Ukrainasit joshin turistët: Ejani! Kemi bomba, ndërtesa të shkatërruara, tanke të djegura e alarme për sulme ajrore

13 gusht 2022 | 08:28

Edhe pse turistët tentojnë të shmangin vizitat në zonat e prekura nga luftërat, një platformë online dhe agjencia turistike VisitUkraineToday, ka llogaritur krejt ndryshe.

Gjashtë muaj nga fillimi i luftës në Ukrainë, kjo platformë ka filluar turnetë ditore të ashtuquajtura “qytetet e trimave”, që i mbijetuan sulmeve ruse dhe po vazhdojnë t’ju kundërpërgjigjen – duke u ofruar turistëve turne njëditore për të përjetuar atë se si është të jetosh në një vend ku po zhvillohet lufta e përgjakshme.

Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare kundër udhëtimit në Ukrainë, Visit Ukraine tregon se deri më tani ka shitur 150 bileta – derisa ueb-faqja që ofron informacione për udhëtimin e sigurtë në Ukrainë, ka 1.5 milionë vizita në muaj – që janë rritur për 50 për qind në raport me periudhën para pushtimit.

Në këtë ueb-faqe thuhet se është e mundur që të rezervohet udhëtimi në Kiev, Liev dhe Odessa, qytet ku është rikthyer jeta pavarësisht luftës, por edhe në “qytetet e trimave” Irpin dhe Bucha në afërsi të Kievit, që kanë pësuar dëme të mëdha.

Megjithatë, zonat si Mariupoli dhe Nikolaev, që akoma janë nën kontrollin e rusëve apo nën sulmet e vazhdueshme të forcave ruse – janë të ndaluara vizitat.

Organizatorët, përveç tjerash, u premtojnë turistëve turne dhe vizita në mesin ku kanë shpërthyer bombat, tek rrënojat e ndërtesat, katedralet, stadiumet që janë djegur si dhe aktivizimin e sirenave që paralajmërojnë sulmet ajrore.

Si rrezik për vizitë në këto vende, theksohen minat kundër këmbësorisë. E çmimi për një turne të tillë mund të gjendet në ueb-faqe që sillen nga 40 euro për një vizitë në Liev, e deri në 1.200 euro për qëndrim 10-ditor në Ivano-Frankvisk.

Anton Taranenko, drejtor ekzekutiv i platformës Visit Ukraine, ka thënë për CNN Travel se kjo nuk është e njëjtë dhe “turizmi i errët”, që vizitorët i dërgon në vendin e vdekjes.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për bomba – por për atë se çfarë po ndodhë sot në Ukrainë – për atë sesi jetojnë njerëzit atje – ndihmojnë njëri-tjetrin. Ndoshta matanë rrugës do të shihni një bombë që ka rënë së fundmi dhe do të shihni një traditë të bujshme të ushqimit”, shtoi Taranenko – duke theksuar se këto turne janë një mundësi që Ukraina t’i tregojë botës se pavarësisht të gjithave, jeton vazhdon atje.

Megjithatë ai theksoi se vizitorët duhet ta dinë se askund në Ukrainë nuk janë qind për qind të sigurtë, pavarësisht se udhërrëfyesit nuk i çon drejt ekspozimit të drejtpërdrejt të rrezikut.

Por këto turne nuk i mbështet zyrtarisht Ukraina. Mariana Oleksov, presidente e agjencisë shtetërore për zhvillim të turizmit në Ukrainë, ka thënë për CNN se “tani nuk është koha e duhur për vizita, por pasi që të përfundojë lufta do të jetë ndryshe”.

“Në nivel shtetëror duam që Ukraina të jetë e hapur për turizëm, por për këtë duhet të kemi më shumë armatim, duhet të ndalim luftën. Qëndrimi ynë zyrtar është që turistët duhet ta vizitojnë Ukrainën kur të jetë vend i sigurt – ndoshta vitin e ardhshëm”, shtoi Oleksiv.

Sipas të dhënave zyrtare, turizmi ukrainas tani është në 50 për qind të kapaciteteve, pavarësisht luftimeve të ashpra që po zhvillohen në këtë vend.

Edhe pse Ukraina është në një gjendje të jashtëzakonshme dhe trafiku ajror mbi këtë vend është ndalur, vizitorët e huaj akoma mund lehtë të udhëtojnë nëpër tokë – duke u futur nga ana perëndimore përmes punkteve që çojnë drejt vendeve tjera evropiane që kufizohen me Ukrainën.

Taranenko thotë 15 nga 150 biletat e shitura i kanë blerë amerikanët. Por ekspertët e udhëtimit të sigurtë siç është Charlie McGrat, pronar i kompanisë Objetive Travel Safety, këshillojnë që mos ta bëjnë një gjë të tillë.

“Bëjë thirrje për kujdes për shkak të sulmeve ruse që janë në zhvillim e sipër. Edhe pse pjesa perëndimore e Ukrainës është relativisht e sigurtë dhe duket se jeta po vazhdon atje – pjesa juglindore është më e rrezikshme. Është si një lotari”, shtoi ai – duke konstatuar se akoma nuk dihet se çfarë mbrojtje u ofrohet turistëve dhe çfarë do të ndodhë me ta nëse vjen deri te ndonjë sulm, nëse lëndohen apo vdes udhërrëfyesi i tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot asgjë nuk është e pazakonshme që të takohen persona…