dërgojë një spital fushor në Ukrainë në shkurt, por refuzon dërgimin e armëve. “Dorëzimi i armëve nuk do të ishte i dobishëm për momentin. Ky është konsensusi i qeverisë federale për situatën”, tha Lambrecht për “Die Welt”.

Kievi zyrtar ka reaguar pas kësaj deklarate duke shprehur keqardhje për qëndrimin gjerman.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba ka akuzuar Gjermaninë për “minim të unitetit” dhe “inkurajimin e Vladimir Putinit” duke refuzuar furnizimin me armë të Kievit.

Kuleba shkroi se “deklaratat e fundit nga Gjermania për pamundësinë e transferimit të armëve mbrojtëse në Ukrainë nuk korrespondojnë me nivelin e marrëdhënieve tona dhe situatën aktuale të sigurisë”.

Më herët ka qenë një tjetër skandal në Gjermani që tërhoqi vëmendjen e aleatëve dhe më gjerë.

Zëvendësadmirali Kay-Achim Schönbach tha gjatë një vizite në Indi se Ukraina nuk do ta rimarrë kurrë gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia në 2014./oranews/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Papa Françesku ka bërë thirrje për një ditë ndërkombëtare “të…