“Ukshin Hoti” arrin marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Prizrenit

18 shkurt 2020 | 11:24

Universiteti “Ukshin Hoti” i Prizrenit dhe Komuna e Prizrenit kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi. Marrëveshja është nënshkruar nga rektori prof. asoc. dr. Ismet Temaj dhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Përfaqësuesit e dy institucioneve e vlerësuan lart thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Rektori Temaj e ka falënderuar kryetarin e Prizrenit për mbështetjen duke theksuar se arritja e kësaj marrëveshje shkon në funksion të lidhjes së ngushtë të universitetit me palët e interesin dhe në këtë kuadër bashkëpunimi me pushtetin lokal ka shumë rëndësi për të ardhmen e universitetit.

Ndërkaq, kryetari Haskuka vazhdimisht e ka mbështetur universitetin. Ai ka theksuar se për zhvillimin e gjithëmbarshëm pikë kyçe është lidhja e arsimit me ekonominë, ndërsa roli i Universitetit të Prizrenit në këtë aspekt është shumë i rëndësishëm.

Qëllimi i kësaj marrëveshje të bashkëpunimit është t’i përcaktojë kushtet e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve për interesin reciprok.

Dy institucionet pajtohen që për interesa të përbashkëta të asistojnë, promovojnë, përkrahin dhe ngritin nivelin e bashkëpunimit reciprok në mes të tyre, në funksion të zhvillimit të përgjithshëm edukativ, social dhe ekonomik, dhe ngritjen profesionale të studentëve të Universitetit.

Komuna e Prizrenit dhe Universiteti “Ukshin Hoti” i Prizrenit së bashku do të kontribuojnë në drejtim të zhvillimit, përkrahjes dhe promovimit të sektorit edukativ dhe profesional, për ofrim të shërbimeve përkatëse për këtë universitet, për gjenerimin e punësimit dhe zvogëlimin e papunësisë.

Në këtë aspekt, Universiteti i Prizrenit do t’i ofrojë ndihmë shkencore-profesionale Komunës së Prizrenit me shërbimet e veta.

Komuna e Prizrenit dhe Universiteti “Ukshin Hoti” i Prizrenit pajtohen që në përgatitjen e propozimeve dhe realizimin e projekteve të përbashkëta, që kanë të bëjnë me përmirësimin e ambientit ekonomik dhe social në Prizren, hartimin e analizave ekonomike, në mënyrë të rregullt të paraqesin ofrimin e përbashkët dhe të këmbejnë informatat e domosdoshme për implementimin projekteve.

Komuna e Prizrenit do të pranojnë në baza mujore një numër të studentëve të Universitetit “Ukshin Hoti” të Prizrenit për të bërë praktikën profesionale nëpër zyrat e Komunës dhe institucioneve vartëse.
Komuna e Prizrenit do të angazhohet që të ofrojë bursa për studentët më të dalluar të Universitetit dhe me gjendje të rënduar ekonomike, përfshirë edhe familjet e dëshmorëve.

Komuna e Prizrenit dhe Universiteti “Ukshin Hoti” pajtohen që për nevoja të tyre të shkëmbejnë ekspertë dhe përvojat e tyre në fushat e caktuara, që kanë kapacitete dy palët.

Komuna e Prizrenit dhe Universiteti “Ukshin Hoti” pajtohen që të angazhohet një doktor i mjekësisë familjare dhe një infermier në kompleksin e universitetit. Gjithashtu, këto dy institucione pajtohen për shfrytëzimin e institucioneve dhe hapësirave komunale për studentët, si: Bibliotekën Komunale, Qendrën Sportive “Sezai Surroi”, fushat sportive, institucionet kulturore komunale etj.

Po ashtu, Komuna e Prizrenit dhe Universiteti “Ukshin Hoti” pajtohen që të bashkëpunojnë gjatë procesit të hartimit të planeve dhe dokumenteve strategjike të dy palëve si dhe pajtohen që ta planifikojë ndarjen e hapësirave dhe tokës komunale për nevoja të zgjerimit të infrastrukturës të UPZ-së dhe për nevoja specifike të fakulteteve përkatëse konform ligjeve në fuqi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Prishtina sh.a", (KRUP) njofton sërish të…