Ulet numri i veturave të paregjistruara, Mazreku: Për 21 vjet kemi mbyllur mbi 34 mijë lëndë

09 qershor 2022 | 12:43

Veturat e paregjistruara dhe të pasiguruara po konsiderohet si sfidë për anëtarësimin e Kosovës në sistemin e Kartonit të Gjelbër. Në tryezën e organizuar me të njëjtën temë nga Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) është thënë se këtë problem e kanë edhe shumë vende tjera në botë.

Aty është thënë se ka filluar rënia e numrit të veturave të paregjistruara në 20 mijë, nga mbi 200 mijë sa ishte para 15 muajsh.

Drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, ka folur për vendosjen e stikersave nëpër vetura, duke thënë se ka për qëllim identifikimin e veturave të paregjistruara.

Ai ka thënë se për 21 vjet, Byroja Kosovare e Sigurimit ka arritur t’i mbyllë mbi 34 mijë lëndë.

“Kanë qenë mbi 200 mijë vetura të paregjistruara, mirëpo asnjëherë nuk kemi marrë vendime që këtë numër ta pastrojmë. Si BKS, më 16 janar së bashku me guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti dhe zëvendësministrin Hysen Durmishi kemi marrë vendim ta bëjmë vendosjen e stikersave. Për 21 vjet BKS-ja ka mbyll 34 756 lëndë, ndërsa vetëm 15 muajt e fundit 9 980 dosje”.

“Kemi nënshkruar edhe marrëveshje me Malin e Zi. Kemi një marrëveshje me Shqipërinë. Sot kemi raporte shumë të mira me Shqipërinë. Sa i përket raporteve biznesore kemi raporte shumë të mira edhe me Maqedoninë e Veriut. Bëjmë thirrje që qytetarët të mos dalin në trafik pa sigurim dhe pa regjistrim. Aktualisht kemi 6.85 milionë euro për karton të gjelbër. Më 28 korrik bashkë me BQK-në jemi të ftuar në Bruksel dhe nëse gjithçka shkon në rregull është e mundur që edhe ne si BKS përmes një shteti të bëjmë karton të gjelbër”, ka thënë Mazreku.

Ndërsa Blerim Camaj, drejtor i Agjencisë për Regjistrim Civil, ka thënë se numri i veturave të paregjistruara ka rënë në 20 mijë, nga mbi 200 mijë sa ishte para 15 muajsh.

“Deri tani kur po raportojmë automjete të regjistruara janë 408 mijë e 219 automjete. Të paregjistruara në dy vitet e fundit janë 20 mijë e 630 automjete. Do të thotë numri i automjeteve të paregjistruara ka rënë dukshëm. Pse? Sepse ne së bashku kemi bërë pastrimin e databazës së ARC-së. Dhe vendosja e stikerëve dhe bashkëpunimi me policinë ka ardhur të kjo shifër e automjeteve që rezulton në 5 për qind të totalit”, ka thënë ai. /EO/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Alexandre Lacazette është larguar përfundimisht nga Arsenali. 31-vjeçari është rikthyer…