Ukshin Hoti punoi e veproi për një ideal

15 maj 2020 | 13:47

Shqiponjë Osmanaj

Veprimtari, patrioti dhe intelektuali shqiptar e mbarëkombëtar Ukshin Hoti kishte një ideal që në të përmbledhshin bazat e një shteti të pavarur dhe të fuqishëm: Për Kosovën Republikë, për një ushtri – anëtare të NATO-s, për një shtet ligjor, ku shtypi është i lirë, për një rini të edukuar, të arsimuar e cila do të kontribuonte në zhvillimin ekonomik, në mirëqenien qytetare dhe në prosperimin demokratik në aleancë me ShBA-të e BE-në, për bashkimin kombëtar dhe unifikimin e popullit dhe spektrit politik. Kolosi i çështjes mbarëkombëtare, Ukshin Hoti, këto dhe të tjera vlera nacionale i kërkoi, punoi dhe u sakrifikua përtej personales, intelektualitetit dhe familjes. Sot motra e tij Myrvete Hoti-Kasumi, djali i tij Andini dhe familja me krenari e dhimbje presin që të jetësohen këto vlera të tij dhe të mos mbesin utopi platonike.
Më 16 maj bëhen 21 vjet prej zhdukjes së mistershme të Ukshin Hotit nga gardianët e burgut famëkeq të Dubravës. Ajo ditë, ishte e diel, ditë pushimi. Që nga ajo ditë Myrvetja e Andini nuk pushuan asnjëherë të kërkojnë drejtësi vendore e ndërkombëtare, por dikush u frikësua nga zbardhja e fatit të Ukshin Hotit. Ndërkaq Serbia asnjëherë nuk u sanksionua nga bota për zhdukjen e mendimtarit, profesorit e humanistit, njeriut të penës dhe kryengritësit për liri të Republikës së Kosovës, Ukshin Hoti.
Andini e Myrvetja kërkuan edhe kushtëzimin e dialogut Kosovë-Serbi me zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit dhe 1 642 personave të tjerë, por kjo gjë nuk ndodhi.
Sot Universitetit të Prishtinës dhe studentëve u mungon mendimi shkencor, kritik dhe profesional i profesorit Ukshin Hoti. Gjithashtu politikës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës i mungon mendimi i tij i formësuar dhe konkurrent me mendimtarë dhe politikologë botërorë.
Edhe sot pas 21 vitesh përsëritet e njëjta pyetje: Ku është Ukshin Hoti?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se  sot do të fillojë…